Një biografi e zezë për një të ardhme të bardhë. Kontrasti ekstrem i prejardhjes së Elsa Xhait me atë çfarë dëshironte, kërkonte një ndërhyrje të qartë. Dhe, më qartë se Thanas Nano nuk kishte se kush ta sqaronte tjetër.
Nuk ishte më shumë se 16 vjeç kur e takoi në ambientet e Radio “Korça”. Kishte shkuar për të eksperimentuar me zërin, por do të dilte nga ato zyra me një premtim karriere. Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Thanas Nano, që gjendej rastësisht atje për inspektim, e kishte inkurajuar për të konkurruar në Tiranë. Në këtë rast nuk vlente thjesht kurajoja e tij, por miratimi publik që iu bë për të vijuar në radio, duke lënë mënjanë persekutimin mediatik të familjes vite më parë. Ajo mund të vijonte atë çfarë iu mohua prindërve të saj gazetarë, radioja!
Tani, pas 4 dekadash, Elsa ka sfumuar kontrastin bardhezi dhe ka një histori me ngjyra për të treguar. Nuk ka qenë e lehtë për të dhe për çdo vit ka çelur një tonalitet më lart, por ka arritur të përfundojë atë që i nisën prindërit, madje duke i kaluar ata. Përveçse gazetare, ajo ka provuar të jetë pedagoge, publiciste, shkrimtare, aktiviste e femrave, ambasadore e Paqes, por edhe zonjë e një profesioni krejt të veçantë dhe i paeksploruar në Shqipëri: oratore politikanesh. Prej vitesh, Elsa Xhai mëson femrat politikane se si të kandidojnë dhe normalisht, të fitojnë. Duke u praktikuar atyre artin e të folurit para medias, ajo ka shkelur në të gjitha zonat e vendit. Shumë prej tyre ia dolën dhe sot janë në Parlament, në bashki, apo komuna. Megjithatë, ia dolën vetëm teorikisht. Praktikisht, ato diku kanë ngecur. Se ku, atë e di Elsa.
Apo nuk e dini?
Kam filluar të jem aktiviste me gratë që në fillimet e demokracisë, ndërsa me mësimin profesionist të gruas në politikë (zyrtarisht), që në vitin 2000. Që në këtë periudhë, nëpërmjet një programi të financuar nga Ambasada Amerikane dhe PNUD-i, kam kaluar me një grup pune në të gjitha zonat elektorale të vendit, si në zgjedhjet lokale, ashtu dhe ato parlamentare. Takoja kandidatet femra dhe i mësoja se si të flasin para medias, por edhe para elektoratit. Si të përgatisin deklaratat, faktet, tonalitetin e zërit, madje edhe imazhin etj, në mënyrë që të kenë shanset më të mëdha për të dalë fituese. Shumë prej tyre arritën të dalin fituese dhe sot janë në Parlament, në bashki, komuna, apo edhe në administratë. U trajnuan për të folur bukur, folën bukur dhe fituan. Pra, normalisht e di çfarë ka ndodhur, që nuk janë më mediatike, sepse unë kam qenë me ta dhe ua di potencialin që kanë për të folur, por nuk po e përdorin më ose e përdorin keq.
Atë duam të dimë edhe ne, çfarë ka ndodhur me to?
Po i përdorin liderët e tyre. Gratë politikane po dalin kundër njëra-tjetrës, vetëm duke përsëritur deklaratat e kryetarëve të partive, apo duke lexuar atë çfarë ka shkruar zyra e shtypit dhe zëdhënësi. Ne nuk i trajnuam që të jenë të tilla. Ne nuk i mësuam që të bëhen “papagaj”, por të jenë të lirshme në shprehjen e ideve të tyre dhe t’i hartojnë ato me fakte dhe kulturë. Teorikisht ato mësuan shumë, praktikisht nuk po e përdorin diturinë ashtu siç u trajnuan. Ato po gabojnë.
Cila prej tyre më shumë?
Të gjitha.
Përmendni një emër?
I bie t’i përmend të gjitha me radhë dhe 22 i ke vetëm në Kuvend. Nuk më kujtohet saktë se sa arrin numri i grave në vendimmarrje nëpër rrethe. Politika në Shqipëri është domain (sferë) i meshkujve. Ata po zgjedhin politikën e gruas kundër gruas dhe po i armiqësojnë ato, por kjo nuk duhet lejuar që të ndodhë. Ka qenë një iniciativë e Fatos Nanos kur ishte kryeministër që gratë, pavarësisht përkatësisë partiake, kishin lobimin e tyre në Parlament. Ky lobim funksionoi shumë mirë, por zgjati pak. Tashmë është instaluar politika e femrave kundra njëra-tjetrës, pavarësisht bindjeve partiake, është e gabuar.
Megjithatë, a mund të veçoni dikë nga gratë politikane, që sipas mendimit tuaj profesional, di të flasë më mirë?
Po, veçoj dy. Nga maxhoranca mendoj që Lajla Përnaska e ka kapur më mirë artin e të folurit dhe ka qenë e shkathët edhe gjatë kohës së trajnimit. Është femër e kompletuar. Ka arritur të mbajë balancën, di të reagojë në mënyrë fisnike, por kohët e fundit ajo po hesht. Nuk ia rekomandoj këtë, duhet të startojë sërish me median. Ndërsa nga opozita do të veçoja Ermelinda Meksin. Kaq shumë vite në politikë ka ditur që të jetë e përmbajtur dhe deklaratat e saj kanë qenë me argumente dhe kulturë. Por, ashtu si në rastin e Lajlës, edhe Ermelinda nuk po reagon më, sidomos në çështje deçisive. Heshtja është armiku më i keq, si për këto dy zonja të respektuara, ashtu edhe për të gjitha gratë politikane. Kanë dhe plot gabime të tjera…
Ku po gabojnë më shumë?
Gabimi fatal është që po harrojnë të përdorin median. Dhe median po e harrove, të harron. Nuk po flas vetëm për gratë në Parlament, se dashur pa dashur, ato bëhen ndonjëherë objekt mediatik, por ato të pushtetit vendor janë zbehur, më saktë kanë humbur komplet. Nuk dihet se ç’po bëjnë. Për çdo debat apo problem, dalin meshkujt që flasin në emër të tyre.
Mbase këto gra politikane nuk përbëjnë “lajm” për median, duke qenë se janë larg, p.sh. nëpër komuna?
Nuk jam dakord. Nuk është nevoja që ato të dalin në media dhe të debatojnë patjetër për politikë. Jo, gruaja në vendimmarrje duhet të dalë të flasë për fenomenet e zonës, për çështje të rëndësive të veçanta që ndodhin atje ku është, për dhunimin e vrasjen e femrës. Pse, pak raste vrasjesh femërore ka pasur dhe përveçse është dhënë si lajm “i thatë” kronike, nuk ka pasur një opinion politikaneje nga zona ku ka ndodhur? Edhe në rast se nuk i kërkon gazetari, duhet t’i kërkojnë ato, derisa të dyja palët të mësohen me njëri-tjetri. Politika nuk është vetëm Tirana. Politika nuk janë vetëm burrat. Politika është e gjithë Shqipëria dhe Shqipëria përbëhet edhe nga gratë.
Pse u vë kaq shumë faj?
Nuk po u vë faj, vetëm po i ftoj që të reagojnë. Të “luftojnë” me atë çfarë u trajnuan dhe u mësuan për shumë kohë, me fjalën, me debatin, me kulturën, me median. E di që gratë janë shumë pak në Parlament, madje na e ka kaluar edhe Kosova.
Pse, po të ketë më shumë femra në Parlament, çfarë do të ndryshonte?
Nuk them gjithçka, por shumë. Politika gjithmonë është në deficit për argumente të reja, në mënyrë që të ndikojë dhe të tërheqë elektoratin. Në zgjedhjet parlamentare të fundit, moszbatimi i ligjit në kodin zgjedhor për 30 për qind gra në Parlament, e largoi elektoratin me shifrat e ulëta që paraqiti në KQZ për gruan. Në një komunikatë për shtyp, kur doli lista e partive nga KQZ, shkrova: Jemi para një aspekti manipulues brenda kësaj prirje të pandalshme të afirmimit të grave në vendimmarrjen politike. Sa e vështirë për të ndarë pushtetin në mënyrë të barabartë algjebrikisht, por edhe proporcionalisht në përputhje me ndarjet gjinore të strukturës demokratike të shoqërisë shqiptare sot. Shpresoj për një vendimmarrje politike ndryshe në të ardhmen.
Kaluam direkt te e ardhmja, mbase edhe për shkak të situatës paraelektorale që ndodhemi. Ku takon me të kaluarën ky profesion oratorie?
I ka fillimet e hershme. Mbështetja e grave në vendimmarrje apo në karriera të ndryshme më vjen natyrshëm që nga familja. Prindërit e mi kanë qenë gazetarë dhe spikerë emisionesh në Radio “Korça”, që të dy mbështetës të lëvizjeve feministe. U rrita me këtë frymë, edhe pse nuk kam mundur dot ta ushtroja gjatë viteve të diktaturës, për shkak të persekutimit të familjes sime. Me shumë përpjekje arrita të depërtoj vetëm në radio “Korça” dhe më vonë në RTSH.
Në ç’mënyrë?
Isha vetëm 16 vjeç kur mora pjesë në një konkurs letërsie, që u zhvillua në shkollën e mesme “Raqi Qirinxhi”. U ndodha para mikrofonit të qendrës së zërit të kësaj shkolle, si fituese e konkursit letrar me një poezi dhe esse, të cilat i paraqita në gjuhën shqipe, ruse dhe angleze, pasi kështu ishte rregulli. Mora shumë vlerësime dhe pas 10 ditësh mora pjesë në një tjetër konkurs rinor në mikrofonin e Radio “Korçës”. Fitova dhe më dhanë të realizoja një emision për rininë. Duke qenë se po dilja mirë, më shtuan detyrat. Më ngarkuan që të jepja edhe lajmet, të hartoja dhe të flisja në programet muzikore të radios. Nga ATSH-ja merrja lajmet me telefon dhe i shtypja më pas me një makinë të vjetër shkrimi “Oliveti”. Po më pëlqente tepër puna, edhe pse lodhesha shumë. Kisha filluar të ëndërroja karrierën time në radio, edhe pse isha ende në gjimnaz, kur lart e poshtë nisi të përmendej biografia e prindërve të mi. Po shikoja se çështja do të bëhej e vështirë, megjithatë m’u lehtësua shumë shpejt.
Si u lehtësua?
Pas disa muajsh pune viziton Radio “Korçën e cila”, e ishte në varësi të RTSH-së, drejtori i përgjithshëm në atë kohë (1969), Thanas Nano. Ai hyri në studion e transmetimit dhe më përshëndeti. Në fillim, nuk po ua mbushja syrin me atë shtat të imët dhe duar të vockla që shtypja pa pushim duke hartuar programin, por pasi më dëgjoi, hyri në bisedë me mua. Më pyeti se kur do të përfundoja gjimnazin dhe ndërsa i tregoja, më thotë që vitin e ardhshëm do të organizohej një konkurs për gazetarë e spikerë në RTSH, kështu që të merrja pjesë. Ai vlerësoi punën time, por më e rëndësishme se vlerësimi ishte edhe ftesa për konkurs, që u dëgjua publikisht dhe nga të tjerë.
Kishte ndikim fjala e tij?
Normal, por jo se po ndikonte që unë të fitoja. Thjesht të më hapej e drejta e konkursit. Fillimisht më doli bursa e studimit në Vietnam, por pas fillimit të luftës atje, m’u pezullua. Më pas, fitova të drejtën e studimit për Kimi-Biologji, ku edhe fillova rregullisht në Fakultetin e Shkencave në Tiranë. U sistemova në Qytetin Studenti dhe një ditë kur po dilja për në shkollë, dëgjoj një altoparlant që bënte një njoftim: Organizohej konkursi i madh në Radio-Tirana për redaktorë-spikerë, me pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria. U interesova për detajet dhe kështu u paraqita në orën e caktuar, para jurisë. Në ish-kameralen e Radio Tiranës, para anëtarëve të jurisë, si: Vera Zheji, Ruzhdi Pulaha, Nasi Lera, Agron Çobani dhe plot gazetarë e shkrimtarë që punonin aty. Pas shumë pyetjeve, dëgjova zërin kumbues të Vera Zhejit që përsëriti emrin tim dhe më la një takim tjetër. Teksa po dilja nga RTSH, pashë me dhjetëra e dhjetëra konkurrentë të tjerë, që prisnin një përgjigje pozitive si unë. Me valixhe në duar, ata kishin ardhur nga rrethet me shpresën për të depërtuar në RTSH, por nga këta vetëm dy do të zgjidheshin.
Ti ishe një nga këta të dy?
Po, me fat, por edhe me shumë punë që kisha bërë për ushtrimin e zërit. Ndërkohë, më pati ndihmuar edhe eksperienca e prindërve, të cilët më patën mësuar me vite në shtëpi. Pas fitores së konkursit, unë fillova direkt punë në RTSH.
Në çfarë pozicioni?
Fillimisht më dhanë emisionin e orës 5 të mëngjesit. Siç kuptohet zgjohesha me natë, por edhe hyja në konvikt me natë. Aq sa pata probleme me rojën.
Të tipit?
Probleme të tipit, aq sa kishte në dorë roja. Nuk më hapte derën dhe fillimisht më duhej t’i jepja ndonjë cigare për ta bërë mik. Po ashtu, edhe në darkë unë kthehesha pas orës 23:00, sepse radio mbyllej pikërisht në këtë orë. Por, derisa arrija në Qytetin Studenti, normalisht vonohesha dhe kështu më duhej ta lusja. Më vonë mora një urdhër me shkrim nga puna që të më lejonte të hyja dhe të dilja kur të doja. Nuk e kishte problemin thjesht pse vonohesha unë, por godina ku banoja ishte me të huaj dhe kishte frikë mos u prishej qetësia. Ndërkaq, kisha probleme dhe me ushqimin, pasi nuk arrija asnjëherë ta gjeja mensën hapur. Haja ç’të mundja dhe kryesisht “mbijetoja” me biskota. E kisha kohën shumë të kufizuar.
Aq të kufizuar sa për të mos krijuar edhe një lidhje dashurie?
Po ç’lidhje-zeza (qesh). Sapo më shoqëroi njëherë Xhorxhi, bashkëshorti im aktualisht, e morën vesh të gjithë. Nuk kishte shans që të fluturonte një mizë në ajër e të mos shihej.
Si jeni njohur me Xhorxhin?
Në një ditëlindje. Unë punoja me motrën e tij në radio, por nuk e njihja. Teksa po merrja pjesë në këtë festë, ai po i binte kitarës dhe më pas na prezantoi e motra. Pas kësaj, ai filloi të vinte në Qytetin Studenti dhe u detyruam që t’ia shtojmë cigaret rojës (qesh).
Për sa kohë?
Për pak fatmirësisht, se do na kishte nxjerrë deficit. Bëj shaka, por unë dhe Xhorxhi u fejuam shumë shpejt, për 3-4 muaj. Ishte e pamundur të vijonte thjesht si lidhje, pasi vetëm me pak takime, fjala kishte marrë dhenë. Xhorxhi i binte kitarës thjesht për qejf. Ai ka përfunduar studimet për ekonomist, profesion që vijon ta ushtrojë edhe sot në firmën e ndërtimit italo-shqiptare, “Edicom”.
Keni gati 4 dekada në radio. 20 vite i përkasin periudhës komuniste e 20 të tjera pluralizmit. Ku ngjajnë dhe ndryshojnë këto dy periudha nga pikëpamja radiofonike?
Ndryshojnë që nga kohëzgjatja në punë, tematika, serioziteti dhe mbi të gjitha profesionalizmi. Para 90-tës, së bashku me kolegët e mi Kiço Fotjadhi, Meropi Matlia, Viron Noti, Lili Kosta, Haki Bejleri etj., kemi qëndruar të mbyllur në studiot e transmetimit edhe 12 orë, ditë festash e ditë zie kombëtare. Por edhe non stop 24 orë. Kemi derdhur lot, por edhe kemi qeshur me zor. Kemi lënë fëmijë të sëmurë në shtëpi, kemi folur mes kolegëve të lartpërmendur me pëshpëritje, me vështrime vëngër deri në prag të ‘90. Më pas, në ‘91 kam ngrënë edhe shkopinjtë e parë të gomës me inxhinier Eli Vejsiun, duke u bashkuar me lëvizjet e studentëve në QS, ku ndodhej edhe vëllai im. Të gjitha quhen sakrifica dhe sakrifica nuk gjendet më sot në radiofoni. Gjithkush mund të bëhet spiker radioje, di apo nuk di të flasë, ka apo nuk ka zë, është apo nuk është profesionist.
Mos po flisni paksa emocionalisht, pasi pas 36 vjetësh në radio, në vitin 2007 ju u larguat nga Radio-Tirana?
Aspak, po flas realitetin. Besoj dhe pa folur unë, gjithkush e dallon. Edhe ju e dini, pavarësisht se dëshironi të më ngacmoni me pyetje.
Cili ka qenë motivacioni i largimit tuaj nga RTSH?
Më pushoi Zamira Koleci. Mua dhe shumë vajzave e grave të tjera. E çuditshme, ajo që fola në fillim të intervistës ndodh edhe në fusha të tjera, jo vetëm në politikë. Femra kundër femrës! Pesë vitet e fundit kam qenë drejtuese e zyrës së Etikës e Sondazheve të Monitorimit. Në Radio Tirana, në vitet e fundit ishte lakuar emri im në Parlament, e propozuar nga shoqëria civile, si kandidate për në Këshillin Drejtues të RTV. Po kështu, kisha realizuar disa sondazhe në rrethe për dëgjimin e Radio Tiranës. Për vetë detyrën që kisha, evidentoja punën kur nuk shkonte mirë. Shpesh Radio Tirana nuk dëgjohej në zona të ndryshme, madje ndodhte që në këto zona dëgjoheshin radiot e huaja. Shumë herë nuk zbatohej deklarata e qëllimit që duhej të udhëhiqte punën në Radio Tirana (ishte pjesë e Kushtetutës). Gjinitë radiofonike po varfëroheshin dita-ditës. Radio duhej të depolitizohej e të tjera çështje që Zyra e Etikës ngrinte shpesh në informacionet e saj, sidomos në problemet e audiencës. Motivacioni i largimit tim ka qenë ristrukturimi i institucionit ose më saktë pa motivacion.
Si e përjetuat largimin?
Largimin e përjetova shumë keq. Më mungonin kolegët, dëgjuesit dhe sidomos më “varrosën” të gjithë investimin që kisha bërë që nga viti 1970. E çova çështjen në gjyq. Në fund të vitit 2009, gjykata vendosi që të më dëmshpërblejë. U përballa me gjyqtarë tepër seriozë, kompetentë dhe të pa korruptueshëm, si në Gjykatën e Shkallës së Parë, ashtu edhe në atë të Apelit. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e RTSH-së, me drejtues Petrit Becin, iu përgjigj me korrektësi gjykatave, duke vepruar në kohë për ekzekutimin e vendimit. Gjithsesi, unë me kolegët e larguar pres ripunësimin tim, në institucionin që shkriva rininë time.
Trashëgimtarja mediatike e familjes
Ka ndjekur gjurmët e gjyshit, babait, por dhe nënës. Elsa Xhai është trashëgimtarja mediatike e familjes Stratobërdha. Gjyshi i saj, Theodhosi ose siç njihej ndryshe Dhoska i Bostonit, ka qenë publicist dhe shkruante kryesisht në gazetën “Iliria”. Me të njëjtin pasion për gazetën ai rriti edhe djalin (babain e Elsës) Petraqin, i cili pasi u shkollua jashtë, më pas u kthye në Korçë. Petraqi filloi të realizonte në Radio “Korça” emisionin e parë për sindikatat, por me instalimin e diktaturës në Shqipëri, ai u përjashtua pas një viti e gjysmë transmetimi dhe u transferua si punëtor i thjeshtë, diku në periferi të qytetit. Po të njëjtin fat pësoi edhe bashkëshortja e tij (nëna e Elsës), Santhipi Bicka, ose siç e thërrisnin të gjithë në qytet, zonja Pipi. Ajo kishte përfunduar shkollën jashtë dhe kur u kthye në Korçë realizonte një emision për gruan, rininë dhe teatrin. Ishte po ashtu edhe aktore, ku ka luajtur rolin kryesor në dramën e Ibsenit, “Armiku i Popullit”. Këto largime nga puna të prindërve i kanë ndikuar Elsës gjatë gjithë karrierës mediatike, duke ia bërë shpesh të vështirë promovimin e vetes, por jo të pamundur. Edhe pse me “njollë në biografi”, ajo jo vetëm që arriti të depërtojë në RTSH, por të drejtojë emisione të rëndësishme, si dhe të botojë disa libra, ku spikat ai i vitit 1984, “Të flasim bukur dhe me kulturë në RTV”. U largua nga puna në vitin 2007, por pas fitimit të gjyqit, pret që të rikthehet sërish.
Kronologji
1. Rekordi i transmetimit
Është një nga momentet më të bukura për Elsa Xhain, por edhe më të lodhshme. Për më tepër ka thyer rekordin e transmetimit drejtpërdrejt në Shqipëri. Së bashku me Agron Çobanin, ajo ka transmetuar ardhjen në Shqipëri të Papa Gjon Palit të Dytë, nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 24.00.
2. Bashkimi i familjeve
Të paharruara i kanë ngelur në mendje Elsës edhe transmetimet e vitit 1999 me të ardhurit nga Kosova, kur në radio ajo ka bashkuar familjet e njerëzit e humbur, në atë ngjarje të jashtëzakonshme. Thirrje të pafundme nga mikrofonat ishin kthyer me shpresën e vetme të njerëzve të humbur e të ngatërruar në vendstrehime zemrash të fisme.
3. “Mikrofoni midis jush”
Ajo ka qenë drejtuese e emisionit “Mikrofoni midis jush” për 10 vjet rresht, i cili ka qenë edhe më i ndjekuri. Në vitin 1990, falë erës pluraliste që frynte në portat e Shqipërisë, ajo ideon dhe realizon për herë të parë komunikimin direkt me dëgjuesin në transmetimin e mëngjesit, emision që e vazhdoi për 8 vjet radhazi.
4. “Një shoqëri për të gjithë”
Në kanalin e parë të Radio Tiranës, programon emisionin “Një shoqëri për të gjithë”, i cili në qendër të tij kishte njerëzit me aftësi të kufizuar. Edhe kjo rubrikë u transmetua për 10 vjet. Në vitin 2001, Elsa realizon emisionin “Gruaja shqiptare në karrierë” në kanalin e parë, ndërkohë që nga viti 2000 punoi edhe si kordinatore e tre kanaleve.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











