Gjermania “djeg” Gjasulën

Mar 5, 2011 | 12:10

Lajmi është konfirmuar dje, pas përgjigjes që ka dhënë zyrtarisht Ministria e Brendshme e Gjermanisë. Futbollisti shqiptar, aktualisht disponon pasaportë gjermane dhe ka lënë nënshtetësinë shqiptare pasi ligji gjerman, në ndryshim nga shumë vende në Evropë nuk lejon mbajtjen e dynënshtetësisë, dhe për rrjedhim lojtari e ka të pamundur që të mbrojë ngjyrat e ekipit tonë përfaqësues, pasi konsiderohet gjerman dhe jo shqiptar. Pasi u mor vendimi nga ana e trajnerit të kombëtares Josip Kuzhe, i cili dha aprovimin që Gjasula të ishte pjesë e ekipit që drejton, nisën negociatat për afrimin e mesfushorit fantazist. Nga ana e tij, Gjasula, pasi humbi edhe shpresat se mund të luante për Gjermaninë, pranoi të vishej kuqezi nëse federata dhe shteti do të investoheshin që ai të mbante pasaportën gjermane e të rimerrte edhe atë shqiptare. Menjëherë zyrtarët, duke përfshirë në këtë operacion edhe nëpunës të Ministrisë së Jashtme dhe të Brendshme shqiptare, nisën procedurat me homologët gjermanë për të bërë të mundur kërkesën e lojtarit. Sipas ligjit gjerman, një person mund të mbajë dynënshtetësi vetëm në raste të veçanta, të tipit: kur është një person VIP dhe me një status të veçantë, ose kur pajisja me dy pasaporta sjell benefite për të dyja shtetet. Në rastin konkret, për Gjasulën, Ministria e Brendshme gjermane në përgjigjen dhënë homologes së saj shqiptare, e ka argumentuar refuzimin pikërisht se Jurgen Gjasula, së pari nuk është një person me status të veçantë (VIP) dhe pajisja edhe me pasaportë shqiptare nuk sjell asnjë përfitim për Gjermaninë, por vetëm për vendin e origjinës, Shqipërinë. Kështu, nëse Gjasula do dëshirojë me çdo kusht që të luajë për Kombëtaren shqiptare, duhet që të lërë nënshtetësinë gjermane dhe të rimarrë atë shqiptare. Por këtë version lojtari e ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike, pasi në gjykimin e tij ai ka lidhur gjithçka me Gjermaninë.

Kosova nderon Bekenbauerin: Do loboj për ju

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur dje legjendën e futbollit gjerman dhe botëror, njëherësh anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, Franc Bekenbauer. Presidenti dekoroi këtë të fundit me çmimin “Ambasador Nderi i Kosovës”, për kontributin që ka dhënë dhe që do të vazhdojë të japë për integrimin e futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Pacolli ka pohuar se me Bekenbauerin ka biseduar mundësitë e integrimit sa më të shpejtë të futbollit kosovar në familjen evropiane dhe atë botërore. Ndërkaq Bekenbauer premtoi se do të angazhohet për të ndihmuar futbollin e Kosovës, në rrugën e saj drejt pranimit në UEFA dhe FIFA. “Nuk jam politikan, jam sportist dhe, si i tillë, në disa gjëra mund të kontribuoj. Është mbajtur një mbledhje e Komitetit të FIFA-s, që rasti i Kosovës t’i kalohet UEFA-s. Atë që mund të bëj për Kosovën, do ta bëj me shumë dëshirë. Të gjithë sportistëve ju dëshiroj fat dhe shpresoj se kjo dëshirë t’ju realizohet”, ka thënë Bekenbauer. Pas takimit në Presidencë, Bekenbauer i shoqëruar nga ministri Memli Krasniqi, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu dhe kryetari i KF “Prishtina”, Remzi Ejupi, ka vizituar edhe stadiumin e Prishtinës, ku është pritur ngrohtësisht edhe nga shumë tifozë e dashamirës.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura