Guvernatori i Bankës së Shqipërisë çeli sot ekspozitën “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë”, një aktivitet kulturor dhe historik që shënon një moment të veçantë mes dy përvjetorëve të rëndësishëm, 100-vjetorit të themelimit të Bankës së Shqipërisë në vitin 1925 dhe 100-vjetorit të hedhjes në qarkullim të monedhës së parë kombëtare shqiptare në vitin 1926.
Në fjalën e tij, Guvernatori theksoi se ekspozita synon të tregojë mënyrën se si shqiptarët janë paguar, kanë kursyer, kanë përballuar kriza ekonomike dhe kanë ndërtuar aspirata për stabilitet financiar, duke e vendosur historinë monetare në një kontekst më të gjerë shoqëror.
“Ekspozita nuk i trajton këto periudha si kapituj të mbyllur. Përkundrazi, synon të tregojë se historia monetare është një mësuese e kujdesshme: na kujton se stabiliteti nuk është i përhershëm; se krizat mund të rikthehen; se inflacioni, paqëndrueshmëria financiare apo pasiguria në pritshmëri kanë kosto reale mbi familjet, bizneset dhe të ardhmen e vendit. Pikërisht për këtë arsye, jemi përpjekur të shkojmë përtej kuriozitetit historik”, tha Sejko.
Sipas tij, rrugëtimi i Bankës së Shqipërisë dhe i monedhës kombëtare shpaloset në tri faza kryesore historike, të ndikuara nga ndryshimet politike, zhvillimet gjeopolitike dhe transformimet ekonomike.
Fjala e Guvernatorit
I nderuar z. Ambasador,
Të nderuar kolegë, studiues e të ftuar
Është kënaqësi dhe nder për mua që sot të hapim së bashku ekspozitën “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë”, e cila vjen në një moment me simbolikë të veçantë, në intervalin mes 100-vjetorit të themelimit të Bankës së Shqipërisë, më 1925-n, dhe 100-vjetorit të hedhjes në qarkullim të monedhës së parë kombëtare shqiptare, më 1926-n.
Kjo ekspozitë, e ngritur në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, është vendosur në Selinë Qendrore nr. 2 të Bankës së Shqipërisë si godinë e cila bart vlera të spikatura arkitektonike, por dhe shtresa të historisë së Tiranës, vendit dhe rajonit. Përmes objekteve, dokumenteve, imazheve, personaliteteve dhe rrëfimeve të paraqitura, jemi përpjekur që në ekspozitë vizitori të mos të gjejë vetëm historinë institucionale të bankës qendrore, por edhe historinë e përditshmërisë së shoqërisë shqiptare: mënyrës si jemi paguar, si kemi kursyer, si kemi përballuar kriza, si kemi rindërtuar ekonomi, si kemi aspiruar për stabilitet dhe një të ardhme më të parashikueshme.
Në rrëfimin që do të shihni, historia e bankës qendrore dhe e monedhës shqiptare shpaloset si një udhëtim i vendit tonë në tri faza të gjera, të formësuara nga ndryshimet politike, zhvillimet gjeopolitike dhe ngjarjet ekonomike që kanë përcaktuar fatet e Shqipërisë. Në këtë udhëtim, Banka ka vepruar nën pothuajse të gjitha regjimet monetare: nga standardi i arit, te kontrolli i fortë i planifikimit të centralizuar, e deri te kornizat moderne të politikës monetare dhe synimit të stabilitetit të çmimeve. Përmes çdo tranzicioni, ajo është përpjekur të ruajë rolin e vet si një institucion i qëndrueshëm në rrethana shpesh të vështira, hera-herës të jashtëzakonshme.
Ekspozita nuk i trajton këto periudha si kapituj të mbyllur. Përkundrazi, synon të tregojë se historia monetare është një mësuese e kujdesshme: na kujton se stabiliteti nuk është i përhershëm; se krizat mund të rikthehen; se inflacioni, paqëndrueshmëria financiare apo pasiguria në pritshmëri kanë kosto reale mbi familjet, bizneset dhe të ardhmen e vendit. Pikërisht për këtë arsye, jemi përpjekur të shkojmë përtej kuriozitetit historik.
Në dekadat e fundit, shumë banka qendrore e kanë zgjeruar komunikimin e tyre me publikun, jo vetëm për të shpjeguar politika, por edhe për të krijuar ura të reja besimi dhe kuptimi. Ekspozitat, muzetë, programet për shkollat, aktivitetet me qytetarët, botimet divulgative janë mënyra për ta bërë një institucion kompleks më të afërt, më të kuptueshëm, më transparent. Ky është edhe qëllimi i ekspozitës sonë: të krijojmë një hapësirë ku historia të flasë me gjuhë të qartë dhe ku ekonomia të mos mbetet vetëm për specialistët. Ky evolucion është mundësuar edhe nga kontributet e punonjësve, ekonomistëve, nëpunësve civilë, studiuesve dhe madje edhe artistëve, ekspertiza dhe përkushtimi i të cilëve kanë formësuar identitetin e Bankës. I jemi mirënjohës kontributit të tyre në dokumentimin e këtij rrugëtimi.
Një aspekt i veçantë i kësaj ekspozite është edhe shtrirja e saj përtej Tiranës. Ekspozita dhe aktivitetet shoqëruese janë konceptuar me idenë se historia monetare dhe edukimi financiar nuk duhet të kufizohen vetëm në një hapësirë. Prandaj, kjo nismë është menduar edhe si një përvojë që udhëton, lidhet me komunitete të ndryshme, krijon mundësi takimi me publikun dhe forcon lidhje institucionale, brenda dhe jashtë vendit.
Në këtë kuadër, dua të vlerësoj veçanërisht bashkëpunimin me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, që së shpejti do të na mirëpresë në Prishtinë. Këto shkëmbime kulturore dhe institucionale janë të rëndësishme jo vetëm për të ndarë histori të përbashkëta, por edhe për të nxitur bashkëpunimin rajonal në fusha që prekin drejtpërdrejt qytetarët.
Zonja dhe zotërinj,
Kur flasim për njëqind vjet, nuk flasim vetëm për kohë, por edhe për breza që kanë jetuar ndryshime të thella.
Në këtë periudhë jubilare, Banka e Shqipërisë ka kënaqësinë të prezantojë edhe një vepër studimore të përgatitur nga profesori i nderuar, i ndjeri Aristotel Pano, kushtuar 100 viteve të sistemit monetar dhe bankës qendrore në Shqipëri. Ky botim që mbulon të gjitha zhvillimet kryesore të periudhës, është një vazhdimësi e përpjekjes për të dokumentuar, strukturuar dhe vendosur në rend kronologjik ngjarjet dhe kthesat kryesore të historisë monetare dhe bankare të Shqipërisë.
Rezultati që shihni sot është fryt i bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë, botës akademike, institucioneve të dijes e të kulturës, si dhe partnerëve tanë në Shqipëri dhe jashtë saj. Për realizimin e kësaj ekspozite janë angazhuar historianë, ekonomistë, arkitektë, arkivistë dhe ekspertë të komunikimit. Ndaj, në mbyllje, më lejoni të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuuar në këtë projekt: ekipin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, departamentet dhe strukturat e përfshira, Komitetin Shkencor kombëtar e atë ndërkombëtar, bashkëpunëtorët shkencorë, si dhe kuratorët. Në veçanti, dua të shpreh mirënjohje për partneritetin me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, si dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë e vendas që kanë mbështetur këtë nismë. Bashkëpunime të tilla rezultojnë në projekte kulturore me standard dhe krijojnë ura studimore dialogu.
Ju falënderoj të gjithëve për prezencën dhe ju ftoj ta vizitoni me kureshtje ekspozitën, t’i lexoni rrëfimet, të shihni detajet, të pyesni e të diskutoni. Nëse ajo arrin të zgjojë interes, të nxisë pyetje e biseda mbi historinë tonë monetare, atëherë e ka përmbushur misionin e saj.
Ju faleminderit!
© Panorama.al












