Muammar Geddafi ka sulmuar me bombardime të ashpra zonat e zotëruara nga rebelët, duke shënuar një fitore në qytetin e rëndësishëm për burimin e naftës, Ras Lanuf. Protestuesit e opozitës, të cilët deri në një moment kishin në zotërim këtë qytet, janë larguar të çorientuar pas një fushatë tejet agresive të forcave besnike të Geddafi-t. Rebelët janë tërhequr drejt lindjes. Besnikët e liderit libian kanë goditur me mortaja dhe raketa, por njëkohësisht kanë vazhduar edhe bombardimet nga ajri.
Sipas njoftimeve të televizionit shtetëror libian, forcat e Gaddafi-t kanë spastruar rebelët edhe nga qyteti-port Sidra, pranë Ras Lanufit. Korrespondentë të BBC-së kanë njoftuar se dje janë zhvilluar edhe luftime të ashpra për marrjen e qytetit Zawiaya, qyteti i tretë më i madh në vend. Ende qyteti nuk është në duart e forcave të Geddafi-t, por me diferencën e madhe në numër dhe në armatime, nuk dihet qartë se sa mund të rezistojnë protestuesit në mbrojtjen e tij. Ndërkohë, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së për çështjen e Libisë, ku u kërkua një përgjigje diplomatike më e ashpër ndaj represionit të Geddafi-t, edhe takimi i ministrave të Mbrojtjes së NATO-s rezultoi me vendime të rëndësishme. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se çdo ndërhyrje e Aleancës në Libi duhet të jetë e bazuar në nevojën e pashmangshme për të vepruar. Ai tha se aleanca do të veprojë vetëm pas miratimit të një rezolute në lidhje me këtë krizë në Libi dhe përcaktoi edhe tri kushtet bazë, pa formimin e të cilave NATO nuk do të ndërhyjë në Libi. “Çdo operacion i ndërmarrë duhet të respektojë tri parime kryesore: nevojën e bazuar në fakte për veprimin e NATO-s, bazën e qartë ligjore dhe mbështetjen e fortë rajonale”, tha Rasmusen. Ndërkohë, ministrat e Mbrojtjes të 28 vendeve anëtare të NATO-s diskutuan edhe mbi zonën e ndalim-fluturimit. Edhe pse Rusia respektoi sanksionet për furnizimin me armë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se ndërhyrja ushtarake në Libi do të ishte e papranueshme dhe se diskutimet për zonën e ndalim-fluturimit janë të parakohshme.











