Me gjithë vendosjen e ndalim-fluturimit dhe ndërhyrjes së vazhdueshme të forcave të koalicionit, Muamar Gedafi nuk është trembur aspak, por po vazhdon sistematikisht sulmet ndaj rebelëve.Mbrëmjen e së dielës, Gedafi shpalli një armëpushim të dytë, i cili duket se nuk ka arritur nga Tripoli në veshin e luftëtarëve të paguar prej tij në Lindje të vendit. Ka raportime të vazhdueshme se në qytetet lindore, por jo vetëm, po bëhet kasaphanë me civilë nga forcat e Gedafit. Sipas televizionit arab “Al Jazeera”, qyteti i Zintanit në Libinë perëndimore është bombarduar për orë të tëra. Edhe qyteti i Misratës, pika e fortë e rebelëve, po sulmohet. Sipas dëshmitarëve, nëntë njerëz kanë humbur jetën nga forcat e Gedafit, të cilat kanë prerë ujin, burimet e karburantit dhe energjinë në këtë qytet. Ata po marrin edhe civilë për t’i përdorur si mburoja, sipas raportimeve. Agjencia “Reuters” ka shkruar se forcat besnike të liderit libian kanë qëlluar në një turmë me njerëz të paarmatosur në qendër të qytetit të zotëruar nga rebelët. “Banorët e Misratës kanë dalë në rrugët dhe në sheshin qendror të qytetit të paarmatosur, në një përpjekje për të ndaluar forcat e Gedafit të hynin në qytet. Kur ata u mblodhën në qendër, forcat e Gedafit nisën të qëllonin me artileri dhe pushkë. Ata kanë bërë masakër. Sipas mjekëve në spital, të paktën nëntë persona kanë humbur jetën”, ka thënë për Reuters, në një bisedë telefonike, një nga banorët e këtij qyteti, Sadoun. Raportimi nuk mund të verifikohej nga korrespondentët, pasi autoritetet libiane nuk i kanë lejuar reporterët të afrohen në Misrata. Sipas një tjetër rrëfimi për “Reuters”, forcat e Gedafit po mblidhnin civilë nga fshatrat afër qytetit Misrata, për t’i përdorur ata si mburojë njerëzore.
Ndërkohë, në zona të tjera të vendit, ku bombardimet perëndimore ndaj qendrave mbrojtëse të Gedafit kanë qenë me efektive, u kanë dhënë avantazh rebelëve që të rimarrin sërish territoret e humbura gjatë dhjetë ditëve të fundit për shkak të ndërhyrjes masive të forcave të kolonelit libian. Rebelët i kanë zhvendosur 100 km larg Benghazit besnikët e Gedafit dhe i kanë sulmuar pozicionet e tyre. Por mediat perëndimore kanë raportuar se më pas ata janë tërhequr.
Pse abstenoi Rusia për Libinë?
Medvedev, kundër Putinit
Kryeministri rus, Vladimir Putin, e ka kritikuar ndërhyrjen e Perëndimit në Libi, duke e krahasuar Rezolutën Kombeve të Bashkuara për autorizimin e ndërhyrjes ushtarake si “thirrje mesjetare për kryqëzata”. Gjuha që ka përdorur Putini është shumë e ngjashme me atë të liderit libian Muamar Gedaf, i cili tha se vendi i tij po sulmohej nga “terroristë” që po provokonin “kryqëzata të reja”. “Rezoluta është me defekte dhe të meta”, tha Vladimir Putin duke shtuar: “Ajo lejon çdo gjë. Ngjan me një thirrje mesjetare për kryqëzata”. Rusia ishte një nga pesë vendet e Këshillit të Sigurimit që abstenoi për Rezolutën e Libisë, së bashku me Kinën, Gjermaninë, Brazilin dhe Indinë. Sipas disa burimeve nga shërbimet sekrete për “The Guardian”, Rusia ka një kontratë armësh me Libinë prej 4 miliardë dollarësh dhe një tjetër 2 miliardë dollarëshe në pritje. Sidoqoftë, presidenti rus, Dimitri Medvedev,
i ka kritikuar deklaratat e Putinit, duke e quajtur ndërhyrjen e OKB-së korrekte.











