Gedafi avancon drejt fitores, tërhiqen rivalët

Mar 15, 2011 | 11:29

Forcat besnike të Muammar Gedafit kanë nisur sulmet në Ajdabiya, një qytet i rëndësishëm i rebelëve, ndërsa fuqitë e mëdha po zhvillojnë bisedime mbi krizën. “Forcat e Gedafit po marshojnë për të pastruar vendin”, tha kolonel Milad Husein. Përleshje mes tyre dhe rebelëve ka pasur edhe në qytetin perëndimor, Zuvarah. Ndërkohë, Libia u ka kërkuar firmave të huaja të rimarrin eksportin e naftës prej saj, duke deklaruar se portet janë të sigurta. Gedafi ka ftuar firmat kineze, ruse dhe indiane të prodhojnë naftë në vendin e tij, për të zëvendësuar kompanitë perëndimore që janë larguar gjatë trazirave. Në Paris po zhvillohet takimi i tetë fuqive për të qëndruar në një linjë të përbashkët mbi mundësinë e ndërhyrjes për të rrëzuar avionët luftarakë libianë, që po sulmojnë rebelët. Turqia sërish ka shprehur qëndrimin e saj kundër një ndërhyrjeje të NATO-s në Libi, duke paralajmëruar pasoja të rrezikshme. Në Nju Jork, 15 vendet e Këshillit të Sigurimit janë mbledhur për Libinë, ndërsa Franca kërkon mbështetjen për thirrjen e Ligës Arabe, që në Libi të vendoset ndalim-fluturimi. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ka nisur një turne në Europë dhe Lindjen e Mesme duke u fokusuar mbi diplomacinë për trazirat në Libi. Ndërkohë, grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë dënuar vrasjet në Libi, duke u fokusuar në vrasjen e një kameramani të TV Al-Jazeera. Ata kanë paralajmëruar se në Libi ka nisur një fushatë që sulmon gazetarët. Mjekët në vendin afrikano-verior kanë konfirmuar se rebelëve të kapur e të plagosur iu është ndaluar ndihma mjekësore.

© Panorama.al

Te lidhura