Kandidati për Bashkinë e Elbasanit, Qazim Sejdini, është në një avantazh të thellë ndaj rivalit të tij prej 6443 votash, ndërsa “Aleanca për qytetarin” ka arritur të marrë shumicën në këshillin bashkiak. Ndonëse kanë mbetur edhe 17 kuti pa hapur, duket se kandidati i PS-së e ka siguruar mandatin e tij të dytë, pasi ecuria e procesit të numërimit është gjithnjë e më shumë në favor të tij. Pas një ndërprerjeje në orët e vona të së martës e deri në mëngjesin e djeshëm, tashmë në KZAZ-në ku po kryhet numërimi, nga 96 kuti, janë numëruar 64 prej tyre. Në bazë të rezultatit të deritanishëm, kandidati i PS-së, Qazim Sejdini, ka marrë 20469 vota, ndërsa kandidati i LSI-së, Durim Hushi, 14026 vota. Edhe pse ky i fundit nuk është prononcuar deri më tani në asnjë media, duket se po e pret me qetësi rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve. Madje, ka marrë pjesë në orët e paradites në numërimin e votave në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”, i shoqëruar nga deputeti Luçiano Boçi. Ndërsa kreu aktual, Qazim Sejdini, po ndjek rregullisht procesin e numërimit të kutive, i shoqëruar nga deputeti Ilir Bejtja, vëzhgues të PS-së, si dhe përfaqësues të tjerë të këtij koalicioni. Deri më tani situata paraqitet normale dhe pa asnjë incident, përjashtuar atë të orëve të vona të së martës, ku përreth 10 minuta u ndërpre energjia elektrike për shkak të një anomalie. Me gjithë këtë anomali, PS-ja kishte marrë masa paraprake dhe i kishte gati prozhektorët e ndriçimit, duke bërë të mundur që për këto dhjetë minuta të vëzhgohen numëruesit dhe komisionerët. Paraprakisht ka dalë edhe rezultati i këshilltarëve në këtë KZAZ, ku Partia Socialiste ka marrë 9678 vota ose 55 për qind, PD, 5415 vota ose 31 për qind, LSI 1494 vota. Në koalicion, “Aleanca për qytetarin” ka marrë 13772 vota ose 53 për qind, ndërsa “Aleanca për të ardhmen” 12393 vota ose 47 për qind. Mendohet se me këtë ritëm numërimi për Bashkinë e Elbasanit mund të përfundojë mesditën e sotme. Gjithashtu, procesi i numërimit të votave ka përfunduar edhe në Peqin për kandidatët e pesë komunave, ku katër prej tyre janë fituar nga ” Aleanca për Qytetarin” dhe vetëm komuna Karinë është fituar nga “Aleanca për të ardhmen”. Në qytetin e Librazhdit, pas Bashkisë së fituar nga PD-ja, tashmë janë numëruar edhe komunat Hotolisht, Polis dhe Orenjë, ku kanë fituar kandidatët e PD-së. Në Gramsh, gjashtë komuna dhe Bashkia janë fituar nga “Aleanca për të ardhmen” dhe vetëm një komunë është fituar nga PS-ja. Tashmë, pas përfundimit të kandidatëve, komisionerët do të marrin në shqyrtim votat e këshilltarëve të komunave dhe bashkive të qarkut. m.s
Elbasan
Bashkia Peqin, Ilir Rrushi, PD
Bashkia Cërrik, Servet Duzha, PD
Bashkia Belsh, Aqeri Kuqja, PD
Bashkia Librazhd, Shefki Cota, PD
Bashkia Përrenjas, Bajazit Karriqi, PD
Bashkia Gramsh, Dritan Bici, PS
Komuna Bradashesh, Sabri Sollaku, PD
Komuna Papër, Gani Cani, PD
Komuna Kodovjat, Arjanit Cela, PD
Komuna Gjergjan, Lumturi Hoxha, LSI
Komuna Qendër, Enver Shkurti, PS
Komuna Qukës, Fatmir Kryeziu, PS
Komuna Shirgjan, Mustafa Shehu, PS
Komuna Gostimë, Qamil Boja, PD
Komuna Hotolisht, fitues PD
Komuna Polis, fitues PD
Komuna Orenjë, fitues PD
Partite
PD, 6617 vota
PS, 11909 vota
LSI, 3034 vota
PAA, 1128 vota
PDIU, 1538 vota
PR, 1611 vota
Në Koalicion
Aleanca për qytetarin,
16839 vota
Aleanca për të ardhmen,
15323 vota











