Romeoja: “Për hënën e bekuar të betohem/ që zbukuron me dritë argjendi pemët”
Zhuljeta: “Oh, mos bëj be për hënën e pabesë, që formën e ndryshon në qiell çdo muaj, se mos ndryshon dashuria jote”.
Romeoja: “Për çfarë të betohem?
Zhuljeta: “Për asgjë! Ose në daç, bëj be për kokën tënde, që është zot i adhurimit tim, dhe unë të besoj…”
Pa këto puthje, betime, por sidomos personazhe, dashuria s’e di si do dukej… sikur nuk do kishte pika referimi. Natyrisht që flasim për vite dritë larg të sotshmes. Struktura e parë e subjektit të kësaj historie është bërë në novelën “Mariotto e Giannozza”, në vitin 1476, por që ngjarjet zhvilloheshin në Romë e jo në Verona. Tani, prej së dielës së shkuar, kur ishte premiera e “Romeo & Zhuljeta” në kohë, ishin po atje, në Verona, por në sallën e re “Sheakspeare” të Teatrit të Metropolit, ishin vetëm një duartrokitje larg. Ndërsa Zhuljeta, ishte po ajo, e ëmbla, fëminorja, dehëse në marramendjet e saj. Të luash Zhuljetën, nuk është si të gjitha rolet e tjera. Nuk mjafton vetëm të jesh aktore e mirë, edhe fat me pashë të kesh, prapë është pak. Vetëm në mos, ky fat të është paracaktuar që pas të qeshurës së parë. Sepse koha fluturon, e nëse fatin nuk e ke parë të kalojë nga ty menjëherë sapo ke mbyllur studimet, atëherë është e kotë t’i mbash gishtat e kryqëzuar në pritje të yjeve. Esela Pysqyli e kapi yllin që me të parën. Roli i saj i parë i madh, Zhulieta.
Mosha? Perfekt. Ashtu si sytë e qeshur të saj, brenda dhe jashtë rolit. Ah, gjithë ato puthje dhe Romeoja? Jo, nuk janë të sajat. Gjithçka bën Zhuljeta, personazhi në të cilin Esela është futur prej thuajse pesë muajsh. Lulzim Zeqja është vetëm partneri në skenë. Kusht ky që regjisori Kiço Londo e ka vënë që në fillim: “Do ta puthësh me të vërtetë, ndryshe nuk ka Zhuljetë”! E në fakt, ç’kuptim do kishte nëse puthjet do ishin të stisura, për atë, historinë më të madhe të dashurisë së të gjitha kohërave.
A hezitoje? Përveç një far sikleti të mirëkuptuar vetëm nga njerëz jo aktorë, kishte pengesa nga ti në këtë pikë?
Puthjet janë të sikletshme deri në nivelin që ti e di se njeriu që po puth nuk është partneri yt. Kiço më pati paralajmëruar që në fillim, në ato lëkundjet e mia të para. Por nuk kishte kuptim ndryshe. Dhe ne u përpoqëm që të përcillnim gjithçka si të vërtetë.
Sa aktorë do ta kishin dashur këtë rol pa u lëkundur fare?
Jo, në fakt edhe unë e mirëprita, thashë padyshim “po” që me të parën dhe me ngazëllimin më të madh, por pastaj, kur merr tekstet në dorë, kur fillon puna e vërtetë, nuk është që mund ta bësh aq lehtë. E kuptoj që kush nuk do donte të bënte Zhulietën, dhe jo vetëm, sepse është një rol i rëndësishëm, por edhe sepse nuk mund të të jepet rasti ta bësh gjatë gjithë karrierës tënde sepse kërkon të jesh e vogël, pra në hapat e para të punës.
Ti je në hapat e para të karrierës…Ç’role ke pasur përpara këtij?
Më i rëndësishmi nga koha e Akademisë ka qenë “Rrethi prej tebeshiri”, që ka qenë edhe puna ime e diplomës, me regji të Altin Bashës. Po në atë kohë kam punuar edhe te “Kopshti i Vishnjeve” në Teatrin e Metropolit. Kjo ka qenë pjesa ku mendoj që Kiço më ka njohur më tepër edhe pse më ka parë që më parë. Pas këtyre erdhi “Komuna e Parisit”. Mu desh që pas këtyre roleve të shkoja në Itali për një vit, për një shkollë pasuniversitare, ndërsa tani jam këtu. Me rolin për të cilin po flasim…
Historinë e Zhulietës, e dinim përpara shfaqjes…si ishte për ty ta dije dhe të ishe?
Nga çasti i parë i habisë, kur dëgjova zërin e Kiços të thoshte “Të pëlqen Zhulieta?”, dëshira u shtua deri sa roli u bë i imi. E konsideroja veten me fat që kjo pjesë u vu në skenë, kur unë isha ende në këtë moshë. Më pas jam nisur nga të përbashkëtat e mia me Zhulietën. Përpiqesha të rikthehesha në kohë e të kujtoja se si kam reaguar unë në moshën 14-vjeçare. Si kam reaguar ndaj dashurisë së parë. Por me kalimin e kohës e ndjeja që po më bëhej edhe më e vështirë. Ndryshimi i gjendjes shpirtërore të saj në mënyrë të menjëhershme, ulje-ngritjet e humorit, më bënë shpesh të thosha edhe “nuk e bëj” dot. Duheshin ndërthurur dy gjendje ekstreme në atë mënyrë që gjithçka të vinte natyrshëm. Të bëje gruan dhe fëmijën njëkohësisht, nuk ishte ashtu siç e pata menduar. Për më tepër që nuk kisha punuar më parë me tekst në vargje. Nëse harron fjalën e një vargu, ngele aty, nuk është që manovron sikundër në rastet e tjera. Por puna e regjisorit, partnerit, i reduktuan këto vështirësi dhe bënë që t’ia dal.
Si ishte premiera?
E mbushur me tension, frikë, përgjegjësi. Por për fat doli mirë, ose së paku kështu u duk. Tani kam nevojë që gjërat të qetësohen, të pushoj pak.
E shoh, ke hequr edhe gërshetin…
Ajo ishte një stres më vete. Përpiqesha t’i mbaja sa mundesha, të mos i hiqja e t’i ngjisja prapë, por nuk mund të mbahen pafund. Tani që kam 4 ditë kohë deri në shfaqjen e radhës, i shqita.
Ç ’ngjashmëri ke me Zhulietën, që mund të të shërbenin edhe për rolin?
Po mbase ndjeshmërinë, natyrën pak çapkëne, pak romantike. Por janë disa përqasje që bëhen në mënyrë instiktive me personazhin. Ky proces ndodh vetë, nuk mund të shpjegohet.
Po me Romeon e vërtetë ç’ndodh, mund të shpjegohet?
Romeo i vërtetë e ka mirëpritur këtë arritje timen. Më sheh si aktore, kur duhet të bëj aktoren, dhe me teshat e mia, kur kam dalë nga godina e teatrit.
ANI JAUPAJ











