Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, e cila braktisi grupin parlamentar socialist dhe doli e pavarur, ka reaguar nga Brukseli me një mesazh për kryeministrin Edi Rama, ndërsa i është bashkuar prej ditësh protestuesve në shesh.
Ajo tha se Evropa tani duhet t’i kthejë edhe më shumë sytë nga Shqipëria.
Në një postim në rrjetet sociale, “Neomalsorja” bën të ditur se ndodhet në Parlamentin Europian, me ftesë të disa eurodeputetëve, me të cilët, sipas saj, do të diskutojë për protestat qytetare dhe problematikat e shumta me të cilat përballet Shqipëria.
Ajo e cilëson qeverinë si të korruptuar dhe e akuzon pushtetin për arbitraritet, duke theksuar se po kapërcen çdo kufi.
“Evropa duhet t’i kthejë sytë drejt Shqipnisë ma shumë se kurrë. Jam e nderueme që këto ditë ndodhem në Parlamentin Evropian në Bruksel, me ftesë të disa eurodeputetëve, me të cilët do të diskutojmë mbi çështjet mjedisore, protestat e këtyne 30-ditëve dhe problematikat e shu mta që po përballet vendi ynë, veçanërisht korrupsionin dhe arbitraritetin e nji pushteti që po kapërcen çdo kufi”, shkruan ajo në postim.
© Panorama.al












