TIRANE – Gjykata e Tiranës la dje në “arrest me burg” pa afat, 31-vjeçarin Bledar Tusha, një prej protestuesve të demonstratës së 21 janarit, para godinës së Kryeministrisë. Tusha ishte identifikuar nga hetimet si një nga personat që ka qëlluar me gurë dhe mjete të forta kundër punonjësve të policisë. Bëhet e ditur se ndër provat e paraqitura nga Prokuroria janë edhe 4 foto, ku Tusha duket qartë duke goditur policët. Ndalimi i tij është realizuar mëngjesin e 7 marsit. Dje ai u paraqit në gjykatë para gjyqtarit të gatshëm Ervin Pollozhani, për caktimin e masës së sigurisë. Në seancë Prokuroria kërkoi vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të 31-vjeçarit dhe lënien e tij në “arrest me burg”. Ndërsa vetë Tusha dhe mbrojtësi i tij kërkuan një masë më të butë sigurie. Në përfundim, gjykata pranoi kërkesën e organit të akuzës. Tusha, lindur në Rrëshen dhe banues në Golem, Kavajë, akuzohet për “kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “goditjes për shkak të detyrës”. “Në këtë kuadër është identifikuar shtetasi Bledar Tusha, si autor i goditjes së forcave policore me gurë e sende të forta. Këto veprime të dhunshme të këtij shtetasi janë kryer ndaj disa prej punonjësve të policisë, çka evidentohet lehtësisht nga fotografitë e administruara me materialin e fashikullit. Sa më sipër, rezulton se ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme, që provojnë ekzistencën e ‘dyshimit të arsyeshëm’, se personi nën hetim, Bledar Tusha, ka kryer veprat penale të ‘kundërshtimit i punonjësit të policisë së rendit publik’, ‘goditje për shkak të detyrës’, të kryer në bashkëpunim”, thuhej në vendimin e masës së sigurisë. Pas dy personave të arrestuar që janë lënë në burg nga gjykata, Tusha është i treti me këtë masë sigurie. ar.ba











