Fier, Bashkia: Qeveria nuk po na jep paratë për shpenzimet

Mar 29, 2011 | 12:30

FIER – Buxheti i bllokuar i Bashkisë së Fierit fut në konflikt këtë institucion me Degën e Thesarit. Për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër, kryebashkiaku Baftjar Zeqaj ka akuzuar se është Ministria e Financave që ka bllokuar paratë, nëpërmjet Degës së Thesarit. Qysh prej vitit të kaluar, bashkiakët janë përfshirë nga një paralizë totale investimesh dhe shërbimesh të tjera operative. Sipas ligjit për funksionimin e pushtetit vendor, qeveria shqiptare i jep të drejtën çdo njësie të pushtetit lokal që të përdorë 1/12 e buxhetit të vitit të kaluar. Në këtë kontekst, Bashkia Fier nuk është privuar as nga pagat apo sigurimet shoqërore dhe as nga shpenzimet operative, por sipas Zeqajt problemi qëndron tek mosdhënia e parave për shpenzimet operative, brenda ligjit. Të paktën ky ka qenë pretendimi i kryebashkiakut Zeqaj, i cili kërkon që thesari të arrijë t’i zhbllokojë fondet që janë parashikuar në borderotë e përpiluara nga drejtoria e financës në bashki. Mësohet se në këto fonde hyjnë shpenzime të tilla si ato për aktivitet kulturore, edukative e sportive. Sipas ligjit, brenda fondit të përcaktuar nga qeveria shqiptare, dega e thesarit duhet të bëjë shlyerjen e çdo zëri, të shoqëruara me fletë-pasqyrat përkatëse që vërtetojnë transparencë. “Kam bërë disa herë debate me përfaqësuesit e Degës së Thesarit. Për mua këta njerëz po bëjnë të pafajshmin, duke u qarë se nuk kanë asgjë në dorë, duke u bërë kështu kukulla në duart e Ministrisë së Financave dhe qeverisë. Këta bastardë qeveritarë po përpiqen të mos xhirojnë asgjë, duke dëmtuar kështu çdo investim apo projekt që qyteti ka nevojë. Sipas meje, dhe këtë e them me bindje të plotë, ky ngërç mes bashkisë dhe Degës së Thesarit ka një prapavijë politike, si dhe shihet si një mënyrë e mirë për të kursyer shtetin, që e ka arkën bosh”, deklaroi kreu i Bashkisë Fier. Nga ana e tij, kreu i Degës së Thesarit, Isuf Mehoniqi, hedh poshtë akuzat, duke u shprehur se kanë kaluar të gjitha faturat, duke respektuar ligjin. “Kemi një radhë pagesash, në fillim u japim prioritet pagave dhe sigurimeve dhe më vonë mbeten shpenzimet e tjera”, deklaroi ai. Buxheti i Bashkisë së Fierit i vitit 2010 ka mbetur pezull, pas pretendimeve të këshilltarëve të djathtë se e kanë miratuar me ndryshime buxhetin, ndërsa të majtët nuk e pranojnë. Pritet vendimi i gjykatës për t’i dhënë zgjidhje ngërçit.                 m.r

© Panorama.al

Te lidhura