Të gjithë emigrantët që jetojnë në Itali dhe janë të interesuar të verifikojnë periudhat e kontributeve, apo të paguajnë për plotësimin e viteve të punës për efekt pensioni, mund ta bëjnë këtë edhe në shtetin fqinj.
Kjo mundësohet nga zinxhiri i marrëveshjeve më të fundit që Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nënshkruar me bankën Intesa San Paolo, me Ministrinë e Jashtme, si dhe me zyrat e INAS-it, patronatit më të madh italian që ndihmon me informacion dhe plotësimin e dokumenteve për emigrantët dhe që operon me mbi 800 zyra. Marrëveshja finale është fryt i një takimi të kreut të ISSH-së, Evelina Koldashi, dhe stafit të saj në Romë me drejtuesit e INASI-it. “Informacioni përmes jush dhe marrëveshja e firmosur së fundmi me Intesa San Paolo për mundësimin e pagesave nga emigrantët për plotësimin e viteve të duhura për pension në Shqipëri përmes kontributit vullnetar, na jep mundësinë e një komunikimi sa më konkret, sidomos me të gjitha ata që kanë pasur një histori kontributive në Shqipëri përpara se të emigronin”, tha në fjalën e saj Koldashi. Gjatë takimit, fjalën e ka marrë edhe kreu i INAS-CISL, Antonio Sorgin, i cili anonçoi edhe lajmin e hapjes së një zyre në Tiranë. Kjo sipas tij do të krijojë mundësinë e verifikimit dhe shkëmbimit konkret të informacionit për shqiptarët e interesuar për përfitimin e pensionit edhe në Shqipëri, pavarësisht se ata mund të jetojnë aktualisht në Itali. Ambasadori i Shqipërisë në Itali, Llesh Kola, ka asistuar në këtë takim duke përshëndetur nismën e ndërmarrë nga ISSH-ja, si dhe përkrahjen që ka gjetur kjo nismë nga institucionet e tjera. “Falënderoj Sorgin e Koldashin për këtë takim kaq të rëndësishëm, që u jep mundësinë bashkëqytetarëve të mi që të njihen falas me kushtet e mbrojtjes sociale edhe në Shqipëri, ku një pjesë jo e vogël kthehet për të jetuar. Është shumë pozitive që tashmë ata do të mund t’i derdhin kontributet këtu ku jetojnë, për plotësimin e viteve të duhura për pension”, tha ambasadori. Një pikë tjetër, në të cilën u ndal gjatë fjalës së tij ai, ishte ajo e përpjekjeve për një marrëveshje më të plotë që do të mundësojë totalizimin e periudhave kontributive në Shqipëri dhe Itali, çka do t’u jepte mundësinë shqiptarëve që të përfitonin nga të dy sistemet e siguruara. “Ne do të kërkojmë këtë të drejtë që kanë shqiptarët në bazë të të gjitha ligjeve”, tha Kola.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











