Diplomatët ndërkombëtarë po përpiqen të gjejnë një rrugë largimi për liderin libian, Muamar Gedafi, ndërsa Italia ka ofruar “një parajsë afrikane” për të (në vende ku nuk njihet vendimi i Hagës) dhe SHBA-ja është zotuar se nuk do ta pengojë rrugës së largimit.Diplomatët nga OKB-ja, Liga Arabe, Unioni afrikan dhe 40 ministra të Jashtëm, mes të cilëve edhe ai shqiptar, u mblodhën dje në Londër për të gjetur një gjuhë të përbashkët mbi ndërhyrjen në Libi. Takimi po mbahet ndërsa territori libian po bombardohet nga forcat e koalicionit ndërkombëtar, në terren po zhvillohen luftime të ashpra mes rebelëve dhe forcave të Gedafit dhe është rritur presioni ndërkombëtar për largimin e kolonelit nga drejtimi i Libisë. Partnerët ndërkombëtarë kanë rënë dakord për të vazhduar misionin e tyre ushtarak, derisa Gedafi nuk vepron në përputhshmëri të plotë me rezolutën 1973 të Kombeve të Bashkuara, për të mbrojtur civilët. Fuqitë botërore kanë rënë dakord për krijimin e një Grupi Kontakti për të koordinuar përpjekjet politike mbi Libinë. Në takim u vendos që GK-ja të kryesohet nga Katari. Hilari Klinton sinjalizoi armatosjen e rebelëve kur tha në takim se rezoluta e fundit e OKB-së, e lehtësonte embargon e armëve për Libinë. Sipas ministrit të Jashtëm britanik, Uilliam Hague, të gjithë pjesëmarrësit në konferencë janë pajtuar se Gedafi dhe regjimi i tij e kanë humbur plotësisht legjitimitetin dhe do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se komuniteti ndërkombëtar do të rrisë presionin ndaj liderit libian. “Ne duhet të vazhdojmë presionin dhe të thellojmë izolimin e regjimit të Gedafit. Unifikimi i një fronti të presionit politik dhe diplomatik do t’ia bënte të qartë atij se duhet të largohet”, tha Klinton në konferencë. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, premtuar ndihmën e Kombeve të Bashkuara për popullin libian. “Kalimi në një qeveri dhe shoqëri demokratike do të marrë kohë, por edhe mbështetjen e të gjithëve ne”, tha Ban Ki Mun. Në terrenin libian vazhdojnë luftimet e ashpra mes rebelëve dhe forcave të Muamar Gedafit. Ndërsa një ditë më parë, rebelët hynë dhe u tërhoqën pas sulmeve të ashpra të besnikëve të kolonelit nga Sirte, qyteti i tij i lindjes dhe një bazë e fortë e kolonelit, tashmë ata po ndeshen edhe në qytete të tjera. Forcat e Gedafit kanë hyrë edhe në Misrata, nga ku ishin larguar prej bombardimeve të koalicionit. Në këtë qytet po kryhet një masakër. Sipas dëshmitarëve që kanë kontaktuar në telefon me “CNN-in”, masakra në Misrata është e paimagjinueshme. Dëshmitarët thoin se forcat e Gedafit nuk u lejojnë njerëzve as të marrin gjërat më të domosdoshme nga shtëpitë. Ata u thonë vraponi për jetën tuaj dhe më pas qëllojnë me mortarë dhe sulmojnë me tanke. Kryengritësit libianë janë zmbrapsur në Ben Javad, 150 kilometra nga Sirte. Forcat besnike të liderit libian kanë përdorur raketa, granata e armë të rënda për të detyruar kryengritësit që kishin mbërritur dhjetëra kilometra nga Sirte, të tërhiqeshin nga një zonë ku shumë fshatra të popullsisë janë besnike ndaj qeverisë. Qeveria libiane ka akuzuar koalicionin ndërkombëtar që po ndërmerr sulmet anti-Gedafi, se synon të çojë vendin drejt luftës civile e më pas ndarjes territoriale. Ndërkohë, Kreu i Këshillit Kombëtar të tranzicionit, shpesh e quajtur si qeveria e rebelëve në Libi, Mustafa Abdeljalil, siguroi se Gedafi do të dalë para drejtësisë menjëherë pas “fitores” së revolucionit. Gedafi, para fillimit të takimit në Londër, ka dërguar një letër për përfaqësuesit nga e gjithë bota, ku kërkon “T’i jepet fund sulmit barbar në Libi, i ngjashëm me atë të Hitlerit në Luftën e Dytë Botërore. Lini Libinë për libianët, po kryeni operacione shfarosëse”, shkruan ai.
Shqipëria hap portet dhe aeroportet për misionin në Libi
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto tha dje në takimin ndërkombëtar të Londrës mbi Libinë, se Shqipëria mbështet krijimin e Grupit të Kontaktit, dhe garantoi angazhimin e plotë të vendit. Ai u shpreh se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, është e gatshme që të ofrojë portet dhe aeroportet si dhe hapësirat ajrore dhe ato detare për nevojat e veprimeve ushtarake të Aleancës, apo për qëllime humanitare që kanë të bëjnë me situatën dhe zhvillimet në Libi. Haxhinasto mori pjesë dje në konferencën e organizuar nga qeveria britanike, me anëtarë të OKB-së, Ligës Arabe, Unionit Afrikan, NATO-s, dhe 40 ministrave të Jashtëm nga vende të ndryshme të botës, mes të cilave edhe Shqipëria. Haxhinasto, theksoi se Shqipëria i bashkohet komunitetit ndërkombëtar në vendosmërinë për të zbatuar Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Libinë. Ai theksoi se prania në këtë konferencë, si dhe pjesëmarrja e angazhimi i vendeve partnere dhe organizatave rajonale mbetet një element i rëndësishëm për të ardhmen e Libisë, si dhe për suksesin në fushën humanitare, ushtarake dhe atë politike.
Obama, fjalim për Libinë
Obama iu drejtua popullit amerikan mbi ndërhyrjen në Libi. Ai e mbrojti ndërhyrjen e parë ushtarake të Presidencës së tij, por premtoi një përfshirje të kufizuar në vazhdim. Obama u bëri thirrje besnikëve të Gedafit, ta braktisin atë dhe shtoi se fundi i regjimit të liderit libian ishte i paevitueshëm. “Ne do të ndalojmë armët për regjimin, do t’i ndërpresim furnizimet e parave, do të ndihmojmë opozitën dhe do të punojmë me vende të tjera për të shpejtuar ditën kur Gedafi të largohet nga pushteti”, tha Obama.
Akuza kundër gruas së përdhunuar
Iman al-Obeidi, gruaja që hyri në hotelin e Tripolit ku ndodheshin gazetarë të huaj dhe tha se është përdhunuar nga njerëz të afërt me regjimin e Gedafit, po përballet me akuza. Musa Ibrahim, zëdhënësi i qeverisë, tha se Obeidi është akuzuar nga 15 burrat për të cilët ajo ka thënë se e kanë rrahur e përdhunuar. Ibrahim e ka përshkruar Obeidin si të dehur dhe me shqetësime mendore. “Djemtë që ajo ka akuzuar e kanë denoncuar atë për fyerje të rëndë”, tha ai.











