“Fushata” e vlerësimeve negative ndaj bizneseve, avokati: Ku ishte shteti kur u shemb ‘Prestige Resort’? Veprimi u krye në shkelje të ligjit

Jul 12, 2026 | 14:09

Avokati Gylsen Zhllima deklaroi se imazhi i Shqipërisë nuk dëmtohet nga komentet apo reagimet e qytetarëve në rrjetet sociale, por nga mënyra se si shteti ka vepruar në disa çështje të caktuara, duke përmendur edhe vendimin për shembjen me tritol të “Prestige Resort”.

vokati

I ftuar në emisionin “News24 Fundjavë”, Zhllima tha se problematika kryesore nuk lidhet me vlerësimet negative që qytetarët u kanë lënë bizneseve që, sipas protestuesve, janë të afërt me qeverinë, por me veprimet e institucioneve shtetërore.

Duke sjellë si shembull shembjen e “Prestige Resort”, ai tha: “Ku ishte shteti kur u shemb ‘Prestige Resort’? Veprimi u krye me ndihmën e policisë me maska, pa autorizim dhe në shkelje të ligjit. A nuk duhej të dilte një prokuror dhe të pyeste se përse po ndodhte kjo?”

Avokati përmendi edhe ndërhyrjet në zonën e 5 Majit, duke argumentuar se mënyra e trajtimit të qytetarëve nga autoritetet krijon pasiguri dhe dëmton besimin e investitorëve të huaj.

“A është prishje e tregut imobiliar mënyra e arrestimit dhe marrja zvarrë e qytetarëve? Çfarë mesazhi i jepet një shtetasi të huaj kur sheh që në Shqipëri policia merr njerëzit zvarrë?”, u shpreh avokati.

Zhllima deklaroi se shteti ka dështuar vazhdimisht në garantimin e standardeve të duhura institucionale dhe akuzoi se institucionet janë ndikuar nga pushteti politik.

“Shteti është ndërtuar dhe kapur nga pushteti i Partisë Socialiste dhe Edi Ramës. Institucionet që nxjerrin raporte nuk punojnë për shtetin, por për pushtetin. Rastet e ‘5 Majit’ dhe ‘Prestige Resort’ tregojnë shumë”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura