FIER – Disa nota që mund të ndikonin në rezultatet për pranimin në shkollën e lartë çuan në vetëflijim një 17-vjeçare në Fier. Të paktën ky është dyshimi paraprak i policisë së këtij rrethi në lidhje me ngjarjen që ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Strum. Maturantja me inicialet M.Cjapi u gjet e pajetë nga motra dhe vëllai i vogël në dhomën e saj. Sipas policisë, fëmijët kanë shkuar në dhomën e së motrës pasi ajo po vonohej për t’u nisur në shkollë. Por më kot janë mundur ta zgjojnë pasi ajo ishte pa ndjenja. Të alarmuar, ata kanë thirrur për ndihmë fqinjët e tyre. Këta të fundit e nisën menjëherë drejt spitalit të Fierit, por doza e lartë e pesticideve që ajo kishte konsumuar ka vepruar shpejt në gjak duke i marrë jetën. Burime spitalore bënë të ditur se 17-vjeçarja kishte mbërritur pa jetë duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e tyre. Fillimisht u dyshua për vdekje natyrale, por ekzaminimet e mëtejshme nxorën dhe shkakun e vërtetë. Sipas dëshmisë së të afërmve, nëna e viktimës kishte dalë më shpejt se fëmijët e saj nga banesa pasi ajo ishte drejtoreshë në një shkollë jopublike në qytetin e Roskovecit. Në të njëjtën shkollë mësohet se studionte edhe 17-vjeçarja. Mësohet se vajza ishte nxënëse me rezultate mjaft të mira. Por ditët e fundit ajo ishte vlerësuar me nota të papëlqyeshme. Ky dyshohet të jetë edhe motivi që i ka shkaktuar asaj ngarkesa të rënda emocionale deri në depresion. Sipas policisë, dyshohet se adoleshentja të ketë përdorur lëndën helmuese në kushtet e një depresioni të rëndë. Gjithsesi, motivet e kësaj ngjarjeje janë duke u hetuar edhe në pista të tjera pasi ende nuk ka një rezultat konkret në lidhje me motivin e saj. Mësohet se ajo jetonte vetëm me të ëmën, motrën dhe të vëllain më të vegjël se vetja, ndërsa babai i saj ndodhej emigrant prej disa vitesh në Itali. Sipas policisë, familjarët këmbëngulin se vajza nuk ka pasur asnjë arsye për të kryer këtë akt. m.r











