Eneda Tarifa rezulton e pëlqyer, sërish prezantuese e “Portokalli”-së

Sep 3, 2011 | 13:07

Ajo ka bërë protagonisten e vërtetë në skenën e humorit “Portokalli” në “Top Channel” dhe natyrisht që ka rezultuar e pëlqyer, ndërsa rikonfirmohet nga burimet tona në këtë televizion se Eneda Tarifa do të prezantojë sërish sezonin e ri të spektaklit të humorit “Portokalli”, bashkë me Salsano Rrapin. Një çift i paparashikuar prezantuesish, që u pritën me kuriozitet vitin e kaluar se si do të komunikonin bashkë në skenë dhe që, për hir të vërtetës, u dukën shumë këndshëm. Pas largimit të Agron Llakajt, si moderatori kryesor, dhe përfundimit të sezonit nga Ami Toska, e cila vazhdoi e vetme në skenë, nisën thashethemet e para se kush do t’i merrte në dorë frenat e këtij spektakli shumë të ndjekur humori. Por, shumë shpejt u konfirmua largimi i Ami Toskës, për prezantimin e “Dancing with the stars në “Vizion Plus” dhe kështu filloi diskutimi i emrave të prezantuesve të ardhshëm. E, me sa duket, në ndihmë për marrjen e vendimit i erdhi regjisori Altin Basha një numër i natës së fundit të spektaklit të Vitit të Ri, ku Eneda Tarifa luajti me Salsanon karakterin e një këngëtareje të re, që donte t’i hynte karrierës muzikore. Pas impaktit që krijuan në publik si çift që shkëmbenim bukur batuta, regjisori Basha vendosi t’i lançonte si dy prezantuesit e sezonit të ardshëm të spektaklit. Në këtë rast me Salsanon ishim mësuar se si të komportohej në skenë, ndaj kurioziteti ishte për Enedën nëse do t’ia dilte. E njohur si këngëtare e talentuar, ajo arriti ta bënte për vete publikun, ndërsa shfaqi një anë tjetër të personalitetit të saj artistik, që publiku nuk ia njihte, pikërisht sensin e hollë të humorit, batutat që shkëmbente aty për aty në skenë me aktorët dhe aftësinë për të komunikuar me publikun. Po ashtu, Eneda si prezantuese solli një prezantim ndryshe nga çfarë ishim mësuar më parë të shihnim në netët e spektaklit, pasi futi një element të ri, të kënduarin. Vetë këngëtarja e konsideroi propozimin e drejtuesve të “Portokallisë” për të prezantuar këtë show si një përvojë të re në karrierën e saj skenike dhe që, sipas saj, vinte në kohën e duhur, që do e favorizojë për rritje të mëtejshme profesionale. Po ashtu dhe për karrierën muzikore me 15 vite në skenë, kjo periudhë ka rezultuar e suksesshme për Enedën. Suksesi i saj më i fundit ishte çmimi i parë i “Top Fest 7” me këngën “Me veten”. Tashmë kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri “Portokalli” dhe le të shohim se si do prezantohen të dielave në mbrëmje  në këtë sezon të ri Eneda Tarifa dhe Salsano Rrapi.

© Panorama.al

Te lidhura