Emmy dhe ëndrrat që u prenë në mes

Mar 5, 2011 | 14:15

Kjo javë ka nisur me një lajm të kobshëm. Zgjimin në mëngjesin e 1 marsit e përjetuam si një makth, teksa në celularët tanë erdhi lajmi i zi se Emmy nuk jeton më. Gjithë shpresat tona që mosha e re do ta ndihmonte të kapej fort mbas jetës, u shuan… Opinionin në përgjithësi, por botën e spektaklit e të televizionit në veçanti e mbërtheu atmosfera e vdekjes. Ishim mësuar që për këngëtarë të jepnin lajme të bukura, ishim mësuar të tregonim se Emmy po bën një këngë te re, që sapo ka realizuar një klip të bukur, gjithçka pra që kishte të bënte me botën e një vajze 22- vjeçare, e cila sapo kishte filluar të hidhte hapat e parë në muzikë dhe që e dëshironte aq shumë këtë botë dhe punonte fort për t’ia dalë mbanë. Dhe ne të gjithë binim bast që Emmy, e cila në kohë rekord u bë e njohur për publikun, do t’ia dilte. Ëndrrat e saj po dilnin një e nga një nga sirtari për të mos qenë më të tilla, por thjesht realitete të prekshme. Por fati ishte shkruar ndryshe për të…. Vetëm 24 para gjëmës, ajo së bashku me miken e saj nga Kosova, Valza Bajra, me të cilën ishte edhe natën e aksidentit, kishin dalë në karaoke. Ishin aq të gëzuara dhe kjo duket qartë në fotot që po publikojmë për ju. Pozonin para aparatit, si për t’iu treguar të gjithëve që po e shijonin atë darkë në maksimum mes muzikës dhe karaokes, ku edhe ato vetë kënduan pa fund. Asnjë shenjë trishtimi apo ndonjë detaj sado i vogël që të tregonte se Emmy po përjetonte ndonjë moment të vështirë në jetën e saj, asgjë përveç harresës së një vajze të re që ka akoma shumë për të jetuar e shijuar. Dhe ne të gjithë që e kemi njohur Emmyn, duam ta kujtojmë me këtë buzëqeshje në buzë, pasi kujtimet të paktën askush nuk mund të na i marrë zvarrë…
Emmy ka një fat shumë të madh, në krahasim me të gjithë ata që nuk jetojnë më, sepse ajo do vazhdojë të këndojë për ne, këngët e saj do jenë përsëri pjesë e programeve muzikore në radio e televizione, imazhet e saj do vijnë përsëri tek ne, pasi një artist edhe pse me një karrierë të shkurtër, lë pas aq shumë sa të mos harrohet lehtë.

Ditëlindjet,  festa të mëdha me artistë
Të gjithë e morëm vesh kur Emmy mbushi 20 vjeç. Edhe pse nuk ishte akoma aq e njohur, ajo diti të  tërheqë vemendjen për të qenë mbretëresha e një nate shumë të veçantë, siç ishte ditëlindja e saj. Të ftuar ishin shumë këngëtarë të njohur, tashmë kolegë të saj, muzikë, atmosferë ekzaltuese dhe një tortë gjigande me fytyrën e Emmy-t dhe natyrisht ajo, mbretëresha e festës me një look ndryshe si suprizë për atë natë, flokë të kuqe dhe fustan ngjyrë argjendi. Natyrisht arriti të na bëjë të gjithëve të flasim për atë festë, ndërkohë që kuptuam se Emmy kur vendos të bëjë diçka, ia del në perfeksion. Të njëjtën gjë kishte vendosur të bënte edhe në 22-vjetorin e saj, i cili daton më 15 mars, madje kishte prenotuar lokalin dhe kishte bërë gjithçka gati për një festë të jashtëzakonshme. Dhe tani me siguri do ia kishte dalë më mirë se dy vjet më parë, pasi ishte bërë këngëtare e njohur dhe shoqëria me këngëtarë e njerëz të muzikës ishte shumë më e madhe se më parë. Emmy kishte arritur tashmë të kishte pranë vetes më shumë njerëz që e donin, e përkrahnin dhe pëlqenin muzikën e saj.

Banorja e munguar e “Vip shtëpia”
Kjo ishte një tjetër ëndërr e Emmy-t që nuk u realizua, pasi ishte në përfundim të negocimeve për të qenë njëra nga banoret e “Vip Shpia”, një reality show vetëm me vipa, që zhvillohet çdo vit në Kosovë e që do fillonte me 1 prill. Faqja zyrtare e këtij spektakli shkruante se me hidhërim të madh njoftojmë se njëra nga pjesmarrëset e këtij spektakli ka ndërruar jetë dhe kjo ishte pikërisht Emmy.

Këngët e reja të Emmy-t dhe klipi që do përgatisin kolegët e saj

Si çdo këngëtare, edhe Emmy ka qenë duke bërë disa këngë të reja, të cilat do t’i paraprinin sezonit të verës, ku dihet që këngëtarët kanë shumë punë me koncerte, sidomos në zonat e plazheve. Ajo kishte një këngë të përfunduar tek studio e Stines dhe një tjetër tek Flor Mumajesi, por thuhet se kishte vendosur të bënte edhe një duet tjetër me Valton Krasniqin, meqë dueti i parë kishte pasur shumë sukses. Këngëtaret, mikesha të Emmy-t kanë menduar këto ditë që të sponsorizojnë një klip të njërës prej këngëve të reja të Emmy-t, e cila nuk është transmetuar akoma, në mënyrë që ta sjellin atë në ekranet tona, njëlloj siç ndodh me artistë në botë ku të afërm dhe kolegë kujdesen për punët e tyre të pambaruara që ato të ndahen me fansat e artistit, i cili fatkeqsisht nuk jeton më. Ne shpresojmë që ky projekt të realizohet.

© Panorama.al

Te lidhura