Frankfurt, pesë akuza kundër kosovarit

Mar 5, 2011 | 11:56

Kundër të riut kosovar që sulmoi ushtarët amerikanë në Frankfurt, rëndojnë dy akuza për vrasje dhe tri për tentativë vrasjeje. Gjatë marrjes në pyetje prej prokurorëve gjermanë, Arid Uka ka deklaruar se ka vrarë për çështje nderi, pasi ka parë një grup ushtarësh amerikanë në Afganistan ndërsa përdhunonin një vajzë të mitur afgane, postuar në “Youtube”. Djali ishte mysliman i devotshëm dhe ishte radikalizuar brenda pak javëve të fundit, ndërsa shikonte video në faqet islamike në internet. Ky është shqetësimi më i madh i trupave perëndimore, ndikimi i videove dhe mesave të internetit tek të rinjtë islamikë, si një lloj lavazhi truri, ku shumë prej tyre janë të gatshëm edhe të flijohen me sulme kamikaze për një kauze që nuk ka qenë në mendjen e tyre pak ditë më parë. Ndërkohë ushtria amerikane ka publikuar emrat e dy ushtarëve të vrarë gjatë të shtënave të Ukës. Njëri ishte piloti 25-vjeçar Nicholas Alden, tjetri rreshteri 21-vjeçar Zachary Cuddenback.
Pentagoni tha se po hetohet ende, nëse djali nga Kosova ka pasur lidhje të tjera gjatë këtij sulmi, apo vërtet ka vepruar vetëm. 21-vjeçari Uka punonte me kohë të pjesshme për “Deutsche Post”, në aeroportin e Frankfurtit dhe dosjen kriminale e kishte të pastër. Autoritete gjermane kanë kontrolluar edhe banesën e një imami maroken në Frankfurt, pasi besohej se ai kishte nxitur të riun kosovar në kryerjen e krimit, por asnjë akuzë nuk u ngrit pas kontrollit në shtëpi. Sipas BBC-s, burimet e saj në policinë e Frankfurtit thonë se nga ky sulm mund të ishin vrarë më shumë vetë, nëse kosovarit nuk do t’i ishte bllokuar arma.

© Panorama.al

Te lidhura