Garda padit kompaninë e të arrestuarit për naftën “virgine”

Mar 18, 2011 | 10:09

TIRANE – Të tjera telashe për biznesmenin Hajri Elezaj, administratorin e “Euroil” sh.a., një nga të arrestuarit e së premtes së kaluar për llogari të hetimit të kontrabandës me naftën “virgine”. Në të njëjtën ditë që Policia e Shtetit ekzekutoi urdhërarrestet për 12 persona të dyshuar për kontrabandën, mes të tjerëve edhe Hajri Elezaj, shoqëria e tij “Euroil” sh.a. u padit në Gjykatë nga Garda e Republikës. Referuar padisë, shoqëria e naftës nuk kishte përmbushur një detyrim kontraktor ndaj Gardës. Sipas një marrëveshjeje të mëparshme, “Euroil” sh.a. duhet të vinte në dispozicion rreth 15 mijë litra naftë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Gjykatës së kryeqytetit. Sipas burimeve, padia në fjalë është regjistruar në 11 mars 2011 në Gjykatë dhe çështja mban numrin 8064. Palë paditëse në këtë kërkesë-padi është Garda e Republikës së Shqipërisë, ndërsa palë e paditur është “Euroil” sh.a. “Detyrimin e palës së paditur për të përmbushur detyrimin kontraktor, dorëzimin për llogari të Gardës së Republikës, sasinë prej 15 050 litrash karburant”, thuhej në kërkesë-padinë e depozituar pak ditë më parë në Gjykatë. Pas hedhjes së çështjes në short, si toga e zezë që do të shqyrtojë atë, është përzgjedhur gjyqtari Agim Bendo. Ndërkohë, ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë të shqyrtimit të kësaj çështjeje. Sipas Prokurorisë së Tiranës, “Euroil” sh.a. rezultonte e përfshirë në skandalin me naftën “virgine”. Referuar hetimit, eksporti fals i naftës “virgine” bëhej nëpërmjet “Euroil” sh.a. Nafta e papërpunuar “virgine” nuk eksportohej në të vërtetë, por përmes depozitat që janë pronë e shoqërive “Euroil” sh.a. dhe “Fisheku” sh.a., me qëllim shitjen e saj në tregun e brendshëm si karburant. ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura