
TIRANE- Maxhoranca dhe opozita do të vazhdojnë edhe sivjet ta festojnë të ndara Ditën e Pavarësisë dhe atë të çlirimit. Por, ndarje pritet të ketë edhe këtë vit nga brenda maxhorancës. PD dhe LSI do të jenë bashkë vetëm më 28 Nëntor, kur festohet Dita e Pavarësisë. Më 28 Nëntor, të djathtët festojnë shpalljen e pavarësisë, por dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj.
Ndërsa LSI, si parti e majtë, nuk e ka prishur traditën e saj. Për LSI-në Shqipëria u çliruar më 29 Nëntor, qëndrim që e ka mbajtur edhe kur ishte në opozitë e vazhdon ta mbajë edhe tani që është në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike. Ky qëndrim nuk duket se ka vënë në siklet PD-në, e cila ka respektuar pozicionet e aleatit të saj të majtë.
Por, të majtët, vetë mes tyre, edhe pse e festojnë më 29 Nëntor çlirimin e vendit, e festojnë të ndarë atë. Për shkak të përfshirjes së LSIsë në koalicion me PD-në, PS i zhvillon homazhet në Ditën e Çlirimit e ndarë nga partia tjetër e majtë. Të dyja partitë, deri në 2007-n e festonin së bashku Ditën e Çlirimit dhe të Pavarësisë, duke zhvilluar homazhe me veteranët e luftës dhe familjet patriotike në vend. Pas prishjes së marrëdhënieve mes Ilir Metës dhe Edi Ramës dhe qëndrimeve të vijuan pas zgjedhjeve vendore të 2007-s, dy partitë, edhe pse të majta, nderojnë të rënët dhe i respektojnë veteranët e luftës veçmas.
Një vit më parë, të parët që zhvilluan homazhe në Varrezat e Dëshmorëve me rastin e Ditës së Çlirimit të vendit, 29 Nëntori, ishte LSI me drejtuesit dhe simpatizantët e saj. Një orë më vonë, homazhe zhvilloi dhe Partia Socialiste, e cila, pas vendosjes së kurorave, zhvilloi dhe vizita në familjet e dëshmorëve të luftës.
Protokolli i ceremonive zyrtare përcaktohet nga Bashkia e Tiranës, e cila një vit më parë drejtohej nga kreu i PS-së, Edi Rama, ndërsa sivjet, kjo ceremoni, për shkak të fitores së Bashkisë nga Lulzim Basha, pritet të jetë një protokoll privat, pasi protokolli i Bashkisë së Tiranës sivjet do të përputhet me protokollin shtetëror, sipas të cilit, festimet për pavarësinë dhe çlirimin e vendit do të zhvillohen në një ditë, Më 28 nëntor. Kreu socialist, Ditën e Pavarësisë lajmëroi dje se do ta festojë në Prishtinë, ndërsa pritet të jetë në Tiranë më 29 Nëntor, Ditën e Çlirimit nga pushtuesi i huaj.
© Panorama.al











