Financial Times raporton se presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të pranojë kushtet e Rusisë për përfundimin e luftës gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë të premten, duke e paralajmëruar se Vladimir Putin ka kërcënuar të “shkatërrojë” Ukrainën nëse ajo nuk pranon marrëveshjen.
Sipas artikullit, gjatë takimit, Trump nguli këmbë që Ukraina t’i dorëzojë Rusisë të gjithë rajonin e Donbasit, duke përsëritur mesazhin që kishte marrë nga presidenti rus gjatë një bisede telefonike një ditë më parë.
Megjithatë, pala ukrainase arriti ta bindë Trump që të mbështesë një marrëveshje për ngrirjen e vijave aktuale të frontit.
Pas takimit, Trump deklaroi se “të dyja palët duhet ta ndalin luftën në vijën e tanishme të luftimeve”. Presidenti Zelensky e cilësoi këtë qëndrim si të rëndësishëm.
Zelensky mbërriti në Shtëpinë e Bardhë të premten për të përsëritur kërkesën për dërgimin e armëve shtesë në Ukrainë, në mënyrë që të vazhdojë rezistencën kundër Moskës.
Por Trump, i cili sapo kishte ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës, u shfaq i gatshëm të ndërmjetësojë edhe një marrëveshje paqeje mes Kievit dhe Moskës.
Në telefonatën Trump-Putin të enjten, presidenti rus propozoi që Ukraina të dorëzonte disa territore të vijës së frontit në jug, në rajonet e Khersonit dhe Zaporizhias, në këmbim të zonave shumë më të mëdha në Donbas, të cilat forcat ruse nuk kanë mundur t’i marrin nga ushtria ukrainase.
Megjithatë, kërkesat e reja të Moskës janë më të kufizuara krahasuar me ato të vitit 2024, kur ajo kërkonte kontrollin e plotë të Donbasit, si dhe të gjithë rajonet e Khersonit dhe Zaporizhias.
Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar ende mbi informacionet e publikuara nga Financial Times, ndërsa presidenca ukrainase nuk ka dhënë përgjigje nëse Trump e ka shtyrë Zelenskyn të pranojë kushtet e propozuara nga Moska.
Sipas FT, Trump dhe Putin kanë rënë dakord për një samit të dytë brenda dy javëve të ardhshme, i cili mund të zhvillohet në Budapest.
© Panorama.al












