Gati strehimi i romëve të dëbuar

Mar 19, 2011 | 10:29

Brenda ditës së hënë, Ministria e Punës do të ketë  gati godinat ku do të strehohen 45 familjet rome.Ato u dëbuan nga vendbanimi i tyre pranë stacionit të trenit pak javë më parë. Pasi qeverisë shqiptarë iu tërhoq vëmendja edhe nga SHBA-ja e BE-ja për hetimin e kësaj ngjarjeje,dje u thirr mbledhja e dytë e emergjencës. Në Ministrinë e Punës përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe donatorët diskutuan për ndihmën që do t’i jepet këtij komuniteti.
Në këtë takim u prezantua një vlerësim i situatës në të cilat gjenden 45 familjet rome sot, pas dëbimit nga vendbanimet e tyre. “Problemet me të cilat hasen familjet rome janë strehimi, kushtet higjeno-sanitare, situata shëndetësore, nevoja për ushqime dhe veshmbathje si dhe gjendja arsimore e fëmijëve”, bënë me dije përfaqësuesit e Ministrisë së Punës. Sipas tyre, nëntëmbëdhjetë familje janë rikthyer në Elbasan dhe po asistohen me ushqime dhe veshmbathje nga organizatat që veprojnë në këtë rajon.
“Ditën e hënë do të identifikohen godinat e mundshme, për të përcaktuar në bashkëpunim me familjet rome godinën e cila do të kthehet në banesë për ta, për të zgjidhur çështjen e strehimit të përhershëm. Pas përcaktimit të godinës, institucionet do të marrin masa të menjëhershme dhe do të fillojnë procedurat për përshtatjen e godinës në banesë”,sqaruan specialistët e Ministrisë. Ndërkaq, po merren masa, që në  bashkëpunim me institucionet e tjera, të sigurohet në një kohë të shkurtër ndihma social-ekonomike nga ana e shtetit për këto familje. U diskutua gjithashtu edhe ndjekja e arsimit të detyruar nga fëmijët e familjeve rome të shpërngulura, pavarësisht vendndodhjes së tyre aktuale. “Do të udhëzohen drejtoritë e shkollave që ndodhen pranë vendqëndrimeve aktuale të këtyre familjeve, që t’i mirëpresin menjëherë në shkollë fëmijët, pa u krijuar asnjë pengesë”, thanë përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit. Donatorët pjesëmarrës shprehën gadishmërinë për të ndihmuar familjet rome në akordimin e ndihmës emergjente, aksion që do të koordinohet nga Sekretariati Teknik për romët, pranë Ministrisë së Punës. Në takim u vendos gjithashtu, të hartohet një plan veprimi i institucioneve shtetërore në bashkëpunim me shoqërinë civile, i cili do të ndihmojë për të bashkërenduar punën për të ndihmuar familjet rome në vazhdimësi.

“Autorët e dhunës para drejtësisë”

Autorët e shpërnguljes me dhunë të romëve nga vendbanimet e tyre janë identifikuar. Ata do të vihen përpara drejtësisë. Kryeministri Berisha ia ka konfirmuar këtë fakt kreut të shoqatës së këtij komuniteti, së bashku me premtimin për gjetjen e një vendstrehimi të ri. “Policia e Shtetit i ka identifikuar dhe i ka ndalur ata. Jam i bindur se drejtësia do të thotë fjalën e saj, sikundër i kam dhënë porosi Ministrisë së Punëve Publike dhe Entit Kombëtar të Banesave, që familjet që ishin aty dhe kanë humbur strehimet e tyre të sistemohen, të strehohen në kushte normale”, tha Kryeministri. Përfaqësuesi i komunitetit rom, Ardian Nuredini, tha se në atë zonë banonin prej 11 vitesh dhe asnjëherë nuk kishin pasur probleme të tilla.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura