
“Nuk e kam menduar këtë që ndodhi. Ndoshta për vetë dorasin, Prelë Pjetrushin, edhe më ka shkuar mendja se Miri mund ta vriste, por për dy vëllezërit e tij nuk e mendoja”.I kontaktuar me telefon nga burgu i Shënkollit në Lezhë, Genc Tafili, vëllai i vrasësit të dyfishtë, Admir Tafili, në një farë mënyre e ka kundërshtuar vdekjen e tyre. Megjithatë, ai vazhdon të këmbëngulë se gjithçka ka qenë e planifikuar, që me vrasjen e drejtorit të Policisë, Arben Zylyftari. Genc Tafili pati dalë në tetor të vitit 2010 me leje nga burgu i Shënkollit bashkë me të vëllanë, por ky i fundit u arratis nga banesa, ndërsa tjetri u rikthye në qeli. Pavarësisht ngjarjes, Genc Tafili e justifikon me atë që ka përjetuar familja e tyre e në mënyrë të veçantë Admiri. “Miri ka pësuar një tronditje të madhe nga ajo që kemi hequr si familje. Ka vajzë e djalë të sëmurë prej ngjarjes së vitit 2000, pasi ata kanë qenë prezent në shtëpi si ditën kur na u vra baba dhe drejtori i Policisë, por edhe me kërcënimet dhe ngjarjet e mëvonshme. Ne vazhdimisht kemi kërkuar drejtësi, por askush nuk na e ka vënë veshin e nuk e kemi gjetur askund. Është dashur që të vërë dorë vetë shteti që të zbardhej e vërteta e 2 gushtit 2000. Na ka masakruar familjen. Vetëm ne nxirremi fajtorë e jo Prela, i cili i ka vendosur minën Mir

Tafilit, ka vrarë babën tim Bahri Tafilin dhe Arben Zylyftarin. Nuk ka shtet, as nuk ka drejtësi. Në këtë vend ka mbaruar gjithçka”.
Vëllai i personit që ekzekutoi qetësisht dy vëllezërit, Nikë dhe Gjovalin Pjetrushi, mëngjesin e së premtes, thotë se fëmijët e tij dhe të Admir Tafilit janë në rrezik. “Ka policë që qëndrojnë te shtëpia, por ata më shumë po i frikësojnë, pasi u thonë: ‘Ikni se ata janë të këqij, do t’ju vrasin e do t’ju masakrojnë’”. I burgosuri ndalet sërish te zanafilla e krimeve në kohën kur u vra Arben Zylyftari. “Shteti asnjëherë nuk u mundua të zbardhte ngjarjen që na shkatërroi. Si u vra Zylyftari? Pse u soll ai në operacionin për kapjen e babait tim kur ky lëvizte çdo ditë nëpër qytet, në peshkim ku kishte biznesin dhe mund të kapej kurdo? Gjithçka ishte kurth për të vrarë Arben Zylyftarin. Ai më ka vrarë babën të dorëzuar dhe desh të më vriste dhe mua për të humbur gjurmët. Nuk kam shpresë te ky shtet. Ndoshta duhen të tjera viktima, këtë herë nga pala jonë, që shteti të vërë mend”. Këto kanë qenë fjalët e Genc Tafilit, i cili edhe një herë i bën apel shtetit që jo vetëm të rifillojë hetimet nga e para mbi ngjarjen e 2 gushtit të vitit 2000, por të zbardhet e vërteta, sipas tij, mbi vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit.
Hakmarrje për babanë, Tafili: Unë i vrava dy vëllezërit Pjetrushi
TIRANE – Në një dëshmi që ka zgjatur më tepër se dy orë në ambientet e Policisë së Tiranës, Admir Tafili ka pranuar autorësinë e vrasjes së dy vëllezërve Pjetrushi, në atentatin e ndodhur mëngjesin e të premtes në Shkodër. Pak orë pas arrestimit në periferi të Tiranës nga forcat speciale RENEA, i arratisuri prej pesë muajsh, Admir Tafili, është marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku po mbahet nën masa të rrepta sigurie. Admir Tafili, sipas policisë, ka pranuar se ditën e premte ka vrarë për hakmarrje dy vëllezërit Pjetrushi. Gjatë dëshmisë në polici ai ka thënë se atentatin ndaj dy vëllezërve e ka kryer për t’u hakmarrë për vrasjen e të atit, Bahri Tafili. Në lidhje me vrasjen e babait të tij, Admir Tafili ka thënë se akuzon ish-shefin e Krimeve të Shkodrës e Malësisë së Madhe, Prelë Pjetrushi, vëllai i dy viktimave të vrasjes së ndodhur në Shkodër të premten. “Kisha një javë që i ruaja, i kam pritur në një makinë tip ‘Fiat Uno’, afër banesës së tyre, në krahun e varrezave”, ka sqaruar Admir Tafili gjatë dëshmisë në polici. Hetuesit thanë se gjatë deklarimeve, i shumëkërkuari prej pesë muajsh ka qenë krejtësisht i qetë. Edhe pse është pyetur vazhdimisht nga policia për vendqëndrimet e tij gjatë pesë muajve në arrati, Admir Tafili ka refuzuar të japë deklarime. Ai ka thënë se pranon vrasjen e dy vëllezërve Pjetrushi në Shkodër, pasi i kishin hak, ndërsa më tej ka preferuar të mos japë shpjegime. “Unë i kam vrarë të dy vëllezërit Pjetrushi për të marrë gjakun e babait tim të vrarë nga vëllai i tyre. Kisha informacion ku dhe kur e pinin kafenë”, ka thënë i arratisuri nga burgu i Shën Kollit prej pesë muajsh. Në deklarimet e tij në polici, Tafili ka shpjeguar se ka ardhur nga Shkodra në Tiranë me makinën e përdorur në vrasje, “Fiat Punto”. Ai ka shpjeguar edhe vendin ku e kishte lënë makinën, fare pranë lokalit ku u arrestua në periferi të Tiranës. Tafili ka shpjeguar më tej se pasi ka vrarë dy vëllezërit Pjetrushi, armën e krimit e ka hedhur në lumë, duke shpjeguar qartë edhe zonën ku e kishte kryer këtë veprim. Admir Tafili u arrestua të premten në mbrëmje në periferi të Tiranës. Ai ra në pranga fare pranë repartit të forcave speciale RENEA. Pas arrestimit, atij iu gjet një pistoletë dhe katër krehra me fishekë me vete, si dhe pesë telefona celularë me numra malazezë dhe shqiptarë. Me të arrestuar të kërkuarin, forcat speciale e dërguan atë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku mbahet nën masa të forta sigurie.
Shkodër, ish-shefi në varrimin e vëllezërve
Në familjen Pjetrushi, në fshatin Grudë e Re, është hapur morti sipas zakoneve të malësisë. Gratë e fisit vajtojnë të vdekurit, ndërkohë që ceremonia mortore është shtyrë për dy ditë, me qëllim që të mblidhen edhe dy djemtë e tjerë të shtëpisë që ndodhen në emigracion. Ditën e sotme pritet që të mbërrijë nga Amerika edhe Prelë Pjetrushi, emri i të cilit është lakuar shumë jo vetëm gjatë këtyre dy ditëve të vrasjes së vëllezërve, por edhe 6 muaj më parë, kur u arratis nga shtëpia Admir Tafili. Marash Pjetrushi, babai i djemve të vrarë, qëndron në krye të odës, në pritje të miqve që vijnë për kryeshëndoshë dhe mundohet të përmbajë lotët e dhimbjes. Të lodhur nga ajo që u ka ndodhur, por edhe për të përmbajtur veten nga ndonjë fjalë e pavend.
Burrat, të mbledhur në shtëpinë e Pjetrushëve, nuk pranojnë të flasin mbi atë se çfarë u ka ndodhur dhe si mendojnë ata se do të shkojë kjo punë. Mbase zakoni e do që të mblidhen njëherë të gjithë burrat e shtëpisë, t’i varrosin të vdekurit dhe më pas ta pleqërojnë se çfarë qëndrimi do të mbajnë. Ndërkohë që nën zë, persona të fshatit pohojnë se fisi i Pjetrushëve asnjëherë nuk i ka pranuar akuzat që u janë bërë nga familja Tafili. Madje edhe dy viktimat nuk janë fshehur, por ata kanë dalë të lirë, madje kanë qenë të punësuar në Shkodër dhe kanë shkuar e ardhur përditë. Sipas tyre, edhe ditën e vrasjes ata kanë dalë si zakonisht për punët e përditshme, pa e menduar të keqen.
Dy vëllezërit e Prelë Pjetrushit, Nikë dhe Gjovalin Pjetrushi, 31 dhe 25 vjeç, u vranë rreth 500 metra larg shtëpisë së tyre, në fshatin Grudë e Re, teksa po dilnin për në punë në Shkodër, si zakonisht, pa munduar se në kthesën e fshatit atyre u kishte ngritur pritë Admir Tafili.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











