Ndryshimi më i madh me lajmin sot nuk po ndodh nëpër zyra apo në serverë. Ai po ndodh në gishtin e madh të dorës së çdo lexuesi. Mënyra se si njerëzit e konsumojnë informacionin ka pësuar një mutacion radikal.
Durimi për të ndjekur përmbajtje të gjata ka mbaruar. Kemi hyrë zyrtarisht në epokën e 15 sekondave.
Brezi i ri nuk navigon më nëpër ueb për të kërkuar informacion. Ai pret që informacioni t’i shfaqet përpara syve në formë videoje, i përmbledhur, i shpejtë dhe vizual. TikTok-izimi i përmbajtjes nuk është më një trend rinor. Është rregulli i ri i tregut.
Kjo nuk po ndryshon thjesht argëtimin, po ndryshon gazetarinë. Sfida e vërtetë e medias sot nuk është më “çfarë” të thotë, por “si” ta thotë në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër.
Shumë drejtues dhe profesionistë e shohin këtë me përbuzje. E quajnë “banalizim të lajmit”. Por ky është një qëndrim nostalgjik. Dhe në biznes, nostalgjia nuk paguan asnjë faturë. Tregu nuk pyet nëse na pëlqen apo jo ky format; tregu thjesht lëviz aty ku është vëmendja e njerëzve.
Të jesh analitik sot nuk do të thotë të fshihesh pas faqeve të tëra me tekst të gjatë. Sfida e vërtetë është tjetër: si ta marrësh atë analizë të thellë dhe ta përkthesh në gjuhën e kohës. Shpejtësia nuk duhet të jetë armiku i cilësisë. Gazetari i tregut të ri është ai që di të jetë i mprehtë, analitik dhe goditës, edhe brenda minutës së një videoje. Sinteza është inteligjenca e re.
Por kujdes. Kjo nuk do të thotë se formatet e gjata kanë vdekur. Suksesi i madh i podkasteve sot e vërteton këtë. Kontradikta këtu është vetëm në dukje. Në të vërtetë, videoja e shkurtër dhe podkasti janë dy anët e së njëjtës monedhë. 15-sekondëshi është valuta me të cilën blen vëmendjen e shpërndarë të publikut në rrjete sociale; podkasti është vendi ku e transferon këtë audiencë për t’i dhënë përmbajtjen e plotë e të thellë. Pa atë pjesën e parë, të shkurtër dhe vizuale, askush nuk mbërrin te e dyta.
Prandaj, kjo epokë e re nuk i mbyll dyert, por hap një fushë të madhe lirie për ata që duan të krijojnë. Sot, çdo gazetar ka hapësirën dhe mbështetjen e plotë për të dalë përtej rreshtave të shkruar, për të ndërtuar formatin e tij, për të krijuar podkaste apo video-analiza. Kushdo që ka një ide të mirë, një fushë ku shkëlqen dhe dëshirën për të eksperimentuar me zërin e imazhin, ka terrenin e gatshëm për ta kthyer atë në një projekt real. Koha ku pritej thjesht detyra nga sipër ka mbaruar; sot fiton iniciativa.
Nëse vëmendja ka kaluar te kjo marrëdhënie e re vizuale, zgjedhja ndahet në dy rrugë.
Rruga e parë është të qëndrojë kokëfortë në të shkuarën. Të vazhdojë të prodhojë blloqe të mëdha teksti, duke shpresuar se lexuesi i vjetër do të mbetet aty. Kjo rrugë të çon drejt irrelevancës.
Rruga e dytë është të pranojë sfidën operative. Të hyjë në fushën e re të lojës, por pa humbur peshën e lajmit. Qëllimi nuk është të kthehesh në një platformë thashethemesh, por të mësosh të tregosh një ngjarje të rëndësishme politike, ekonomike apo sociale përmes imazhit, zërit dhe një sinteze të frikshme në ekranin e telefonit, brenda pak minutave apo sekondave.
Sot përmbajtja nuk mund të jetë një tekst i thjeshtë statik. Ajo duhet të jetë e gjallë, në lëvizje dhe vizuale. Kush insiston të shesë rreshta të gjatë në një botë që kërkon sekonda, po humb të ardhmen. Vëmendja është valuta e re e tregut dhe rregullat e saj po i shkruan shpejtësia.
© Panorama.al












