Në një fjalim televiziv, kreu i regjimit libian, Muammar Gaddafi ka akuzuar se rebelet që luftojnë kundër tij janë të huaj, që mbështeten nga Al Kaeda dhe Perëndimi. Geddafi theksoi se atyre u kanë dhënë pilula, para dhe armë që të luftojnë kundër tij.
Geddafi shtoi se njerëzit e tij do të marrin armët dhe do të luftojnë kundër ndërhyrjes perëndimore, nëse një bllokadë fluturimesh do të vendoset mbi territorin e vendit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se do të bisedojnë mundësinë e bllokadës ajrore brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Pas kërcënimeve të presidentit amerikan, Barak Obama, se Perëndimi po merr parasysh çdo mundësi kundër dhunës së Muammar Geddafi-t, përfshirë edhe një ndërhyrje të mundshme ushtarake me anë të NATO-s, Libia ka dërguar emisarët e saj për të biseduar me zyrtarë të BE-së në Bruksel, ndërsa zv/ministri libian i Mbrojtjes ka mbërritur në Kajro. Delegacioni i dërguar në Bruksel pritet që të takohet edhe me përfaqësues të NATO-s gjatë ditëve në vijim. Sot BE-ja pritet të mbajë një takim të jashtëzakonshëm mbi dhunën në Libi. Po ashtu, edhe ministrat e Mbrojtjes nga 28 vendet anëtare të NATO-s do të mblidhen në Bruksel për të vlerësuar opsionet mbi vendosjen e një zone ndalim-fluturimi në Libi. Tre avionë privatë që i përkisnin liderit libian Muammar Geddafi u nisën mëngjesin e djeshëm nga Tripoli. Në një prej tyre udhëtonte Abdelrahman al-Zavi, zv/ministri i Mbrojtjes, i cili shkoi në Kajro për t’i dhënë Amr Moussa, kreut të Ligës Arabe, një mesazh nga Geddafi.











