Gazetari i New York Times hodhi poshtë akuzat e Berishës për artikullin e sponsorizuar nga Rama! Reagon kreu i PD: Ishte keqkuptim, ma servirën si të paguar

Feb 21, 2025 | 13:03

Kryetari i PD-së, Sali Berisha reagon pas deklaratës së gazetarit të New York Times Kenneth P. Vogel, i cili përmes një postimi në “X” hodhi poshtë akuzat e Berishës, se Rama kishte paguar 150 mijë euro për një artikull ku përmendej kontraktimi i Chris LaCivita si drejtues i fushatës elektorale të PD.

“Sali Berisha, lideri i opozitës shqiptare, duket se po akuzon kryeministrin shqiptar Edi Rama se më pagoi mua (ose @nytimes) 150 mijë euro për të shkruar një artikull mbi punësimin e Chris LaCivita nga partia e Berishës. Akuza e tij është e rreme”, tha gazetari.

Screenshot_13

Lidhur më këtë Berisha tha në konferencën që mbajti sot me gazetarët, se ishte një keqkuptim, duke thënë se atij iu servir artikulli si i sponsorizuar. Ai tha se i beson gazetarit, duke u tërhequr në këtë mënyrë nga pretendimet e tij për artikull të paguar.

Berisha: Ka qenë një keqkuptim i Sali Berishës. Më servirën se ishte një artikull i sponsorizuar. Autori tha se nuk është i sponsorizuar. Dhe unë i besoj gazetarit. Sepse çdo gazetë e madhe shet një hapësirë në të cilën ti mund të shkruash çfarë të duash përkundrejt pagesës. Nuk ka lidhje me redaksitë, nuk ka lidhje me qëndrimet e redaksisë. Janë shumë të kushtueshme si hapësirë. Autori thotë nuk ka qenë e tillë, unë i besoj plotësisht atij…

Sali Berisha, the Albanian opposition leader, seems to be accusing Albanian Prime Minister Edi Rama of paying me (or the @nytimes) €150k to write a story about Berisha’s party hiring @ChrisLaCivita. Berisha’s accusation is false. https://t.co/0hxTPy7DIW — Kenneth P. Vogel (@kenvogel) February 20, 2025

Çfarë tha kreu i PD-së një ditë më parë për artikullin e sponsorizuar në New York Times

Berisha: Dy ditë më parë ai pagoi, vetë apo nëpërmjet të tjerëve, 150 mijë a sa mund të ketë kushtuar ajo hapësira në Nju Jork Tajms kundër meje. Iu kthye në bumerang. Se dje, njëri nga dy kryestrategët e rikthimit më madhështor, më të jashtëzakonshëm në histori, rikthimit të Donald Trump, i deklaronte Nju Jork Tajmsit se në Shqipëri kam shkuar të vazhdoj punën e Donald Trump për të bërë Shqipërinë të madhe përsëri. Dhe se, Edi Rama është thjesht një kukull e Xhorxh Sorosit dhe se akuzat ndaj Sali Berishës janë mirëfilltas politike. Karma është ashtu siç e do ai vetë. Se një ditë para, artikull i sponsorizuar thoshte. Ky tjetri nuk ishte artikull i sponsorizuar, ky tjetri ishte artikulli i të vërtetave dhe i doli.

© Panorama.al

Te lidhura