Shqipëria do të zbatojë me përpikëri marrëveshjen e tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s dhe nga ana tjetër do eliminojë barrierat që përbëjnë pengesë për tregtinë. Këto kanë qenë dy nga zotimet që ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës mori në emër të qeverisë shqiptare gjatë seminarit me temë “Nxitja e eksporteve në vendet e EFTA-s”, i zhvilluar dje. Sipas ministrit Nasip Naço, këto vende janë partnerë të rëndësishëm tregtarë të vendeve tona dhe shifrat e fundit e tregojnë këtë, ku eksportet kanë shënuar një nivel të konsiderueshëm me katër vendet e EFTA-s (Zvicër, Lihtenshtejn, Norvegji dhe Islandë). Duke u ndalur në atë që tashmë konsiderohet si shtylla e re që do të drejtojë rritjen ekonomike në vend, siç janë rritja e prodhimit vendas dhe rritja e eksporteve Made in Albania, ministri theksoi rëndësinë që merr marrëveshja që ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit të kaluar dhe masat që duhen marrë për t’u zbatuar ajo. “Si çdo marrëveshje tjetër, EFTA paraqet sfidat e saj me të cilat Shqipëria duhet të përballet. Fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshjeje kërkon masa të caktuara që duhet të merren për të arritur zbatimin efecient dhe efektiv të saj. Do të jetë i nevojshëm identifikimi, rishikimi dhe eliminimi i mëtejshëm i barrierave jo tarifore në tregti, si dhe zbatimi i rregullave të përbashkëta të origjinës, siç janë parashikuar në marrëveshjen EFTA, për të përfituar avantazhet ekonomike”, u shpreh Naço.











