Ekzekutoi kambistin, burg pa afat

Sep 2, 2011 | 10:14
Dilaver Adushaj

FIER – Burg pa afat ka dhënë Gjykata e Fierit për 25-vjeçarin Dilaver Adushaj, i cili vrau me thikë kambistin Etem Spahiu, të dielën, në qendër të qytetit të Fierit. Vrasje me paramendim e ka cilësuar organi i akuzës veprën penale për të cilën gjykohet 25-vjeçari. Seanca e vlerësimit të arrestimit në flagrancë dhe dhënies së masës së sigurisë për 25-vjeçarin Adushaj është zhvilluar me dyer të mbyllura, sipas kërkesës së bërë nga i pandehuri. Vetë ky i fundit nuk u paraqit në seancë, por është përfaqësuar nga avokati i caktuar nga shteti, i miratuar dhe nga vetë i pandehuri Eduard Toska. Gjyqtar i seancës ishte Gentian Jaupaj, ndërsa prokurore Alketa Zifla. Akuza ndaj 25-vjeçarit, e komunikuar në këtë seancë nga Prokuroria e Fierit, është vrasje me paramendim, ndërkohë që organi i akuzës nuk ka dhënë detaje rreth një piste zyrtare në të cilën hetohet çështja. Në të njëjtën kohë, mbrojtja ka kërkuar në këtë seancë gjyqësore një ekspertim psikologjik për të pandehurin, pasi pretendon se kemi të bëjmë me rastin e papërgjegjshmërisë për shkak të tronditjes së fortë psikike. Avokati mbrojtës, Eduard Toska, ka deklaruar se i pandehuri nuk flet, madje ai mohon të ketë thënë qoftë edhe një fjalë edhe për vetë avokatin. “Nuk ka hapur gojë fare. Nuk flet asnjë fjalë mbi çështjen. Edhe unë, duke parë sjelljen e tij dhe gjendjen e rënduar psikologjike, jam munduar të mos e bezdis. Do të kërkoj që të verifikohet situata e tij psikologjike”.                    m.r

© Panorama.al

Te lidhura