TIRANË- Falje e gjithë faturave dhe detyrimeve të prapambetura të energjisë për familjet në nevojë, invalidët, jetimët, gratë kryefamiljare dhe ata me pensione minimale. Ky është vendimi më i fundit i qeverisë, deklaruar sot nga kryeministri Sali Berisha që u vjen në ndihmë disa kategorieve në nevojë dhe bëhet në kuadrin e 22 marsit, ditë që sipas Berishës shënoi ndryshimin e historisë.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha ngarkoi ministrat e linjës, atë të Punës dhe të Financave të angazhohen me shpejtësi për jetësimin e vendimit, në mënyrë që kategoritë e planifikuara të përfitojnë të gjitha.
“Ne kuader te 22 marsit, qeveria vendos të clirojë nga detyrimet e prapambetura të faturave të energjisë deri në datën e marrjes të KESH-iy nga CEZ të të gjitha detyrimeve, të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, dhe papunësi, pa përjashtim, të gjithë pensionistët me pensione minimale dhe që nuk kanë mbështetje tjetër familjare, burime të tjera; të gjithë invalidët; të gjitha gratë kryefamiljare, të gjithë personat me status jetimi”- tha Berisha.
Sipas tij, me këtë vendim mendohet të clirohen nga një barrë të cilës nuk kanë mundur t’i përgjigjen me përpikmëri, këto kategori, diferenca në të ardhurat e tyre ka qenë shumë e madhe në krahasim me pjesën tjetër të popullatës.
Duke sjelle ne kujtese, 22 marsin, si diten në të cilën shqiptarët me vullnetin e tyre të lirë, u ndanë nga një regjim diktatorial, më i egri që kishin njohur, Berisha kujtoi arritjet e bera nder vite. “Ishim nje vend me 80% papunësi, sot ka një varfëri 12%, papunësi të këtyre përqindjeve dhe një varfëri të skajshme prej 1.4%”- tha ai, duke pranuar gjithsesi se përqindjet nuk masin dhimbjen njerëzore.
E pikerisht per kete, sipas Berishes në fytyrën e qeverisë, në politikën e saj sociale ka qenë dhe mbetet angazhim konstant ndihma për ata që janë në nevojë.
© Panorama.al











