Nëse zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila u pezullua sot nga detyra dhe iu bllokua pasaporta për të dalë jashtë vendit, nuk largohet nga postet që mban, rrezikon një masë më të ashpër sigurie.
Gazetarja Klodiana Lala pohoi se masa ndaj Ballukut i kërkon kësaj të fundit që të largohet menjëherë nga zyra e saj, në të dy postet e rëndësishme, si zëvendëskryeministre dhe si ministre e Infrastrukturës.
Ky urdhër është dhënë me pretendimin se Balluku mund të rrezikojë prishjen e provave, duke qenë afër detyrave të tyre.
“Nëse nuk e zbaton masën, prokurorët mund të kalojnë edhe në masa më të forta sigurie ndaj saj. Por duke qenë se drejton një nga ministritë më të rëndësishme e më të fuqishme, që menaxhon një pjesë të madhe të buxhetit, ka rrezik për ndikim nga ana e saj, që të mos ushtrojë ndikim edhe ndaj zyrtarëve apo në prishjen e provave”, shpjegoi gazetarja.
Kujtojmë se GJKKO ka dhënë masë ‘arrest shtëpie’ dhe për dy bashkëpunëtorë të saj të ngushtë, Erald Elezin, drejtor i KESH-it, dhe kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli, në lidhje me tenderët për tunelin e Llogarasë dhe Unëzën e Madhe, Loti 4.
Po ashtu, SPAK ka ushtruar kontrolle të reja ndaj zyrtarëve të afërt me Ballukun, ku besohet se janë gjetur edhe prova të reja implikuese, që mendohet se kanë sjellë edhe masën e sigurisë që është vendosur.
“Ka pasur bllokim të celularëve. Janë kryer kontrolle nga SPAK, janë sekuestruar një sërë celularësh të personave që kanë bashkëpunuar me Ballukun dhe mund të jenë siguruar prova të reja nga këto kontrolle që e lidhin me zv/kryeministren Balluku. Në këtë kuadër ka ardhur edhe masa e sigurisë për pezullim dhe sekuestrim pasaporte”, tha Lala.
Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masat e sigurisë për zv.kryeministren Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në një reagim për mediat, GJKKO shprehet se masat e sigurisë ndaj zv.kryeministres Balluku kanë karakter sekret.
Gjithashtu theksohet se do të ketë njoftim zyrtar nga ana e gjykatës në momentin e duhur procedurial.
“Lidhur me lajmin e publikuar në media për caktimin e masave të sigurisë ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun. Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës”, thuhet në reagim.
Kjo është hera e parë që një funksionare e lartë, në rastin konkret, numri i dy i qeverisë të pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.
© Panorama.al











