Parlamenti zhvillon sot punimet në seancë plenare pa prezencën e opozitës së PD, e cila mungoi në sallë.
Por ajo që u vu re ishte frika e mazhorancës nga revolta qytetare që i ka përballur prej 44 ditësh në shesh dhe së fundmi gjatë dy seancave plenare, ku u sulmuan me vezë dhe miell.
Autobotë uji dhe forca të shumta policore u panë teksa Parlamenti u blindua, por aty s’ka protestues.
Revolta popullore ku kërkohet largimi i qeverisë dhe dorëheqja e pa negociueshme e kryeministrit Edi Rama, ka hyrë sot në ditën e 44-t.
Ndërkohë protestuesit pritet të mblidhen te SPAK, n ë mënyrë paqësore, duke kërkuar që të hetojë skandalet e qeverisë, si dhe dhunën policore gjatë protestave, sidomos ajo para Parlamentit. Gjithashtu pritet të kërkohet hetim edhe për rastin e koncertit të Kanye West, ku qeveria dha 4 mln euro nga fondi rezervë.
Ndërkohë që sot mbahet në Kuvend seanca e radhës plenare, ajo që vihet re është që në oborrin para Parlamentit, janë vendosur forca të shumta policore dhe autobote me ujë. Ndërkohë në zonë nuk ka asnjë protestues.
Masat janë marrë duke pasur parasysh që në seancën e shkuar para Kuvendit u mbajt një protestë, me qytetarët që kërkonin largimin e qeverisë, dhe ku pati edhe përplasje mes tyre dhe policisë, me këtë të fundit që ushtroi dhunë, spraj lotsjellës dhe arrestoi 19 protestues, të cilët më pas u liruan nga gjykata.
© Panorama.al

















