Ermal Hasimja ka prezantuar një nismë të re, një forum për dialogun politik, e cila synon të krijojë një hapësirë për diskutim mes grupeve opozitare.
Analisti dhe politologu Hasimja u shpreh se nisma është e hapur për këdo që mund të sjellë një peshë opozitare.
Ai theksoi se nuk synojnë krijimin e një partie politike, por u shpreh se synon gjetjen e një zgjidhje në kushtet kur ‘opozita është e përçarë dhe qeveria është ajo që është’, siç u shpreh ai.
“Kjo nismë është e hapur për këdo që mund të sjellë një peshë opozitare. Nuk jemi parti politike dhe nuk synojmë të krijomë parti politike. Qëllimi ynë është që si qytetarë shprehim një shqetësim. Opozita është e shpërndarë në drejtime të ndryshëm, ndërsa qeverisja është ajo që është. Ne po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje përmes kësaj forme. Ftesa është e hapur për të gjithë. Këto partitë opozitare kanë konflikte dhe janë konkurrente dhe është normale, sepse po luftojnë kundër qeverisë. Unë mendoj që ka një të përbashkët që i bashkon këto parti, të kemi zgjedhje të lira dhe të barabarta”, tha ndër të tjera Hasimja.
NISMA
Duke konstatuar me shqetësim degradimin e qeverisjes dhe përhapjen e korrupsionit në të gjitha nivelet e saj, rritjen e pushtetit të krimit të organizuar dhe narkotrafikut në vendimmarrjen publike dhe vetëdijshëm për vështirësitë që ka opozita në ndërtimin e alternativave të besueshme e efektive, ne, një grup qytetarësh të pavarur nga partitë, por me qëndrim opozitar, kemi vendosur të ndërmarrim një nismë publike për lehtësimin e dialogut mes partive të opozitës, rakordimin e qëndrimeve dhe vendosjen e një bashkëpunimi të pranueshëm mes tyre me qëllim:
Krijimin e trysnisë së nevojshme për zgjedhje të lira, të ndershme e të barabarta sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.
Fuqizimin e opozitës dhe bashkëpunimin për një front të përbashkët e të besueshëm opozitar, pa prekur identitetin dhe specifikat e secilës parti.
Mbështetjen e funksionimit kushtetues të drejtësisë në luftën e saj për goditjen e korrupsionit dhe narkotrafikut në partneritet me SHBA-të dhe BE-në.
Ne synojmë t’i arrijmë këto qëllime përmes:
Rakordimin e qëndrimeve të opozitës për një kod të ri zgjedhor që forcon demokracinë përfaqësuese dhe merr parasysh interesat e të gjitha partive të opozitës.
Krijimit të një platforme bashkëpunimi mes partive opozitare në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme mbi bazën e ndërhyrjeve të përbashkëta dhe garantimit të identitetit dhe subjektivitetit të secilës prej tyre.
Në kuadër të kësaj nisme ne u bëjmë thirrje të gjithë faktorëve politikë dhe organizatave të tjera opozitare të bëhen pjesë e këtij procesi duke lënë mënjanë interesat e ngushta politike në shërbim të mundësimit të ndryshimit të qeverisjes në Shqipëri.
Në ditët në vijim Forumi i Dialogut Politik do të takojë përfaqësuesit e partive opozitare dhe më pas do të organizojë një tryezë të përbashkët për arritjen e një marrëveshjeje të arsyeshme dhe të pranueshme bashkëpunimi.
Anëtarët themelues të Forumit
Ermal Hasimja
Redi Ramaj
Hektor Ruci
Altin Gjeta
Florian Haçkaj
© Panorama.al












