Gërmonte për gropë septike, zbulon dy skelete njerëzish

Mar 29, 2011 | 10:52
I zoti i tokës ku u zbuluan eshtrat e dy personave

Dy skelete njerëzore u zbuluan në fshatin Larushk të Krujës, teksa pronari i një banese po gërmonte për të hapur një gropë septike.Ai ka mbetur i shtangur, teksa kazma me të cilën gërmonte i nxori në sipërfaqe eshtrat. Pëllumb Xhixha fillimisht mendoi se ato ishin kocka të ndonjë kafshe, pasi thellësia në të cilën ishin groposur nuk i arrinte 50 cm. Por më pas, bashkë me kushëririn e tij kanë shtangur, kur zbuluan kafkën që i përkiste një njeriu. Pak centimetra më tej kanë dalluar një skelet i dytë, çka bëri që ata të ndërpresin punimet e të sinjalizojnë policinë. Të moshuarit në fshat u shprehën se ato mund t’i përkasin ushtarëve italianë, të cilët kanë kaluar në kohën e luftës nga ky fshat, duke qenë se Larushku nuk ndodhet larg me Durrësin.
Z. Xhixha, kur dhe si i zbuluat eshtrat?
Dy ditë më parë nisa punimet për të hapur një gropë septike. Bashkë me një të afërm timin vazhduam punën normalisht. Dy vite më parë ndërtova shtëpinë e re, por akoma nuk kam hyrë brenda, pasi duhet të ndërtoj banjën, të vendos dyer e dritare etj. Gjatë punimeve, papritmas vumë re që po nxirrnim copa kockash. Por asnjëherë nuk na vajti mendja që kishim të bënim me eshtra njeriu. Menduam se ishin kocka të ndonjë kafshe, pasi edhe thellësia e gropës nuk ishte më shumë se 50 centimetra. Punimet avanconin duke zgjeruar sipërfaqen, derisa hasëm në kafkën e kokës. Aty nisëm të dyshonim dhe filluam të punonim me kujdes. Pasi zbuluam kafkën, por edhe gjymtyrët, atëherë vendosëm ta zbulonim ngadalë, për të mos e dëmtuar.
Po më pas çfarë ndodhi ?
U habitëm, pasi eshtrat janë gjetur vetëm një metër e gjysmë larg banesës së re. Bisedova me gjyshen që është më e vjetra e më pas edhe me të afërmit e mi më të moshuar, të cilët shprehen se mund të jenë eshtra të ushtarëve italianë, që kanë mbetur që gjatë luftës. Të moshuarit në fshat më thanë se këtu kanë kaluar ushtarë italianë dhe Durrësi nuk është shumë larg me Larushkun.
Më pas zbuluat edhe një skelet tjetër, sa larg ishin nga njëri- tjetri?
Dy skeletet ishin vendosur afër njëri-tjetrit, në një distancë jo më larg se një metër e gjysmë, në të njëjtin drejtim, me kokë në drejtim të Durrësit. Eshtrat kanë një gjatësi rreth 1 metër e 70 centimetra. Koka u është dëmtuar nga punimet që kemi kryer, ndërsa pjesët e tjera janë të padëmtuara.
Lajmëruat njëri për gjetjen e dy skeleteve?
Njoftuam dy ditë më parë policinë, por ata erdhën vetëm sot (dje) dhe kryen ekspertizën. Më pas erdhën edhe një grup ekspertësh të shoqëruar nga mjekë ligjorë, të cilët bënë kryerjen e skeleteve. Policia na mori në pyetje ne si familje si i kemi gjetur.
Mendoni që mund të ketë edhe skelete të tjera?
Të jem i sinqertë, dyshoj që mund të ketë. Megjithatë, ne jemi në pritje të kthimit të përgjigjes nga ana e policisë, se çdo të bëjmë me skeletet e gjetura.
Ju kanë thënë se çdo të bëjnë me skeletet?
Akoma nuk i kanë marrë, por po bëjnë veprimet në vend. Po presim që të policia t’i heqë që këtu të dyja skeletet, pasi jemi të frikësuar.

© Panorama.al

Te lidhura