Edi Rama e Lulzim Basha, ‘beteja’ në Facebook

Mar 31, 2011 | 10:02
Fushata e Bashës në Facebook, deri dje me 18 mijë fansa

Beteja e 8 majit për Bashkinë e Tiranës nuk do të përqendrohet vetëm në rrugët apo sheshet e kryeqytetit, por edhe në rrjetet sociale të internetit, të cilat frekuentohen masivisht, veçanërisht nga të rinjtë vitet e fundit.Njëri prej këtyre rrjeteve është “Facebook”, i cili është bërë ndër faqet më të klikuara brenda një kohe shumë të shkurtër. Që prej 16 marsit, pak ditë para shpalljes zyrtare të kandidaturës, në Facebook njoftohej krijimi i një faqeje të re, e cila identifikohej si “Lulzim Basha – Faqja Zyrtare”.
Fushata në Facebook
Detajet që e dallojnë këtë faqe nga ato të hapura nga persona të paautorizuar, janë fotografitë e hedhura në rrjet, aktivitetet e përditshme që zhvillon kandidati i Partisë Demokratike në lagjet e Tiranës. Si fotografi të faqes së parë Basha ka zgjedhur një dalje me një kostum të zi dhe një kravatë të zezë me viza të bardha. Albumi i parë është hedhur pikërisht ditën e krijimit të faqes. Në të të bie në sy menjëherë një fotografi me bashkëshorten Aurelën dhe vajzën e vogël, Dafinën, në një ambient familjar. Një tjetër foto e përzgjedhur për t’u hedhur në faqen zyrtare në Facebook është gjatë një bisede me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama. Gjithashtu, pjesë e këtij albumi të parë ishte edhe çasti i fiksuar në Aeroportin e Rinasit, gjatë pritjes së ish-Presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush. Stafi i kandidatit për kryetar bashkie ka përzgjedhur edhe fotografi të punës së Bashës si ministër i Brendshëm, teksa ka inspektuar sigurinë e kufijve apo edhe udhëtimin simbolik me një grup studentësh në ditën e parë të heqjes së regjimit të vizave për Shqipërinë. Gjatë ditëve të fundit faqja e kandidatit të Partisë Demokratike për kryeqytetin është pasuruar me një numër të madh fotografish të bëra në takimet që Basha po zhvillon në lagje të ndryshme të Tiranës. Por nuk janë vetëm nga takimet në rrugë fotografitë që përbëjnë albumet e hedhura në rrjetin social. Ish-koordinatori i Komitetit të Orientimit të Politikave gjatë këtyre ditëve ka gjetur kohë të ndjekë mes sportdashësve të thjeshtë ndeshjen e Kombëtares me Bjellorusinë në stadiumin “Qemal Stafa”. Në këtë takim, ish-ministri duket se nuk ka preferuar të ulet në pjesën “VIP” të tribunës së stadiumit, por pak metra më larg, ku mund të ulet secili prej sportdashësve. Siç shikohet edhe nga fotografitë, pasioni për futbollin ka bërë që Basha, gjatë takimeve në zonën e Alliasit, të hyjë në një nga fushat e vogla me bar artificial për të gjuajtur një penallti, e cila ka përfunduar në rrjetë. Aty mund të gjenden momente të fiksuara në një bilardo të kryeqytetit ku kandidati i PD-së është spektator i një loje mes dy qytetarëve, apo edhe foto të shumta me bashkëshorten dhe vajzën e tij para qindra njerëzve në momentin e prezantimit si kandidat. Në ditën e 14-të të hapjes së kësaj faqe në Facebook, numërohen 18 494 persona që kanë një adresë dhe që janë mbështetës të këtij profili. Në rubrikën e informacioneve të kësaj faqeje ka vetëm pak gjëra për të mësuar për Lulzim Bashën. Ish-ministri ka lindur më 12 qershor 1974. Ajo që mësohet nga profili në Facebook është që ai ka përfunduar shkollën e mesme në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet, në vitin 1992 dhe ka ndjekur studimet e larta në Universitetin e Utrehtit. Detaje të tjera të kësaj hapësire në internet janë fjalimi i Bashës në Pallatin e Sportit, ku ai u zyrtarizua si kandidat i koalicionit të djathtë për zgjedhjet e 8 majit, apo spoti elektoral “Fillon e ardhmja e Tiranës”.

“M’i shkruani në Facebook sugjerimet tuaja”

Kandidati i PD-së për Tiranën u ka kërkuar të rinjve që të komunikojnë me të përmes Facebook-ut për të gjitha sugjerimet që kanë lidhur me transformimin e kryeqytetit. “Unë ju premtoj se sapo të nis punën si kryebashkiak, do të filloj ndërtimin e Bibliotekës Universitare të Tiranës për të gjithë studentët, siç e kanë të gjitha kryeqytetet e tjera të Europës”, u shpreh Basha në takimin me studentët e Juridikut.

Basha: Përparësi punësimi i të rinjve

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, u takua me studentët e Juridikut, ku u premtoi politika të reja për punësimin e tyre. Basha u tha të rinjve se do të jetë mbartësi i shpresave të të rinjve për një Tiranë europiane. Janë të shumtë të rinjtë që diplomohen në kryeqytet, mirëpo perspektiva e tyre e punësimit nuk është aktualisht shumë e sigurt. Për këtë, Lulzim Basha tha se do të punojë që oferta për punësim të rritet. “Unë do të bëj gjithçka, do të krijoj të gjithë lehtësirat, në mënyrë që Tirana që kthehet në Parajsë për investitorët dhe kështu, mundësitë e punësimit të të rinjve të rriten”, iu drejtua Basha studentëve. Ndërkohë që ekipi i ardhshëm i Bashkisë do të krijojë që tani kontakte me tregun e punës, në mënyrë që periudha e pasdiplomimit të jetë sa më e shkurtër dhe specialistët e rinj të kenë mundësi ta ushtrojnë sa më shpejt profesionin e tyre. Kandidati demokrat pati takim edhe me banorët e Alliasit, ku u njoh me një rast tipik të keqmenaxhimit të Bashkisë. Në një zonë të Alliasit, një fushë ku luanin fëmijët ishte shndërruar në pallat shumëkatësh, ndërsa një kompleks sportive, i vetmi oazë për të rinjtë e zonës, kishte mbetur i cunguar, pasi Bashkia nuk jep leje për ndërtimin e pishinës.

Në stadium për Kombëtaren

Fakti që fushata nuk ka nisur ende intensivisht, pasi duhen edhe nëntë ditë nga hapja e saj zyrtarisht, e ka ndihmuar kandidatin demokrat për Bashkinë e kryeqytetit të shijojë disa orë relaksi. Pas takimeve të ditëve të para, Basha ka gjetur kohë për të ndjekur nga afër, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” ndeshjen e Kombëtares sonë me Bjellorusinë për eliminatoret e Kampionatit Europian. Siç shikohet edhe nga fotografia, Basha ka preferuar të qëndrojë në vendet e tribunës për qytetarët dhe disa metra larg zonës ku rrinë zakonisht personalitetet në të tilla raste. Në një rast goli Basha është ngritur edhe në këmbë, ndërkohë që nuk është përmbajtur kur Salihi ka shënuar golin e fitores për futbollistët kuqezinj.

PD: Interesi i vetëm i Ramës është lufta politike
Partia Demokratike ka reaguar dje ndaj akuzave të deputetit të PS-së, Eduard Shalsi. Kryesuesja e listës së PD-së për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku, tha në një konferencë për shtyp se alternativa e vetme e kreut të opozitës, Edi Rama, është lufta politike”. Sipas saj, “të gjithë në Tiranë tashmë e kanë kuptuar se Edi Rama vjen duarbosh para qytetarëve në zgjedhjet e 8 majit dhe ofron si alternativë vetëm konfliktin politik, përbaltjen dhe shpifjen ndaj kundërshtarit. Lulzim Basha është ndryshe. Sot, si çdo ditë, ai është në mes të qytetarëve duke i dëgjuar, duke ndarë me ta projektet për përmirësimin e jetës në Tiranës dhe për zgjidhjen e problemeve që ka qyteti dhe njerëzit e tij”.

 

Rama shpall sloganin në “Facebook”

Kreu i PS-së ka ndryshuar dje profilin e tij në internet. Deri dje e mbështesnin 11 237 fansa

Në përdorimin e rrjetit “Facebook” për fushatën elektorale nuk ka ngelur mbrapa as kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama.Kreu i opozitës e shpalli kandidaturën për një mandat të katërt vetëm pak ditë më parë dhe një nga veprimet e para që duket se ka bërë është komunikimi me përdoruesit të internetit përmes kësaj hapësire. Për të identifikuar që faqja “Edi Rama” është ajo zyrtare e liderit të PS-së, nuk është e vështirë. “Përshëndetje miq të Edi Ramës – Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe Kryetarit të Opozitës Shqiptare. Kjo është faqja e vetme zyrtare, e cila përfaqëson Edin. Që prej këtij momenti do ta mbyllim murin: mendimet dhe sugjerimet tuaja mund t’i ndani me ne nëpërmjet komenteve, ose në seksionin e diskutimeve, të cilin e gjeni në të majtë të faqes. Ftoni të gjithë miqtë tuaj”, thuhet në faqen e parë të kësaj hapësire.
Në ditën e parë të nisjes së fushatës elektorale, ku ka zhvilluar një takim në Njësinë Bashkiake Nr. 5, Rama ka hedhur në Facebook tri fotografi me bashkëshorten e tij, Linda Basha, të shkëputura nga vizita në ekspozitën e piktorit Edi Hila. Në mbrëmje u publikua edhe slogani i fushatës “e vetmja shpresë”. Nëse klikoni në këto fotografi mësoni se ato janë hedhur rreth orës 19:00 të ditës së djeshme. Në njërën prej tyre, në cep, duket edhe publicisti Ardian Klosi. Në të njëjtën orë Rama ka ndryshuar edhe fotografinë e profilit, ku fillimisht shfaqej në këmbë, me duar të kryqëzuara dhe me një kravatë me kuadrate, ndërsa në fotografinë e re është i ulur, me një kostum të zi dhe me një kravatë me lule. Në albumin fotografik Rama ka publikuar foto me kreun e qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, me presidentin e UEFA-s, Mishel Platini, teksa ka pozuar edhe pranë lumit të Lanës dhe poshtë Kullës së Sahatit. Në faqen e parë të Facebook-ut njoftohet se deri tani janë 11 237 personat që kanë një adresë në këtë rrjet dhe mbështesin liderin e opozitës.
CV e Ramës
Mirëmbajtësit e faqes së kreut të opozitës kanë hedhur në faqen e Facebook-ut një informacion të detajuar rreth aktivitetit politik të Ramës. “Një ndër themeluesit dhe pjesëmarrësit aktivë të Lëvizjes Demokratike të viteve 1990-1992, Edi Rama ka qenë një figurë me shumë peshë në jetën publike dhe politike shqiptare të viteve të tranzicionit. Ai është pa dyshim një ndër zërat më të talentuar të publicistikës shqiptare dhe ka po ashtu një karrierë të pasur artistike”, thuhet në faqen zyrtare të kreut të PS-së. Në të njëjtën kohë përmenden shtatë ekspozita me piktura të hapura nga Rama nga viti 1992-1997 në disa shtete të botës dhe çmimet e marra nga organizma ndërkombëtarë për punën në Bashkinë e Tiranës. Pas përballjeve në rrugë, sheshe, së fundi edhe në Facebook, ajo që ende nuk po duket në horizont në garën për Tiranën është debati televiziv. Në tre kandidimet e mëparshme të Ramës, ai ka pranuar të debatojë publikisht vetëm me Besnik Mustafajn, ndërkohë që ka refuzuar Spartak Ngjelën dhe Sokol Olldashin. Na duhet të presim edhe 37 ditë për të parë nëse Rama dhe Basha do të jenë përballë njëri-tjetrit në një studio televizive përpara se qytetarët të vendosin më 8 maj.

Rama del për fushatë në Tiranë: Qeveria i ka ditët të numëruara

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili kandidon për një mandat të katërt në këtë post, Edi Rama, ka dalë dje për herë të parë në një takim elektoral para zgjedhjeve të 8 majit. Tri ditë pas regjistrimit zyrtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kreu i PS-së ka inauguruar përfundimin e punimeve për sistemimin, asfaltimin dhe zgjerimin e rrugës “Medar Shtylla”. Kreu i opozitës dhe i Bashkisë së Tiranës tha në ceremoninë e djeshme se investimi i Bashkisë u vjen në ndihmë banorëve të zonës. Sipas tij qeveria i ka ditët e numëruara. “Tani e keni rrugën të shtruar, biçikleta ecën më shpejt, keq keni pensionet e faturat, punët e qeverisë akoma më keq, po të paktën rrugët, trotuaret, gjelbërimin, ndriçimin, gjithçka kemi ne këtu si komunitet, do të vazhdojmë t’i përmirësojmë, t’i çojmë përpara, t’i transformojmë, sepse edhe qeveria ditët e numëruara i ka”, tha Rama gjatë bashkëbisedimit me banorët e kësaj zone. Në të njëjtën kohë ai u ka premtuar qytetarëve se do të vazhdojë punën për t’i ofruar Tiranës një infrastrukturë moderne, duke synuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit. “Pensionet keq, faturat më keq, punët e qeverisë akoma më keq”, tha Rama.

PS: Luli i Saliut po bëhet qesharak

Partia Socialiste e sulmoi dje sërish kandidatin e PD-së për Tiranën, Lulzim Basha. “Luli i Saliut po bëhet sa qesharak, aq edhe i bezdisshëm nëpër Tiranë. I thotë Saliu të thotë se do të sjellim investitorë seriozë dhe Luli, pa teklif, e thotë duke pasur parasysh që investitori serioz e ka emrin Fazlliç. I thotë Saliu të thotë që do të kemi qeveri transparente për Tiranën dhe Luli, pa një, pa dy, thotë do të jemi transparentë, ndërkohë që ka 2 vjet që i fshihet drejtësisë për të dhënë llogari për 200 milionë eurot e Rrugës së Kombit”, tha deputeti i PS-së, Eduard Shalsi.

RAMA

Në informacionin për aktivitetin politik të Edi Ramës i bëhet reklamë punës së tij në krye të Bashkisë. “Nën drejtimin e Edi Ramës në Tiranë janë shtuar sipërfaqet e gjelbra dhe janë mbjellë me mijëra pemë, janë asfaltuar e ndriçuar me qindra rrugë e rrugica, është siguruar një shërbim dinjitoz pastrimi për qytetin dhe janë çliruar hapësirat publike duke iu kthyer qytetarëve në formën e lulishteve dhe këndeve të lojërave”.

11237 persona
Që nga shpallja e kandidaturës për një mandat të katërt për Bashkinë e Tiranës janë 11 237 persona që kanë një adresë në rrjetin “Facebook” dhe mbështesin liderin e opozitës.

18494 persona
Deri tani numërohen 18 494 persona që kanë adresa në Facebook dhe janë mbështetës të kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura