FOTO+VIDEO- Goditet banda e trafikut të drogës në Mykonos, drejtohej nga një shqiptar! Grupi fshihej pas një kompanie transporti turistësh! Pamjet kur policia mësyn në banesa

Jun 26, 2026 | 12:53

Policia greke ka goditur një grup kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike në ishullin e Mykonos, ndërsa në krye të organizatës ishte një 37-vjeçar shqiptar, i cili përdorte një kompani transporti turistësh me furgonë për t’u kamufluar.

Sipas njoftimit të Policisë Greke, automjetet e kompanisë shërbenin jo vetëm për lëvizjen e anëtarëve të grupit, por edhe për shpërndarjen e drogës, kryesisht në qytetin e Mykonosit dhe në zonat me fluks të lartë turistësh.

Sipas mediave helene gjatë operacionit u arrestuan pesë anëtarë të organizatës, ndërsa hetimet tregojnë se aktiviteti kriminal kishte nisur në mesin e muajit prill. Fitimet e paligjshme nga shitja e drogës llogariten në rreth 700 mijë euro.

Kontrollet u zhvilluan në banesa dhe ambiente të përdorura nga grupi kriminal në Mykonos, Pire dhe Perama, ku policia sekuestroi rreth 4.5 kilogramë kokainë, kokainë rozë, kanabis, tableta me substanca farmaceutike, ketaminë dhe kërpudha halucinogjene.

Roli i anëtarëve

Sipas autoriteteve greke, 37-vjeçari shqiptar drejtonte dhe koordinonte të gjithë aktivitetin e organizatës. Ai ishte përgjegjës për sigurimin e furnitorëve, menaxhimin e vendeve të fshehjes së drogës, transportin, ruajtjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, si edhe administrimin e një pjese të të ardhurave të paligjshme.

Një 38-vjeçar konsiderohet zëvendësi i tij dhe kishte rol në ruajtjen, shpërndarjen e drogës dhe menaxhimin e fitimeve, ndërsa një 39-vjeçar kujdesej për magazinimin e lëndëve narkotike, gjetjen e klientëve dhe ruajtjen e parave nga shitjet.

Dy anëtarët e tjerë, një 25-vjeçar dhe një grua 38-vjeçare, kishin role në ruajtjen, shpërndarjen e drogës dhe mbikëqyrjen e vendeve ku fshiheshin lëndët narkotike.

droge1 droge2 droge3 droge4 droge5 droge6

 

© Panorama.al

Te lidhura