Franca nis luftën kundër Geddafi-t

Mar 20, 2011 | 13:13

Franca nisi fushatën ndërkombëtare të ndërhyrjes ushtarake në Libi, duke bombarduar pasditen e djeshme mjetet ushtarake të Geddafi-t.Sulmi u pasua nga Britania dhe SHBA-ja,  të cilat hodhën 110 raketa “Tomahawk” në bazat e mbrojtjes së forcave të Geddafi-t. Operacioni i koalicionit është quajtur “Agimi i Odisesë” (Odyssey Dawn). Pentagoni ka njoftuar se koalicioni i pesë vendeve, që përfshin SHBA-në, Britaninë, Francën, Kanadanë dhe Italinë po sulmon në Libi për të shkatërruar mbrojtjen ajrore të Geddafit. Edhe avionët spanjollë janë nisur nga Madridi. Televizioni shtetëror libian raportoi se një avion francez është hedhur në tokë në një zonë afër Tripolit. Sulmi i Francës ka nisur pas raportimeve se fushata e Geddafi-t kundër rebelëve nuk ka reshtur asnjëherë, edhe pas shpalljes së armëpushimit. Sipas TV “Al Jazeera”, francezët që në sulmin e parë kanë bombarduar katër tanke të ushtrisë së Geddafi-t. Ka pasur raportime që Geddafi i ka parashikuar vendet se ku do të godasë Franca, dhe ka dërguar civilë për të formuar një barrikadë njerëzish. Kjo e ka komplikuar punën e ndërkombëtarëve, ndërhyrja e të cilëve kishte synim mbrojtjen e civilëve. Sidoqoftë në samit vendimi u mor për ndërhyrje ushtarake të menjëhershme në Libi, në rast të cenimit të civilëve. Rusia ka shprehur keqardhjen e saj për këtë hap, duke qëndruar në krah të zgjidhjeve të tjera me anë të dialogut. Korrespondentët perëndimorë në Libi thanë se fushata e Geddafi-t ka vazhduar edhe gjatë bombardimeve. Sipas “Al Jazeera”, vetëm në spitalin Jata në Benghazi dje janë shënuar 26 të vdekur dhe 40 të plagosur nga sulmet e Geddafi-t. Dëshmitarë për “Reuters” kanë deklaruar se në shtëpitë e tyre në Benghazi ka njerëz me snajper dhe shumicën e rasteve ata qëllojnë civilët. Gjatë ditës Geddafi i ka mohuar raportimet mbi sulmet e ushtrisë së tij në qytetet lindore, duke akuzuar protestuesit se janë vetë ata që qëllojnë në qytetet e tyre për të prishur armëpushimin. Dje paradite, Geddafi ka përdorur edhe taktikën e hijeve të dyshimit mbi besnikërinë e Këshillit Kombëtar me rebelët. Televizioni shtetëror i Libisë ka njoftuar se ish-ministri i Brendshëm, Abdel Fatah Yunes, i cili kaloi nga ana e rebelëve, është bashkuar sërish me Geddafin dhe transmetoi pamje të pritjes që iu bë atij nga koloneli libian. Por, nuk është e qartë se kur janë bërë ato filmime. Kreu i Këshillit Kombëtar në Benghazi, në një lidhje telefonike me “Al Jazeera”, e quajti të rremë këtë njoftim. Qyteti është përfshirë nga një eksod i madh gjatë ditëve të fundit, ndërkohë që pritej beteja e madhe dhe mendohej se Geddafi do të rimarrë qytetin. Eksodi ka vazhduar edhe dje, ndërsa BBC raportoi se të shtunën pasdite tanket e Geddafi-t nuk ishin tërhequr ende nga qyteti, me gjithë paralajmërimet e ndërkombëtarëve. SHBA e ka mbështetur sulmin dhe në paralajmërimin e tij të fundit për Geddafi-n, presidenti Barak Obama ka përdorur një retorikë të ashpër, që kujtoi gjuhën e ish-presidentit Bush, para se të sulmonte Irakun në vitin 2003. Por, SHBA, kësaj radhe nuk nuk do të përdorë trupa ushtarake në tokë, por vetëm në det dhe ajër. Flota amerikane ka dërguar tri nëndetëse e dy luftanije në Mesdhe dhe është gati t’i bashkohet operacionit. Ato kanë predha “Tomahawk”, të cilat janë efektive kundër avionëve. Kështu u plotësua edhe një nga pretendimet e Pentagonit, se nuk dëshiron të përfshihet në një tjetër luftë në Lindje, sipas analistëve të “New York Times”.

394 avione
ushtarakë ka Geddafi, pjesa më madhe e të cilëve mund të jenë të papërdorshëm. Koloneli libian ka 800 tanke, 500 raketahedhëse, 9.5 tonë gaz vdekjeprurës, 35 helikopterë, dy nëndetëse, 16 luftanije.

Kundër-vështrim

Ndërsa pjesa lindore e Libisë digjej, në Tripoli situata ishte tërësisht e kundërt. Dyqanet ishin hapur për biznes dhe rrugët ishin të qeta. Qindra njerëz u mblodhën në mbrëmje rreth rezidencës së Geddafi-t, duke e rrethuar atë dhe duke sinjalizuar se do të vdisnin për ta mbrojtur.

Letra e Geddafi-t

“Për birin tonë, shkëlqesinë e tij, z. Barak Hussein Obama. Unë jua kam thënë edhe më parë, se edhe nëse Libia dhe SHBA hyjnë në luftë, Zoti e ndaloftë, ju do të mbeteni gjithnjë një bir. Figura juaj nuk do të ndryshojë. Dua që ku të mbeteni i të njëjtit imazh. I gjithë populli i Libisë është me mua dhe ne jemi të përgatitur për të vdekur, bashkë me gratë e fëmijët. Asgjë më shumë. Al Qaeda është një organizatë e armatosur që kalon nga Algjeria, Mauritania dhe Mali. Çfarë do të bënit ju po t’i shihnit se kanë marrë të armatosur kontrollin e qyteteve amerikane? Më thoni çfarë do të bënit ju, që të ndjek shembullin tuaj”.

Berluskoni

Kryeministri italian, një nga miqtë më të ngushtë të Geddafi-t në arenën ndërkombëtare, tha se Italia ka ofruar bazën e saj në Sicili për trupat britanike, franceze dhe kanadeze, nga ku avionët ushtarakë janë vetëm gjysmë ore larg Libisë. Ai tha se roli i Italisë në këtë fushatë është mbështetës, por nuk përjashtohet as ndërhyrja ushtarake e Italisë, nëse Geddafi sulmon sërish civilët. “Unë kam rënë dakord që koordinimi ushtarak i ndërhyrjes të bëhet në bazën e NATO-s në Napoli. Aktualisht ne thjesht po vëmë në dispozicion bazën, por nëse koalicioni e kërkon, edhe ndërhyrja ushtarake është e mundshme”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura