Policia e EULEX-it në Kosovë ka nxjerrë një urdhër-arrest për numrin dy të partisë në pushtet, Fatmir Limajn, për krime lufte në Kleçkë.Aktualisht, Limaj është nënkryetar i PDK-së dhe nuk ka pranuar të jetë në qeverinë “Thaçi 2”, pasi ishte në hetime për korrupsion nga EULEX-i për dhënien e tenderëve, në kohën kur ishte ministër i Transporteve. Por urdhri për ta arrestuar atë është për një krim për të cilin është gjykuar në Gjykatën e Hagës dhe është shpallur i pafajshëm. EULEX-i ka deklaruar dje se ka arrestuar disa persona, pa dhënë numrin e saktë të tyre, të gjithë ish-luftëtarë të UÇK-së, nën akuzat për krime lufte. Zyrtarët e EULEX-it nuk e kanë konfirmuar, e as nuk e kanë mohuar fletë-arrestin për deputetin Limaj. Arrestimet vijnë në një kohë kur situata në Kosovë është e ndezur, për shkak të raportit të Dick Marty-t, raportuesit të Këshillit të Europës, i cili përmendi shumë emra nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës si të përfshirë të krime lufte dhe trafik organesh. Sipas mediave të Kosovës, të arrestuarit nga misioni evropian janë tetë në Kosovë dhe një jashtë kufijve. Forca e policisë së EULEX-it kanë bastisur shtëpinë e Drejtorit të Policisë Rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqi, duke tentuar arrestimin e tij. Por sipas burimeve të “InfoGlob”, në momentin e arrestimit të komandantit Krasniqi, ka reaguar një grup i vogël qytetarësh, të cilët krijuan barrikada lokale, duke nxitur tërheqjen e trupave të EULEX-it. Nexhmi Krasniqi, gjatë kohës së luftës ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Ndërkohë, mediat njoftojnë për arrestimin e Refki Mazrekut, i njohur me nofkën “Van Dami”, Naser Krasniqit, Behlul Limajt, Naser Shalës, Sabit Shalës, Shaban Shalës, Besim Shurdhajt dhe Osman Hoxhës. Arrestimet kanë ngjallur reagimin e ashpër të veteranëve të UCK-së, sipas të cilëve këto veprime nxisin tensione në Kosovë. Të arrestuarit ishin ushtarë të brigadës 121, “Kumanova”, të UÇK-së. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se nuk kam informacione se çfarë është duke ndodhur në Prizren. “Kjo është çështje e EULEX-it dhe e Policisë”, tha ai për mediat. Edhe zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, nuk ka reaguar në emër të Qeverisë, duke thënë se nuk ka informacion rreth këtij rasti.











