George Williams, amerikani që denoncoi krimet ndaj shqiptarëve

Mar 29, 2011 | 12:02
Ambasadori George Williams

Ambasadori George Fred Williamsi, është njëri ndër miqtë e mëdhenj të shqiptarëve, kontributi i të cilit ka qenë shumë i rëndësishëm e përcaktues në periudhën 1913-1915.Ish-ministri fuqiplotë amerikan në Athinë, që dha dorëheqjen në kulmin e veprimtarisë së një diplomati, vetëm e vetëm për të mbrojtur interesat e nëpërkëmbura të kombit shqiptar, është fiksuar nw historinë e Shqipërisë si njw figurw e dashur dhe e respektuar. G.F.Williamsi lindi në Ded-ham të Masaçusetit, në një familje me origjinë gjermane. Studimet i nisi në vendlindje për t’i përmbyllur në Kolegjin e Harwardit. Në vitin 1912, dekretohet ministër fuqiplotë i SHBA në Athinë dhe në Cetinjë të Malit të Zi. Në vitin 1914, ishte vëzhguesi amerikan në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit për Shqipërinë. Ishte periudha kur rajoni përjetoi ngjarjet më barbare të të dy luftërave ballkanike. G.F.Williamsi ishte deshmitari i barbarizmave të pashoqe që kryen ballkanasit njeri me tjetrin apo ndaj ushtarëve turq të shpartalluar. Ndërkaq, ai u bë dëshmitar i dhunës dhe vrasjeve masive që grekët kryen ndaj popullsisë shqiptare. Në rajonin e lashtë e të përfshirë në kaos, më të shtypurit e më të syrgjynosurit, ishin  shqiptarët. Ishte kjo arsyeja që G.F..Williamsi u bë mik i tyre deri në fund të jetës së tij, nga që donte t’i ndihmonte dhe t’i përkrahte ata në luftën për të drejtat e tyre të nëpërkëmbura- siç shprehej Williamsi.
Williams përball Venizellos
Në periudhën kur protokolli i Firences, më 17 dhjetor 1913, përcaktonte kufirin greko-shqiptar, Fuqitë e Mëdha i kërkuan Greqisë të tërhiqte repartet nga Shqipëria jugore deri në kufirin e krijuar rishtazi. Por, qeveria e Athinës  nuk u pajtua me këtë vendim. Kryeministri, Venizellosi, u përpoq të shtynte sa të kishte mundësi afatin e përcaktuar. Ai, më 30 dhjetor 1913, deklaroi se do të tërhiqte ushtrinë nga ato krahina, atëherë kur do të zgjidhej në favor të Greqisë çështja e ishujve të Egjeut. Gjatë kësaj kohe, autoritetet greke organizuan në Shqipërinë jugore, të ashtuquajturën “Lëvizja Autonomiste e Vorio-Epirit”. Për të maskuar veprimtarinë e reparteve të rregullta të ushtrisë greke, qeveritarët e Athinës kishin krijuar qysh nga vera e atij viti repartet e “Hierolohiteve”(repartet e shenjta), që ishin paracaktuar për t’u plotësuar nga vullnetaret vorio-epirotë. Nga mungesa e “vullnetarëve” vendas, këto reparte   u plotësuan me oficerë grekë të veshur civilë, me banda të armatosura të përbëra nga andarët e ishullit të Kretës dhe kriminelë të lëshuar nga burgjet greke. Lëvizja për “Autonominë e Vorio-Epirit” filloi një terror shumë barbar, me vrasje masive kundër shqiptarëve të mbetur jashtë kufirit. Më 1 mars 1914, ushtria greke, pas premtimeve evropiane për ishujt, filloi tërheqjen fillimisht nga Korça. Një ditë më vonë, në Korçë u futën xhandarët shqiptarë të shoqëruar nga oficeret hollandezë. Për për t’u bindur qartësisht mbi gjendjen reale të zonave të barbarizmave, G.F.Williamsi, në fillim të muajit prill niset për në Shqipërinë jugore. Ai zbarkoi në Sarandë, kaloi nëpër Çamëri, doli në Delvinë e më pas në Tepelenë e Gjirokastër. Në Hormovë, sipas kujtimeve të nënprefektit të asaj kohe që e shoqëronte, Abedin Nepravishtës, u njoh me masakrimin e 70 shqiptarëve muhamedanë të vrarë nga vorio-epirotët, që në fakt ishin kryer nga andarët grekë, si edhe varrimin kolektiv të tyre në një përrua. Madje andarët grekë, grupin e G.Williamsit e qëlluan edhe me pushkë së largu. Nga Gjirokastra kaloi në Vlorë, ku mbeti i kënaqur me patriotizmin e “parisë” së Vlorës, që nuk ra viktime e tradhtarit himarjot, Spiro Milo, por i mbeti besnik Princ W.Wieddit. Më 18 qershor 1914, gati dy muaj, duke udhëtuar nëpër Shqipërinë jugore,  , mbërriti në Durrës. Atje shkoi me detyrën e vëzhguesit amerikan të KNK-së (Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit), por ngeli i habitur me qëndrimin indiferent të anëtarëve të atij komisioni ndaj krimeve barbare dhe vendosi të përpilonte “Promemorien”, ku shkruante : “Secili anëtar i Komisionit rrinte me armë në dorë kundër tjetrit”, duke nxjerrë në pah ndeshjet e interesave të Fuqive të Mëdha në Ballkanin perëndimor. Ndër të tjera, në të nënvizonte, ” Evropa e ka krijuar Shqipërinë e pavarur dhe s’duhet të hedhë poshtë frytet e saj, ndaj duhet ta mbështes atë, dhe jo ta intrigojë. Një Shqipëri e pavarur plotësisht do të inaugurojë  një epokë të re në Ballkan, duke u zhvilluar normalisht dhe duke fituar prosperitetin për të cilin ajo ka të drejtë legjitime”. Me kthimin në Athinë, Williams u takua përsëri me krye-ministrin grek, të cilit i deklaroi se po të mos i jepej fund tragjedisë komike të Epirit, me cilësinë e ministrit fuqiplotë amerikan, do të dilte para tërë botës, që t’i shpallte publikisht barbaritë e çetave greke. Venizellosi dhe kancelaritë evropiane të lidhura në aleancën “Antanta”, revoltohen nga kritikat e tij dhe protestojnë pranë Departamentit të Shtetit Amerikan. Ky i fundit, i ndodhur para kësaj ndërhyrjeje, porosit kryediplomatin në Athinë të mos ” interferojë ” në çështje “delikate” të Ballkanit, dhe të mos ndërhyje në çështjet e brendshme të Greqisë, pa miratimin e Washingtonit. Por, G.F..Williamsi, i vendosur të luftonte me ngulm   për të drejtat e shqiptarëve, nga fundi i qershorit dha dorëheqjen e ” detyruar “. Për kundër peshë, pikërisht në atë kohë, shkroi një artikull në “Daily Tele-graph “, ku, duke motivonte largimin e tij, shkruante se ” ishte një detyrë njerëzore për të shqyer maskën që mbulonte diplomacinë evropiane dhe të ekspozohej fytyra e saj e mbuluar me gjakun e patriotëve shqiptarë si edhe shikimi i saj i dobët për të parë dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë. U ktheva në Athinë edhe pasi isha i detyruar, e tregova këtë padrejtësi e mungesë humanizmi të Fuqive të Mëdha, dhashë dorëheqjen si ministër i SHBA në Athinë e Cetinje, nga që isha i detyruar që të bëja këtë gjest patjetër.”. U largua nga detyra e ambasadorit, por nuk e ndërpreu asnjë çast aktivitetin ne ndihme te shqiptareve.
Manifesti “The shqypëtarët”
Më 23 korrik 1914, gazeta “Daily Telegraph” botoi “Manifesti”-n, e ish-ambasadorit G. Williams “përmbi punërat e Shqipërisë”, me anën e së cilit goditi ashpër Zografon. Sakaq, “Manifesti” i G.Williamsit u botua në katër numra të revistës ” Harper’s Weckly “,me titullin “The shqypëtarët”. Artikujt e G.F.Williamsit të shkruara  në revistën ” Haper’s Weckley “, tërhoqën interesin e piktorit të njohur amerikan William Williard Howard dhe gazetarit B.Peele Willett, të cilët në verën e vitit 1914 mbërrijnë në Shqipërinë jugore. Barbaritë greke që ata i panë me sytë e tyre, i pasqyruan me piktura, skica, artikuj në gazetën ” The Cristian Work ”  Më 1915, “Manifesti” i G.Williamsit u ribotua  në revistën ” Albania ” të Faik Konicës, në Bruksel. Jehona e këtyre artikujve ishte e menjëhershme. Mesazhet e tyre u bënë objekt i mjaft tubimeve në SHBA, ku krahas shumë personaliteteve amerikanë, si Asa French, Pineas dhe Violete Kennedi, Telford Erickson, gjeneralët Hurton dhe De Laney, baroni Redlich, morën pjesë dhe shqiptaret e Amerikës; Fan Noli, Sevasti e Parashqevi Qiriazi, Kristo Dako etj. Protagonisti kryesor i këtyre tubimeve ishte  G.F.Williamsi dhe Federata ” Vatra”. Me miqtë amerikanë të Shqipërisë, G.F.Williamsi, në fillim të vitit 1916, grumbulloi ushqime, veshje e këpucë në ndihmë të refugjatëve shqiptarë dhe me një vapor të marrë me qira i nisën për në Vlorë. Në vitet e mëpastajme veprimtaria e Williamsit u përqendrua në organizimin e miqve të Shqipërisë, për të ndikuar në zgjidhjen e problemeve shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris. Për të arritur këtij qëllimi, ato çka kishte shkruar për shqiptarët dhe hallet e tyre, i përmblodhi dhe i botoi në vitin 1919, në trajtën e një libri të titulluar sërish “The Shkypëtarët” të përbërë nga pesë kapituj. Në kapitullin e parë ai shtjellonte prejardhjen, zakonet dhe doket e shqiptarëve. Në kapitullin e dytë të titulluar “Ngatërresat e Fuqive të Mëdha ” demaskon veprën e diplomacisë evropiane në dem te shqiptareve. Midis të tjerash, Williamsi shkruante : ” …shqiptarët nuk kanë vetëm të drejtën e tyre për t’i kërkuar Evropës drejtësi, por t’i kërkojnë asaj edhe dëmshpërblim. Evropa e krishterë është e përgjegjshme për robërinë dhe varfërinë e popullit shqiptar “. Në kapitullin e tretë trajtohet ” Rënia e Qeverisë së Wieddit “, ku përshkruhen ngjarjet e kryengritjes turkomane të Haxhi Qamilit, ngatërresat në Durrës shkaktuar nga KNK-ja dhe Esat Toptani dhe masat për shpëtim nga padrejtësitë. Në kapitullin e katërt shtjellohen luftërat shekullore të shqiptarëve për liri. Kapitulli i fundit dhe më interesanti titullohej, ” Çfarë mund të bëjnë SHBA-të për Shqipërinë?”. Duke trajtuar raportet SHBA-Shqipëri, Williamsi shkruan: “SHBA-së i bije për detyrë t’i rrethojë shqiptarët, me një dashuri njerëzore që ata nuk e kanë njohur deri më sot, sepse ata kanë në të njëjtën kohë elementet e forcës, burrërinë, kurajon dhe  njëkohësisht devotshmërinë e tyre të ndërgjegjshme, të ligjshme, por  edhe të butë “.
Libri i G.F.Williamsit, përvec asistencës të këshilltarëve Will Monroe, Charles R.Crane, Herman Berstein dhe Telford Erickson, të Delegacionit Amerikan në Konferencën e Paqes në Paris, u bë një dokument bazë ne trajtimin e çështjes shqiptare. Përpjekjet e delegacionit amerikan u kurorëzuan me sukses dhe populli shqiptar fitoi atë çka po gëzon edhe sot. Asokohe, G.F.Williamsi tërhiqte vëmendjen: “Shpresat dhe sytë e të gjithë botës janë drejtuar drejt paqes, në bazë të së cilës duhet të krijohet një vëllazërim dhe kooperim intim i frymëzuar nga ndjenjat njerëzore, e jo të forcës .-Kjo paqe do t’i njohë çdo race e çdo kombi të drejtën e vetëvendosjes dhe të ekzistencës”. G.F.Williamsi mbeti i lidhur shpirtërisht deri në fund me Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai mori pjesë në të gjitha veprimtaritë, mbledhjet, festimet me rastin e 28 Nëntorit, që organizonin shqiptarët e Amerikës. Pikerisht per keto kontribute Mbreti Zog në fillim të vitit 1932 e dekoroi me titullin e lartë “Kumandar i Urdhërit të Skandërbegut”.

 

Prof.dr. Uran ASLLANI

© Panorama.al

Te lidhura