
Grupi i hetimor i policisë së Tiranës që po heton shpërthimin me eksploziv në makinën tip “Audi Q7” në afërsi të Gardës së Republikës, ka ngritur 5 pista hetimore në lidhje me motivet e ngjarjes.Makina me targa amerikane rezulton në pronësi të ndërtuesit Genti Sauku, ndërsa drejtues i mjetit është Altin Bega, 38 vjeç, ish-inspektor policie i Komisariatit Nr. 3, i dalë në reformë. Mbrëmjen e së hënës makina ishte parkuar pranë Gardës nga drejtuesi Altin Bega, ndërsa biznesmeni Sauku nuk ndodhej në Tiranë, pasi prej disa ditësh kishte udhëtuar për në Itali. Nisur nga këto rrethana, grupi hetimor ka hedhur dyshime se objektivi mund të ketë qenë shoferi, Altin Bega. Policia e Tiranës, me një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen, deklaroi dje se vendosja e eksplozivit ka qenë një tentativë për vrasjen e ish-policit Altin Bega. Për këtë arsye ai është ripyetur nga policia, pas mjekimit nga plagët që pësoi gjatë shpërthimit, nëse ka ndonjë konflikt me persona të caktuar që mund t’i bënin një atentat të tillë me eksploziv. Ish-polici Bega ka deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë konflikte me njerëzit, as gjatë kohës kur ka qenë punonjës i Policisë së Shtetit dhe aq më pak tani që ishte shkëputur nga kjo detyrë. Megjithatë, grupi hetimor, ndër pesë pistat e ngritura, dy i lidh me shoferin Altin Bega. Një nga dyshimet kryesore të policisë për motivet e shpërthimit në makinën “Audi Q7”, me targë amerikane 197 VVEY, lidhet me ndonjë konflikt të mundshëm të Begës në punën e mëparshme si inspektor policie. Gjithashtu, një pistë tjetër hetimi, që sipas policisë e bën ish-policin Bega objektiv të shpërthimit të eksplozivit, mund të jenë edhe problemet e tij personale. Nga ana tjetër, policia tha se po verifikohet edhe veprimtaria si biznesmen në fushën e ndërtimit të pronarit të mjetit, Genti Sauku. Dy ditë më parë, kur ndodhi ngjarja, janë shfaqur për t’u interesuar të afërmit e biznesmenit, një prej tyre edhe vëllai i tij. Gjatë komunikimit që ai ka pasur me oficerët e policisë, mësohet t’u ketë treguar se Gent Sauku ndodhej për punë në Itali prej disa ditësh dhe nuk ka pasur kurrë probleme me asnjë person. Nëse kjo ngjarje mund t’i faturohej atij, atëherë, sipas vëllait të Gent Saukut, mund të jetë kryer për motive konkurrence në fushën e tij të ndërtimeve, edhe pse askush nga të afërmit e tij nuk ishte në dijeni për ndonjë problem që ai mund të kishte. Njëkohësisht me këto tri pista, grupi hetimor po e verifikon ngjarjen edhe si një ngatërresë të mundshme, për shkak të ngjashmërisë së makinës me makinën e ndonjë personi tjetër. Gjithashtu nuk përjashtohet mundësia që vendosja e eksplozivit në makinën e parkuar në një vend të tillë është kryer për të shkaktuar një incident pranë Gardës së Republikës.
50-70 gramë
lëndë plasëse dyshohet se është vendosur në kruskotin e automjetit “Audi Q7” me targa amerikane, i cili shpërtheu mbrëmjen e së hënës pranë Gardës në Tiranë
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











