
BASHKIM ZENELI
Kryeministri i Greqisë. z.Papandreu, përfundoi dje pasdite negociatat përfundimtare me Presidentin Papulias dhe me liderin e opozitës, Samaras, ndërsa një ditë më parë u kishte kërkuar ministrave të tij të jepnin dorëheqjen për t’i hapur rrugë krijimit të një qeverie të unitetit kombëtar, të cilën ai kishte kohë që e kërkonte. Papandreu mbajti një fjalim para popullit duke vlerësuar marrëveshjen e arritur për një qeveri të re dhe shpjegoi se qeveria e tij ka bërë gjithçka për të përballuar krizën, për të mbetur në eurozonë, duke i hapur kështu rrugë miratimit të marrëveshjes së 26 tetorit për përfitimin e këstit të gjashtë.
Natyrisht, nuk u zhduk kriza greke aq problematike dhe shumëplanëshe, por u arrit një zgjidhje historike për të mos e lënë vendin të zhytet më tej e për të garantuar një perspektivë të qartë e të mirëstrukturuar, mbi të gjitha në kuadër të kërkesave të BE-së. Z. Papandreu dhe qeveria e tij gjatë këtyre dy viteve në pushtet janë përballur me një situatë shumë të rëndë, të njohur tashmë e për të mos e komentuar pse erdhi e si erdhi. Por, veçanërisht që nga qershori i kaluar, kur edhe u riformatua kabineti qeveritar, kriza mori përmasa edhe më të mëdha. Nga brenda manifestime të fuqishme kundër masave drastike që rëndonin mbi popullin grek dhe nga jashtë nga Bashkimi Europian, Trojka, kërkesa tepër strikte e të precizuara për zbatimin e programeve shtrënguese. Në kërkesat për përballimin e borxhit për rreth 350 miliardë euro, qeveria greke hartoi në kuadër të thuajse çdo kësti të marrë, një program të veçantë e me masa specifike.
Dhe me kalimin e kohës, Kryeministri grek dhe qeveria e tij, nga zhgënjyese u bënë përherë e më të besueshme në zbatimin e kërkesave strategjike të shtruara nga Trojka. Qeveria thuajse harroi çdo axhendë dhe iu përkushtua angazhimit në mbledhjet e BE-së, FMN-së, BQE-së, samiteve të ndryshme, së fundi edhe atij të Kanës. Dhe duket se mbas çdo takimi ka ardhur një sukses, marrja e këstit përkatës, deri në ditët e fundit kur u vendos falja e gjysmës së borxheve.
Pa asnjë diskutim, Kryeministri Papandreu në gjithë këtë periudhë, e sidomos mbas qershorit të kaluar, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në menaxhimin e situatës brenda dhe jashtë vendit, në krijimin e besimit për kapërcimin e krizës. Ai ka qenë në negociata të gjata e të vështira jo vetëm me liderët europianë për të siguar këst pas kësti, por edhe me drejtues të forcave politike në vend, për të arritur në një mirëkuptim dhe konsensus të përbashkët për ndërmarrjen dhe realizimin e reformave që kushtëzonin mbështetjen e mëtejshme të BE-së ndaj Greqisë. Dhe për paradoks, të gjitha forcat politike parlamentare, pa dyshim përgjegjëse për krizën e dekadës së fundit, të djathta e të majta, të ekstremit të djathtë e të ekstremit të majtë, u shprehën kundër kësaj thirrjeje me përgjigjen se zgjidhja do të ishin vetëm zgjedhjet e parakohshme. Papandreu organizoi disa takime me liderë të forcave politike, edhe mbledhje të Këshillit të Forcave Politike nën drejtimin e Presidentit Papulias, por të gjitha këto kanë rezultuar me mospranimin e masave të ashpra të qeverisë në zbatim të kërkesave të patolerueshme të BE-së.
Më 15 qershor, në një mesazh televiziv, Papandreu, pasi shprehu edhe një herë angazhimin dhe përgjegjësinë për të shpëtuar vendin në një përpjekje të përbashkët me interes kombëtar dhe jopartik, e akuzoi opozitën se po bënte një lojë për përfitime politike dhe jo në interes të zgjidhjes së krizës në vend. Duke përjashtuar zgjedhjet e parakohshme u hodhën idetë e para të një qeverie kalimtare me një bashkëpunim të gjerë. Por opozita filloi ta pranojë këtë ide vetëm me kusht rinegocimin e kërkesave të memorandumit, gjë që ishte e pamundur. Deri në momentet e fundit, për krijimin e një qeverie me bazë të gjerë përfliteshin katër variante; së pari koalicion midis PASOK-ut dhe Demokracisë së re, që do të ishte më i miri për periudhën që kalon vendi dhe i dyti në historinë e Greqisë pas vitit 1989. Varianti i dytë, nëse Demokracia e Re nuk do të kishte pranuar bashkëqeverisjen me PASOK-un, do të ishte ajo me LAOS dhe Aleancën Demokratike, që natyrisht nuk do të ishte një aleancë e konsoliduar, e qëndrueshme dhe bindëse. Një mundësi tjetër do të ishte aleanca midis PASOK-ut dhe deputetëve të djathtë që ishin shprehur të gatshëm me anë të një deklarate për Qeveri të Unitetit Kombëtar. Dy variantet e fundit, natyrisht do të ishin problematike duke qenë se opozita më e madhe në vend, Demokracia e Re, do të vazhdonte të këmbëngulte në kërkesat e saj për zgjedhje të parakohshme dhe, mbi të gjitha, duke mos i dhënë mbështetje planit të 26 tetorit në përmbushje të detyrimeve në përfundim të këstit të gjashtë.
Dhjetë ditët e fundit kanë qenë për Greqinë politike ditë mjaft të tensionuara. Greqisë iu premtua për të marrë deri në fund të vitit edhe këstin e gjashtë të ndihmave, por që natyrisht kërkonte miratimin në Parlament të kërkesave të shtruara. Përfundoi edhe Samiti i Kanës me thirrjen e liderëve të Perëndimit, përfshirë edhe Presidentin Obama, për të arritur një unitet kombëtar dhe për të ecur në përpjekje të përbashkëta. Në këto rrethana, i njohur me qëndrimin e opozitës, Papandreu hodhi hapin sfidant për organizimin e një referendumi. Në situatën e rënduar në vend ky referendum do të ishte një “JO” e madhe për Papandreun dhe Greqia nga një pjesëtare e dobët e ekipit të euros, do të kthehej te dhrahmia. Me kundërshtimin e ashpër të BE-së, Papandreu u tërhoq. Menjëherë mbas kësaj, lideri i opozitës, z. Samaras, në takimin me Presidentin Papulias, shpalli publikisht qëndrimin e Demokracisë së Re, se zgjidhja e ngerçit që po kalon Greqia janë zgjedhjet dhe pastaj mund të flitej për ridimensionim të politikës ekonomike. Në këto rrethana, Papandreu, pas disa takimeve e bisedave me liderin e opozitës Samaras dhe me Presidentin Papulias, deklaroi se ai ishte i gatshëm të largohej nga drejtimi i qeverisë, por me kushtin e krijimit të një Qeverie të Unitetit Kombëtar, me dy synime: së pari kalimin në Parlament të marrëveshjes së kërkuar nga BE si kusht për lëvrimin e këstit të gjashtë, dhe së dyti, përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Mbas reagimeve negative në këtë pikë është tërhequr më pas kryetari i Demokracisë së Re, Samaras, dhe ka pranuar këtë zgjidhje.
Ndërkohë, Kryeministri Papandreu, në situatën e krijuar, ka mbledhur grupin e tij parlamentar dhe në një fjalim për afro një orë i ka bindur edhe kundërshtarët e tij në parti, duke deklaruar se do të niste konsultimet me partitë për një qeveri kalimtare, duke mos qenë ai kryeministër. “Unë, -deklaroi Papandreu, – nuk bëj lojëra, nuk jam i mbërthyer mbas karriges së pushtetit”. Në të gjitha këto lëvizje të fundit, Kryeministri grek ka pasur mbështetjen e BE dhe SHBA. Ai largohet si Kryeministër duke zgjidhur një krizë me pasoja të paparashikuar jo vetëm ekonomike, por edhe politike e institucionale. Pra u zgjidh kriza që do të zgjidhë krizën, dhe kjo është merita e tij.
Qeveria e re, që sipas lajmeve do të dekretohet nesër paradite, (pasi ka pasur shumë debate për emrin e Kryeministrit) do të ketë për detyrë të menjëhershme miratimin në Parlament të marrëveshjes me BE, njëkohësisht ajo duhet të paraqesë brenda 10 ditëve projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, i cili duhet të votohet në Parlament brenda 20 dhjetorit. Kundër kësaj marrëveshjeje dhe krijimit të qeverisë se pajtimit janë shprehur: Partia Komuniste dhe Syriza, si edhe partia e ekstremi të djathtë, LAOS. Në orët e vona të pasdites është kërkuar nga komisionieri evropian, Oli Rehn, që të zbatohet kërkesa e Eurogrupit për të firmosur aktorët kryesorë të kësaj marrëveshjeje. Ai i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë edhe liderit të opozitës, Samaras, për t’iu përmbajtur kësaj kërkese, por ky i fundit është përgjigjur se e ka dhënë fjalën publikisht dhe kjo është e mjaftueshme. Gjithashtu, Samaras në vazhdim të një inkonsekuence për zgjidhjen e krizës ka kërkuar që zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen më shpejt se data e përfolur e 19 shkurtit. Kjo nuk është pranuar nga Kryeministri i ri, madje ai kërkon edhe një shtyrje të mëtejshme të këtij afati. Pra ngjarjet edhe në orët e fundit janë problemore.
është hapi i parë mbas gjithë muajve të tensionuar që Greqia politike, në pjesën dërrmuese të saj (pozitë-opozitë), pranon një bashkëpunim në interes kombëtar duke shmangur tani për tani akuzat për keqmenaxhim, paaftësi etj. Ky kapërcim i krizës nuk do të jetë i shpejtë. Por urojmë që gjithçka të ecë mbarë në Greqinë fqinje dhe mike, jo vetëm në interesit e popullit grek në radhë të parë, por edhe të rajonit. Një Greqi, anëtare e NATO-s dhe e BE-së, ka qenë dhe është një mbështetje e aspiratave integruese të vendeve të rajonit.
Si fqinjë të mirë që jemi, ne shqiptarët i jemi mirënjohës mbështetjes që Greqia u ka dhënë proceseve euroatlantike dhe integruese, mbështetjes me programe ekonomike dhe financiare të mjaft projekteve të fushave të ndryshme. Prania e mbi 800 mijë shqiptarëve në Greqi nuk mund të kalojë në këtë situatë pa shqetësime, por fryma e mbështetjes dhe e mirëkuptimit do t’ua lehtësojë edhe bashkatdhetarëve tanë së bashku me popullin grek, pasojat e krizës.











