Ekzekutohet vëllai i deputetit të PS

May 3, 2011 | 12:36
Policia në vendin ku u ekzekutua biznesmeni Abazi

Vritet me dy plumba në kokë vëllai i deputetit të PS-së për qarkun e Dibrës, Sadri Abazi.Biznesmeni 45-vjeçar Përjet Abazi, me banim në Tiranë, u ekzekutua mbrëmë me breshëri automatiku, pak momente pasi kishte dalë nga një kazino në qytetin e Laçit. Dëshmitarë që janë ndodhur afër vendit të ngjarjes bënë të ditur për policinë se viktima është qëlluar në momentin kur po hapte mjetin e tij tip “Benz” me targa të kryeqytetit. Personi, i cili i kishte zënë pritë, ka hapur zjarr duke e qëlluar me breshëri. Dy prej plumbave e kanë qëlluar në kokë objektivin duke e lënë atë të vdekur në vend. Autori i vrasjes është larguar menjëherë duke shfrytëzuar edhe errësirën. Mësohet se viktima ka qenë i vetëm, por sapo kanë dëgjuar krismat në vend janë mbledhur dhjetëra persona, të cilët janë ndodhur pak metra më larg, në lokalet rreth vendit të ngjarjes. Policia e Kurbinit e më pas ajo e Lezhës dhe vetë drejtori i saj, Muharrem Furriku mbërritën në vend për të nisur menjëherë veprimet për zbardhjen e ngjarjes. Fillimisht janë shoqëruar fillimisht mbi 30 persona, të cilët kanë dhënë dëshminë e tyre rreth asaj që kishin parë. Ngjarja u shënua rreth orës 20:20, në afërsi të stacionit të furgonëve që nisen për në Tiranë. Personat e shoqëruar në polici kanë qenë në lokalet që ndodheshin ngjitur me trotuarin ku mbeti i vrarë Abazi, baba i dy fëmijëve. Burime të policisë bënë të ditur se nga hetimet paraprake ka rezultuar se 45-vjeçari kishte qenë edhe një natë më parë në Laç, ku kishte luajtur në një kazino dhe madje kishte fituar një shumë të konsiderueshme, por për efekt hetimi kjo shumë nuk bëhet e ditur. Dyshohet se edhe mbrëmë ai ka qenë në kazino, dhe pasi ka dalë prej saj e kanë ekzekutuar. Burime të policisë bënë të ditur se në sajë të përshkrimit të skenarit edhe nga dëshmitarët, dyshohet se autori e ka pritur atë në afërsi të mjetit me qëllim për ta vrarë. Tashmë po hetohet për ndonjë konflikt të mundshëm të tij në lojërat e fatit, por edhe ndonjë borxh në to. Blutë nuk përjashtuan edhe pista të tjera të hetimit që kanë të bëjnë me aktivitetin e tij si biznesmen apo konflikte që ka krijuar viktima, për të arritur në ekzekutimin e mbrëmshëm. Përjet Abazi njihej si biznesmen ndërtimi në Tiranë, si dhe pronar i disa subjekteve të tjera, si lokale, kazino dhe lavazh po në kryeqytet. Grupi i hetimit ka përjashtuar pistën se ngjarja përbënte ndonjë incident elektoral. Sipas burimeve, vrasja nuk ka lidhje as me fushatën dhe as me faktin se 45-vjeçari është vëllai i deputetit të PS-së. Policia dhe forca speciale të ardhura nga Shkodra janë vënë në kërkim të autorit, por mendohet se ai ka pasur edhe persona të tjerë që e kanë ndihmuar të largohet. Blutë kanë vënë postblloqe në të gjitha hyrje-daljet e Laçit, ndërsa janë kryer kontrolle në disa banesa të dyshuara se mund të fshihen vrasësit. Burime të policisë bënë të ditur mbrëmë se janë shoqëruar edhe persona të kazinosë ku ka qenë duke luajtur viktima, por sipas dëshmisë së tyre, Përjet Abazi nuk kishte pasur asnjë konflikt brenda saj. Madje, sipas tyre ai ka dalë dhe i ka përshendetur normalisht dhe vetëm pas sekonda më vonë dëgjuan krismat e armës që i morën jetën.

Precedenti në vitin 2007

TIRANE – Në nëntor të vitit 2007, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në familjen Abazi. Sherif Abazi, atëherë 47 vjeç, vëllai i deputetit Sadri Abazi, u gjet i plagosur në makinën e tij. Ngjarja ndodhi në afërsi të Zogut të Zi në Tiranë, ku familja ka në pronësi një lavazh. Duke qenë dhe përgjegjës i një firme policie private, Abazi ishte i pajisur me armë zjarri, me të cilën policia konfirmoi se kishte ndodhur plagosja. Ai u gjet në gjendje të rëndë, duke u transportuar menjëherë drejt Spitalit Ushtarak, për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Policia ngriti të dy pistat, atë të ndonjë vetëplagosjeje të qëllimshme ose nga pakujdesia gjatë pastrimit të armës. Plumbi i pistoletës e pati kapur në zemër 47-vjeçarin, duke i rrezikuar jetën, por pas ndërhyrjes intensive arriti të shpëtonte.

 

LAÇ/ ROLAND NIKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura