Ekzekutohet në lokal 49-vjeçari

Nov 2, 2011 | 14:37

Vritet në lokal babai i dy fëmijëve. Ngjarja e rëndë ndodhi afër mesnatës të së hënës, në një lokal loto-sporti në lagjen “28 Nëntori”, apo e njohur si “Ura e Zaranikës”. Policia, në një komunikatë për shtyp, ka deklaruar se mbeti i plagosur rëndë 49- vjeçari Vasil Kanani, i cili, edhe pse mori ndihmën e parë mjekësore në spitalin kirurgjik, nuk ka mundur të jetojë. Për ngjarjen u arrestuan dy shtetas, autori i vrasjes dhe shoku i viktimës. Më në detaje rreth ngjarjes, e cila shkaktoi dhe vdekjen e Kananit, ka folur për “Panoramën” nëndrejtori i Policisë, Rezar Velmishi. Ngjarja, sipas tij, ka nisur në orët e vona të darkës, ku shtetasi Vasil Kanani, i shoqëruar nga i afërmi i tij, shtetasi Emin Mehja, kanë hyrë në lokalin ku ishte duke luajtur 19-vjeçari Merdov Dushku, i cili dyshohet se është autor i vrasjes. Kanani ka pasur në dorë një thikë, ndërsa Mehja një armë zjarri të tipit pushkë. Sipas Velmishit, ende nuk dihet se dy shtetasit kanë hyrë për ta trembur 19-vjeçarin apo për ta vrarë atë, ndërsa dihet që të dy janë drejtuar drejt tij dhe kanë nisur ta godasin. Në këtë moment, Dushku, i cili gjithashtu ka qenë i armatosur, ka qëlluar në drejtim të 49- vjeçarit dy herë. Plumbat e kanë kapur viktimën një në këmbë dhe tjetri në bark. Sipas Velmishit, 19-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa 49-vjeçari është transportuar menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit. “Por, edhe pse ndihma mjekësore ka qenë e menjëhershme, ky i fundit nuk ka mundur dot të shpëtojë, por ka gjetur vdekjen”, pohon nëndrejtori i Policisë, Rezar Velmishi. Ndërkaq, policia, me të marrë këtë informacion, filloi punën për zbulimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Brenda një harku kohor të shkurtër, gjatë orëve të natës, Policia e Elbasanit bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Emin Mehja, 41 vjeç, i cili dyshohet si pjesëmarrës në ngjarje dhe gjatë orëve të mesditës së të martës u ndalua shtetasi Merdov Dushku, 19 vjeç, i cili dyshohet se është autori i kësaj ngjarjeje. Për zbulimin dhe dokumentimin e ngjarjes u bashkëpunua në mënyrë të vazhdueshme dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Policia, pas përfundimit të hetimeve paraprake, rezultoi se ngjarja dyshohet të këtë ndodhur për motive banale. Rreth katër muaj më parë, viktima dhe autori janë zënë me fjalë për motive banale. Policia në vendin e ngjarjes ka sekuestruar edhe një armë të tipit automatik, armë që i përket shtetasit Emin Mehja. Personat e sipërpërmendur të arrestuar në flagrancë akuzohen për veprat penale të “vrasjes me dashje” dhe “armëmbajtjes pa leje”. MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura