Falen 380 milionë USD drita të papaguara

Mar 17, 2011 | 10:48

Qeveria ka vendosur t’u falë kategorive në nevojë detyrimin prej 380 milionë dollarësh të faturave të papa-guara të energjisë për 14 vjet rresht.Vendimi që u miratua mbledhjen e djeshme të qeverisë përcakton se falja e faturave përfshin periudhën nga viti 1992 deri në vitin 2006. Kategoritë që do të përfitojnë nga ky vendim janë ato në nevojë, si: familjet në ndihmë ekonomike dhe papunësi, të gjithë pensionistët me pensione minimale dhe pa burime të tjera të ardhurash, gjithë pensionet minimale të të gjitha kategorive, invalidët, gratë kryefamiljare dhe të gjithë personat me status jetim. Falja e faturave të prapambetura të energjisë përfundon në dhjetor të vitit 2006. Pas kësaj, asnjë faturë nuk konsiderohet e falur. Kjo pasi ish-OSSH-ja, që u privatizua nga çekët e CEZ-it në maj të vitit 2009, është blerë me gjithë borxhet që kjo kompani mbartte nga 1 janari i vitit 2007. Kjo është hera e dytë që qeveria fal energji të papaguar. Në vitin 2008, qeveria fali kamatë-vonesat, pra “gjobat” mbi energjinë e papaguar. Edhe qeverisjet socialiste diskutuan disa herë për amnistinë fiskale dhe atë të energjisë, por kundërshtimi i ekspertëve dhe frika për dekurajimin e pagimit të energjisë e bindi qeverinë të tërhiqej.
Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e djeshme të qeverisë, sqaroi vendimin për faljen e faturave si dhe vitet për të cilat vepron ai. “Ky vendim përfshin periudhën që nga fillimi i detyrimeve që ekzistojnë në KESH, e deri në ditën që shpërndarja e energjisë merret nga CEZ-i. “Unë besoj se kjo përfshin të gjithë spektrin e atyre që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në nevojë. Edhe njëherë dua të theksoj se kjo falje që bëhet më 22 mars shtrihet që nga fillimi i detyrimeve që ekzistojnë në KESH deri ditën që shpërndarja e energjisë elektrike merret nga CEZ-i. Që nga momenti i marrjes së energjisë nga CEZ-i, vendimi i qeverisë është inekzistent”, sqaroi Kryeministri. Ai kërkoi nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ajo e Punës dhe nga Enti Rregullator i Energjisë që të kalohet sa më shpejt vendimi për këtë akt, në mënyrë që shtresat që përcaktohen të përfitojnë sa më herët lehtësimin nga këto detyrime disavjeçare. Në mbledhjen e djeshme, Berisha i kërkoi ministrit të Financave, hartimin e ligjit për amnistinë fiskale. “Është e rëndësishme që ligji i amnistisë fiskale të shkojë në Parlament para 22 marsit. Ju keni punuar gjerësisht, keni bërë takime në vjeshtën që kaloi me biznesin, keni zhvilluar takime me ekspertët, ndaj dhe do të sugjeroja që të kompletohet sërish me takime të tjera me biznesin dhe 22 marsi të jetë një ditë e gëzueshme, siç është për çdo shqiptar, por një ditë që ne shprehim respektin tonë dhe vlerësimin ndaj biznesit, duke paraqitur në Parlament këtë amnisti”.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura