Gjermania mbyll 7 centrale, inspektime në të gjithë botën

Mar 16, 2011 | 11:25

Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, ka deklaruar dje se Gjermania do të mbyllë përkohësisht reaktorët më të vjetër bërthamorë, pas incidenteve që ka shkaktuar tërmeti në Japoni. Vendimi është marrë për shtatë prej reaktorëve, të cilët duket se i përkasin prodhimit të viteve ’80 apo më përpara. Centralet do të inspektohen dhe do të qëndrojnë të mbyllur për të paktën tre muaj. Siguria e të gjitha centraleve bërthamore gjermane do të verifikohet plotësisht dhe pa rezerva, ka deklaruar Merkel. Sipas sondazheve, shumica dërrmuese e gjermanëve janë kundër energjisë bërthamor. Edhe Franca do të kontrollojë “të gjitha centralet e saj një për një”, kështu u njoftua nga zyrtarët e këtij vendi dje në Paris. Por, incidenti nuklear në Japoni nuk do të influencojë politikën nukleare të Spanjës. Qeveria spanjolle njoftoi dje se “Nuk është momenti i duhur për të diskutuar fatin e centraleve nukleare në Spanjë”, sipas ministres së Ambientit, Rosa Aguilar. Qeveria nuk do ta mbyllë impiantin e tjetër nuklear të Garonas para parashikimit, ka sqaruar zv/kryeministri Manuel Chaves. Edhe Turqia ka njoftuar të hënën se nuk do ta ndryshojë politikën e saj energjetike, me gjithë incidentet e frikshme në Japoni. Ndërsa dje,Kryeministri rus Vladimir Putin, i cili tha se vendi i tij nuk është prekur nga reja radioaktive, bëri thirrje për investime të reja në sektorin energjetik, për ta zhvilluar më tej atë.

© Panorama.al

Te lidhura