Rreth 2 mijë lekë do të jetë tarifa që do të paguajnë të gjithë kandidatët, të cilët do të konkurrojnë në shkollat e larta. Pas ndryshimit të rregullores së maturës, pritet të dalë edhe udhëzimi për mënyrën si do të paguhet kjo tarifë. Por burime pranë MASH pohojnë se ajo nuk do të rritet, madje po shihet mundësia që të pësojë një ulje. Mandat-pagesa e tarifës do të dorëzohet në shkolla bashkë me formularin A2, të cilin maturantët do ta plotësojnë brenda datës 30 korrik. Në rregulloren e mëparshme, tarifën e paguanin të gjithë ata maturantë që do të jepnin lëndët me zgjedhje. Pra, mandat-pagesa do të dorëzohej bashkë me formularin A1. Ndërkohë, dje ishte afati i fundit i dorëzimit të formularit A1 në shkolla. Nga sot nxënësit nuk kanë të drejtë të bëjnë ndryshime të tjera në formular. I gjithë procesi i maturës do të mbyllet brenda datës 30 qershor. Në këtë datë, maturantët do t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje. Dy provimet e detyruara do të jepen përkatësisht më 1 dhe 15 qershor. Nga sa bën me dije MASH-i, formulari A2, ku zgjidhen 10 preferencat për në shkollat e larta, plotësohet deri në 30 korrik. “Kjo masë është ndërmarrë, në mënyrë që kandidatët për në shkollat e larta të bëjnë një llogaritje paraprake të pikëve, përpara se të aplikojnë për në universitet. Vetëm duke ditur notat e 4 provimeve, ata do kenë një ide të qartë se sa pikë grumbullojnë dhe ku kanë shanse për të fituar”, sqarojnë specialistët e ministrisë. Për lëndët e provimeve të detyruara, konsultimet do të zhvillohen në bazë klase, ndërsa lëndët me zgjedhje, mbi bazën e grupit të formuar nga drejtoria e shkollës, duke marrë për bazë të dhënat e formularit A1. Një javë përpara secilit testim, do të zhvillohen mesatarisht 5 orë konsultime në letërsi, 8 orë konsultime në matematikë dhe 8 orë konsultime në lëndët me zgjedhje. “Përgjigjet do të jepen brenda një harku kohor prej 10 ditësh për secilin provim”, sqarojnë specialistët e MASH-it.











