Fjalori që flet me gjuhën e dialogut

Mar 11, 2011 | 12:12

ANXHELO XHACKA

Një filozof i njohur, mes të tjerave ka nënvizuar se “ata që duan të ndërtojnë atdheun, bëjnë mirë t’ia nisin duke hartuar në fillim enciklopedi dhe fjalorë”. Kjo thënie m’u kujtua sapo nisa të shfletoj botimin më të fundit të Servet Pëllumbit, “Fjalorin Filozofik”, të saposhpërndarë këto ditë në libraritë e vendit, nën kujdesin e shtëpisë botuese EDFA. Për më tepër, më tërhoqi vëmendjen edhe ballina e librit voluminoz, një foto e Kullës së Babilonisë, e cila asnjëherë nuk arriti majën dhe u shemb, pasi popujt nuk gjetën gjuhën e komunikimit gjatë ndërtimit të saj. Në një farë mënyre, profesori i filozofisë e përcjell mesazhin e tij drejtpërdrejt tek lexuesi që në prekjen e librit, duke dashur të thotë se vetëm gjuha e filozofisë është ajo që mund t’i bashkojë njerëzit drejt së ardhmes.
Ja pra, pse “Fjalori Filozofik” është një botim që paraqet mjaft interes dhe që e meriton të zërë vend në bibliotekën e çdo familjeje. E them këtë, sepse synimi i kahershëm i profesorit, që luajti rolin e shtytësit edhe në këtë rast, të cilin ai nuk nguron ta nënvizojë… “përveç përhapjes së kulturës filozofike në një rreth sa më të gjerë njerëzish, ka qenë edhe ndihmesa për të kuptuar se filozofia nuk ka ndonjë gjuhë krejt të veçantë, se konceptet e doktrinat filozofike janë të lidhura ngushtësisht me problemet e vetë jetës, me nevojat dhe shqetësimet konkrete që ndesh njeriu në rrjedhën e jetës së tij, si dhe të bashkësisë në të cilën ai bën pjesë dhe ku do të luajë një rol”.
Nga ky këndvështrim, Servet Pëllumbi është ndalur për të qëmtuar ndihmesën që kanë dhënë vendet e popujt e ndryshëm të botës në fushën e filozofisë, të kulturës e të shkencës, pasi në gjykimin e tij, kjo lloj kulture në thelb është universale dhe nuk njeh kufij kohorë, shtetesh, kombesh e kombësish. Ai ka ditur të evidentojë në mënyrë konçize, atë që në një moment të caktuar zë vend në qendër të zhvillimeve historike e që dallohet më tepër edhe në zhvillimin e mendimit filozofik. Duke ndjekur një linjë origjinale, autori është përpjekur të reflektojë me kujdes të veçantë, duke qëndruar larg vështrimeve që përbëjnë ndarje të tipit lindje-perëndim, të natyrës qendër-periferi, apo të zhvilluar të përhershëm – të prapambetur të përhershëm. “Çdo popull,- nënvizon Servet Pëllumbi,- i madh a i vogël, ka në “pronësi” atë që quhet filozofi e popullit dhe, shumë a pak, ka me çfarë të krenohet në historinë e kulturën e vet”. Ky është pikësynimi që ka shtyrë profesorin, të përfshijë në fjalor edhe figura historike të rëndësishme të mendimit filozofik, social e politik shqiptar si vëllezërit Frashëri, P. Bogdani, S. Malëshova, B. Merxhani, L. Tomeu, M. Barleci, H. Tahsini e plot të tjerë.
“Fjalori Filozofik” është me të vërtetë një punim i mirëfilltë shkencor. Veçse, duhet të kujtojmë se ai e ka zanafillën në vitin 1974, kur për herë të parë hyri në gjininë e botimeve filozofike shqiptare me një tirazh mijëra kopjesh. U prit me interes dhe u shoqërua me kërkesa të shumta për një ribotim të dytë, më të plotë. Përpjekjet e Servet Pëllumbit në vitin 1982, për një informacion më të pasur jo vetëm për leksikun filozofik, por edhe për përmbajtjen e koncepteve të ndryshme filozofike dhe të rrymave filozofike e sociologjike, që do t’i siguronin fjalorit një përdorim të gjerë dhe të gjatë në kohë, rrezikuan vetë të ardhmen e autorit përballë sistemit diktatorial të kohës. U desh rënia e Murit të Berlinit dhe zhvillimi i proceseve demokratike në Shqipëri, që profesori i filozofisë t’i përvishej përgatitjes së një botimi të tretë me një koncept të ri, në vëllim, në stil e sidomos në përmbajtje.
A ia ka arritur qëllimit? Para se t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje, në parantezë do të përmendja disa nga librat e Servet Pëllumbit, të publikuara vitet e fundit: ”Dritëhije të tranzicionit”, “Të mendosh ndryshe”, “Gjurmime filozofike”, “Sprova në sociologjinë politike”, “Edhe politika do moral”, “Pluralizmi politik – Përvojë dhe sfida”, “Bashkëbisedim për Politikën” (Libri i parë dhe i dytë), “Demokracia dhe zëri i moralit”, “Globalistika – refleksione për një epokë”, “Filozofia e aktualitetit” etj., të cilat përcjellin një kulturë të re të menduari, veçanërisht të rëndësishme për kushtet e sotme të demokracisë pluraliste. E mbi to qëndron pa hezitim “si qershia mbi tortë”, “Fjalori Filozofik”, në formë e në përmbajtje, si një alternativë për lexuesin e çdo krahu politik, nëpërmjet gjuhës universale të filozofisë e dialogut.
Më duhet të kujtoj se botimi i tretë nuk ka asgjë të përbashkët me dy të mëparshmit. Kanë mbetur vetëm pak terma, të cilat janë rishkruar nga e para në morinë e trajtimit të 700 rubrikave të fjalorit e analizës së 120 frazave, kryesisht në greqisht e latinisht, që në literaturën filozofike, si rregull, përdoren pa përkthim. Ndërsa përfshihen edhe figura të rëndësishme mendimtarësh, nga lindja e filozofisë e deri në ditët e sotme. Pa dashur të sjell shembuj të tjerë, konkluzioni është i qartë: “Fjalori Filozofik” ia vlen të blihet. Ai është i dobishëm si për studentin, ashtu edhe për specialistin, ai i shërben jo vetëm intelektualit, por edhe teoricienit e filozofit. Veçanërisht ai do të jetë i dëshirueshëm për lexuesin e thjeshtë, që synon një njohje paraprake me kulturën filozofike në rrafshin historik e aktual të saj.

© Panorama.al

Te lidhura