Gërdeci, Berisha: Jam i revoltuar për gjykimin

Mar 12, 2011 | 13:24

Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me përfaqësues të komunitetit të banorëve të Gërdecit ku merrte pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili. Afro 3 vjet nga tragjedia në të cilën humbën jetën 26 banorë të kësaj zone në afërsi të Tiranës, Kryeministri garantoi përfaqësuesit e këtij komuniteti se qeveria do të plotësojë të gjitha kërkesat e tyre. “Ju garantoj se ka qenë jashtëzakonisht e hidhur për mua zvarritja e gjykimit. Të jeni të sigurt se jam shumë i prekur dhe i revoltuar nga kjo zvarritje. Ne e kemi ndjekur dhe jemi jashtëzakonisht të interesuar që të bëhet drejtësia. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë që drejtësia të bëhet”, tha Kryeministri, sipas zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave. Ai shtoi më tej se “qeveria nuk do të heqë dorë për asnjë çast nga vëmendja ndaj tyre dhe plotësimin e të gjitha kushteve për një jetë sa më normale”. “Unë dua t’ju siguroj se kjo qeveri nuk do të heqë kurrë nga vëmendja mbështetjen tuaj, me të gjitha mundësitë që ka dhe këtë do t’ia transmetoni gjithsecilit banor dhe qytetar të asaj zone. Ne do të qëndrojmë pas secilit prej jush dhe do t’ju mbështesim gjer në zgjidhjet më përfundimtare. Sigurisht që ne do të marrim përsipër pa asnjë mëdyshje qiratë dhe ndihma të tjera”, u shpreh më tej Kryeministri gjatë këtij takimi. Biseda mes kreut të Qeverisë dhe përfaqësuesve të komunitetit të kësaj zone, vjen në një moment kur gjyqi për këtë çështje vazhdon të zvarritet, ndërkohë që në fillim të muajit shkurt u liruan me vendim të Gjykatës së Lartë Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeçi. Pas këtij vendimi të gjykatës, reaguan menjëherë Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, të cilat akuzuan njera tjetrën. Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, tha para mediave se dalja nga burgu e Delijorgjit, Pinarit dhe Minxholit u bë përmes sabotimit të procesit nga grupe të caktuara të lidhura me Ramën. “është lëndimi i viktimave, është vrasje për së dyti, të qytetarëve të Gërdecit. Ne, si Parti Demokratike, denoncojmë këtë akt që vjen nga sabotuesit e procesit, nga ndërhyrja e mafies që kanë bërë lojën. Druaj se pas tij qëndron miku i Delijorgjit, Rama dhe mafia që e rrethon”, tha Alibeaj. Ndërkohë që nuk vonoi as reagimi i socialistëve, të cilët, përmes Taulant Ballës, theksuan se përmes këtij vendimi të gjykatës u provua edhe njëherë që drejtësia është kapur nga Kryeministri Berisha. “Sot u riprovua lidhja e drejtpërdrejtë e Sali Berishës, djalit të tij me të akuzuarit e Gërdecit. Sot u riprovua se ku po e zhyt korrupsioni drejtësinë dhe Shqipërinë bashkë me të. Dita e sotme u konfirmoi shqiptarëve edhe një herë, se ç’vlerë të paçmueshme ka beteja e opozitës për drejtësi. Ky episod i turpshëm i radhës i dështimit të drejtësisë për 26 të vrarët e Gërdecit, na rimëson se nuk mund të ketë drejtësi në një vend ku qeveris padrejtësia”, tha Balla.

PS: Për Gërdecin fajin e ka Saliu

Partia Socialiste reagoi dje menjëherë pas takimit të kryeministrit Sali Berisha me një përfaqësi të banorëve të Gërdecit. Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Megi Ajtyresa tha në një konferencë për shtyp se është përgjegjësia e Kryeministrit që banorët e asaj zone nuk kanë gjetur ende drejtësi. “Fajin e ka Saliu për 26 jetët që humbën në Gërdec prej korrupsionit të familjes Berisha. Fajin e ka vetëm Saliu që familjarët e 26 viktimave ende sot kërkojnë drejtësinë e munguar. Edhe për braktisjen që i është bërë banorëve të Gërdecit të shkatërruar materialisht nga shpërthimi tragjik, fajin e ka Saliu”, u shpreh Ajtyresa. Ajo akuzoi Kryeministrin edhe për katër vrasjet në demonstratën e 21 janarit, duke shtuar se në 15 mars do të protestohet kundër qeverisë. “Që Saliu vret këtë s’ka shqiptar që nuk e ka kuptuar. Vrau 26 shqiptarë në Gërdec 3 vjet më parë e në 21 janar vrau 4 shqiptarë të tjerë. Në të gjitha rastet drejtësia mungon, sepse Saliu është kundërshtar i ligjit dhe të së drejtës. Prandaj, të martën në 15 mars, shqiptarët do të protestojnë në Gërdec, për t’i dhënë një mesazh të qartë Saliut. Kurrë më vrasjes. Kurrë më padrejtësisë”.

PS, demonstratë për viktimat e Gërdecit e 21 janarit në 15 mars

Partia Socialiste dhe aleatët e saj do të zhvillojnë një protestë në Tiranë në datën 15 mars, në trevjetorin e ngjarjes tragjike në Gërdec. Vendimi është marrë prej ditësh nga tryeza e opozitës, për të zhvilluar një protestë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë. Ende nuk bëhen të ditura detaje më shumë rreth kësaj proteste për përkujtimin e trevjetorit të ngjarjes në Gërdec, por këtë protestë e ka paralajmëruar edhe vetë kreu i PS-së, Edi Rama, në takimet e fundit paraelektorale, në Korçë apo Fier. “Do hyjmë në zgjedhje për largimin e Saliut. Partia Socialiste, ne të gjithë, do të jemi në shërbim të këtij vendi. Më datë 15 mars, le të mblidhemi të gjithë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në kryeqytet, pasi ne jemi e vetmja shpresë në këtë vend”, është shprehur kryetari Rama, në takimin e zhvilluar në qytetin e Korçës. Kjo është protesta e radhës që bën opozita, për ngjarjen në Gërdec, kur edhe në të kaluarën janë bërë protesta për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie. Në përkujtim të vitit të parë të kësaj ngjarjeje, opozita zhvilloi një protestë të gjatë, duke ecur në formë homazhi dhe me një flamur të madh kombëtar shqiptar, përgjatë gjithë autostradës Tiranë-Durrës, nga Vora e deri në Tiranë. Ngjarja në Gërdec u rikthye sërish në vëmendjen e politikës, pas vendimit të fundit të gjykatës për të ndjekur në gjendje të lirë të akuzuarit e kësaj tragjedie. Por palët akuzuan njëra-tjetrën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Nga ana tjetër, të dyja palët kanë bërë thirrje për drejtësi dhe dënimin e fajtorëve të ngjarjes së rëndë, ku humbën jetën tragjikisht 26 qytetarë shqiptarë.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura