Ersekë, viktimat punonjës të komunës

Mar 6, 2011 | 11:08

Ata herë pas here gërmonin çakull në kodrën ku ndodhi fatkeqësia, ndërsa ditën e ngjarjes po kryenin transportin e materialeve me të cilat po ndërtohej rruga e varrezave.
Policia e Korçës e ka klasifikuar si aksidentale ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë, kur punëtorët e komunës Mollas gjetën vdekjen, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu në një nga guroret e zonës ku ata banonin. Dëshmitarë të kësaj tragjedie kanë qenë dy fëmijë, të cilët fatmirësisht janë ndodhur pak metra më larg, duke mos iu rrezikuar jeta. Ata kanë parë gjithë skenën e tmerrshme, teksa po rrinin me njëri-tjetrin, duke parë kureshtarë transportin e materialit granit për çakull. Fëmijët kanë dhënë më pas alarmin për ngjarjen e rëndë, që mori jetën e 64-vjeçarit, Pandi Prifti dhe 50-vjeçarit, Bujar Avdyli. Mësohet se Prifti, me profesion agronom, punonte si përgjegjës i shërbimeve të komunës së Mollasit, që mbulon menaxhimin e projekteve, ndërsa viktima tjetër ishte shofer, i punësuar pak kohë më parë. “Shkonin për të nxjerrë gurë, për të shtruar rrugën e varrezave të fshatit. Punonin për llogari të komunës. Ata kishin punuar në atë gurore edhe herë të tjera. Tragjedia ndodhi kur ata po bënin rrugën e dytë”, u shpreh një nga të afërmit e viktimave, Eqerem Avdyli. Sipas tij, në gurore punohej jashtë kushteve teknike dhe pa asnjë element sigurie. Punëtorët e komunës së Mollasit u përcollën dje për në banesën e fundit, pasi humbën jetën aksidentalisht gjatë punës. Familjet e tyre kanë kryer ceremonitë mortore në kushtet e varfërisë ekstreme, ndërsa nga komuna nuk pati asnjë reagim zyrtar në lidhje me këtë ngjarje. Një nga viktimat, shoferi i komunës që transportonte materialin për shtrimin e rrugës, rezulton se punonte pa paguar siguracionet. Nga hetimet e kryera rezultoi se ata bënin transportin e materialit, por në shumë raste të tjera kanë punuar edhe për nxjerrjen e çakullit. E gjithë puna kryhej jashtë të gjitha kushteve të sigurisë. Ditën e ngjarjes, viktimat janë nisur drejt gurores dhe, pasi kanë mbushur makinën, e kanë transportuar atë drejt fshatit. Më pas janë nisur për të marrë një sasi tjetër, por nuk kanë mundur dot të kthehen të gjallë. Bazuar edhe në dëshminë e dhënë nga fëmijët, që kureshtarë ndiqnin të gjitha lëvizjet e punëtorëve disa metra më larg, ngjarja ndodhi në momentin kur viktimat do të niseshin me rrugën e dytë të ngarkesës. Shoferi, Avdyli, ka ndezur mjetin për t’u nisur, por pesha e rëndë dhe terreni jo i përshtatshëm e kanë “gozhduar” atë në vend. Duke qenë se mjeti nuk po merrte gaz për të ecur nga para, ai ka xhiruar disa herë gomat, por më kot. Avdyli ka ecur sërish mbrapsht me makinën e ngarkuar, por në momentin që mjeti u përplas me zonën e gërmuar, ndodhi edhe tragjedia. Duket se masivi ka qenë gati në të rënë, pasi është dashur vetëm një tronditje nga përplasja me mjetin, që mbi ta të shembet një masiv i tërë dheu e inertesh. Dy punëtorët janë gjetur përfund, duke u asfiksuar. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe e konsideroi atë aksidentale. Megjithatë, punimet pa asnjë lloj kriteri konsiderohen si shkak i tragjedisë. “Kanë qenë punimet pa shumë kriter në këtë zonë, që e kanë gërryer pjesën e poshtme të kodrës, duke sjellë shkarjen e masivit, që shkaktoi vdekjen aksidentale të  përgjegjësit të shërbimeve të komunës Mollas, Pandi Prifti dhe shoferit të mjetit, 50-vjeçarit Avdyli”, bënë të ditur burime nga kjo komunë.

VIKTIMAT

Në Ersekë

Pandi Prifti,
64 vjeç

Bujar Avdyli,
50 vjeç

Në Gramsh

Altin Elezi,
37 vjeç

Nazif Boja,
22 vjeç

Dritan Hoxholli,
28 vjeç

Shembjen e ndërtetës s’e pa askush, tre të rinjtë 20 orë nën gërmadha

GRAMSH – Tragjedia e ndodhur në fshatin Bratilë të Komunës Kodovjat shokon banorët e zonës. Rreth 40 km larg Gramshit, gjetën vdekjen tre të rinj, në gërmadhat e një godinë të amortizuar, ish-depo e Rezervës së Shtetit. “Ngjarja mund të ishte parandaluar, nëse këto godina do të ishin shembur më parë”, u shprehën banorët. Ata mendojnë se nëse ndokush do t’iu kishte shkuar në ndihmë, mbase viktimat Altin Elezi 37 vjeç, Nazif Boja 22 vjeç dhe Dritan Hoxholli 28 vjeç, nuk do të kishin ndërruar jetë. Sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore, viktimat kishin të paktën 20 orë që kishin vdekur që nga momenti që u sollën në morg. Në fillim, alarmin e dha kryeplakja e fshatit, Mimoza Zagoni. Ajo lajmëroi policinë se në Bratil tek godinat e ish- rezervave kishte më shumë se 12 orë që qëndronte një automjet tip “Fuoristradë”. Duke vlerësuar alarmin e dhënë, për efekt edhe të rrethanave të sqaruara më pas edhe nga banorët, ku flitej për një godinë të shembur dhe një mjet i palëvizur me orë të tëra, blutë njoftuan gjatë rrugës edhe shërbimet zjarrfikëse të qytetit të Gramshit, për t’i ardhur në ndihmë viktimave të mundshme. Për shkak të rrugës së amortizuar dhe terrenit të thyer, policia arriti 2 orë pas sinjalizimit të dhënë. Ata nisën operacionin për nxjerrjen e trupave, i cili zgjati për më shumë se 5 orë, pasi gërmadhat nuk i lejonin për nxjerrjen e trupave që ndodheshin të varrosur nën to, të paktën 20 orë përpara se të jepej lajmi për shembjen e tarracës. Sipas burimeve nga grupi hetimor, nëse ndihma do të kishte qenë e menjëhershme, ndoshta nuk do të kishim kaq viktima. “Tre viktimat kishin ditë që punonin për të grumbulluar hekura. Disa ditë më parë sinjalizova policinë se një mjet i rëndë ka dalë nga ish- rezervat i mbushur me hekurishte”, u shpreh kryeplakja e fshatit, Mimoza Zagoni. Dyshohet se viktimat ishin kthyer sërish në godinat e amortizuara për të marrë pjesën e fundit të skrapit që kishte mbetur. Madje, grupi hetimor, në të hyrë të godinës, gjeti dhe dy grumbuj me hekurishte të përgatitura nga tre viktimat, si dhe një bombol oksigjeni dhe një gazi, që mendohet se u shërbente për të prerë hekurat e gjatë, për t’i bërë gati për transportim.                           a.k

 

ERSEKE/ GEZIM ASHIMI

© Panorama.al

Te lidhura