Ekzekutohet me katër plumba në kokë emigranti shqiptar në Athinë.Ngjarja ka ndodhur dje në një nga baret me të njohura të qendrës së Athinës. Policia ka thënë se viktima e vrasjes është shtetasi Ermal Merko, 30 vjeç, nga Shqipëria. Ai është qëlluar me armë brenda në lokal. Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, bashkë me viktimën, në momentin e ngjarjes kanë qenë të paktën edhe dy persona të tjerë, siç dyshohet me shtetësi dhe kombësi shqiptare. Atentatorët kanë qenë të paktën dy persona. Ata kanë hyrë në lokal dhe pasi janë afruar tek tavolina ku ndodhej Ermal Merko, kanë qëlluar me armë në drejtim të tij. Policia tha se në momentin kur vrasësit kanë hyrë në lokal, 30-vjeçari Ermal Merko mesa duket i ka njohur dhe mesa duket, duke pasur pritshmërinë për rrjedhën e mëpasme të ngjarjes, ka tentuar t’u shmanget. Dëshmitarët kanë thënë se viktima ka tentuar të ngrihej nga tavolina për t’u larguar, por nuk ka pasur shumë kohë. Vrasësit kanë qenë më të shpejtë. Njëri prej tyre ka qëlluar në distancë të afërt ndaj 30-vjeçarit, duke e goditur katër herë në kokë. Emigranti është shembur përdhe, ndërkohë që vrasësi ka dalë nga lokali dhe ka hipur në një motoçikletë, që e priste në rrugicën pranë vendit ku ndodhi ngjarja. Policia greke ka pohuar se shtetasi shqiptar ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë, dy personat e tjerë që ndodheshin në tavolinë me viktimën, nuk kanë pësuar lëndime. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë. Pas kryerjes së veprimeve të zakonshme hetimore, policia ka thënë se shqiptari është vrarë me një pistoletë të kalibrit të madh. Trupi i pajetë i shqiptarit është transportuar në drejtim të morgut, kurse policia ka bllokuar lokalin për disa orë, duke fiksuar provat, si dhe duke marrë në pyetje dëshmitarët. Mbrëmjen e djeshme, policia nuk konfirmoi nëse kishte identifikuar ndonjërin nga atentatorët. Hetuesit kanë thënë ndërkohë që shkaku kryesor i dyshuar për vrasjen e 30-vjeçarit nga Shqipëria është larja e hesapeve, për shkak të aktiviteteve të paligjshme. Bazuar mbi këtë pistë, policia ka nisur hetimet duke verifikuar aktivitetet në të cilat ishte implikuar emigranti shqiptar gjatë qëndrimit në Greqi. Për këtë, hetuesit kanë marrë në pyetje disa të njohur të viktimës.











