Eksploziv në derë, vdes gruaja

Mar 26, 2011 | 12:14

Lëndë plasëse në derën e shtëpisë, vdes 43-vjeçarja. Violeta Mehmeti, nëna e dy fëmijëve ndërroi jetë nga plagët e marra mëngjesin e djeshëm kur shpërtheu eksplozivi, në momentin kur ajo po tentonte të dilte jashtë.Burimet zyrtare nga Policia e Shtetit bënë me dije se u kap autori i dyshuar i ngjarjes. Sipas këtyre burimeve, brena 12 orëve Policia e Fierit bëri të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe arriti të kapë autorët e dyshuar. Policia prangosi Aleksandër Dokon, 19 vjeç, banues në Selenicë të Vlorës i cili dyshohet se ka vendosur granatën në banesën e shtetases 43 vjeçare që humbi jetën. Njëkohësisht u prangos edhe Juluan Lamaj, 19 vjeç nga Ballshi i cili dyshohet se nuk ka kallëzuar krimin. Sipas burimeve zyrtare, krimi mësohet të ketë ndodhur për krime të dobëta.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 07:30, në lagjen “Gllavenicë” të qytetit të Ballshit, në ndërtesën private të familjes së Brahush Mehmeti, ish-punonjës policie. Për fat, djali i vogël i familjes, i cili ndodhej në shtëpi, nuk ka pësuar asnjë lëndim. Policia ka deklaruar se vdekja e Violeta Mehmetit erdhi si pasojë e shpërthimit të një lënde plasëse, e cila dyshohet të jetë granatë. Sipas një rindërtimi të ngjarjes nga ana e ekspertëve të policisë, dyshohet se lënda plasëse ishte vendosur në derën e shtëpisë, e cila, sapo është hapur nga gruaja, ka provokuar shpërthimin. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Nga të dhënat paraprake, nuk mësohet që çifti Brahush dhe Violeta Mehmeti të kenë pasur konflikte që mund të çonin në ndërmarrjen e një akti të tillë. Blutë sqarojnë se gjatë kohës kur ndodhi shpërthimi, në banesë ndodhej vetëm gruaja dhe djali i saj i vogël, ndërsa kryefamiljari Mehmeti kishte dalë rreth 1 orë më parë për të bërë furnizim për dyqanin ku tregtonin materiale duralumini, i cili ndodhej pranë shtëpisë. Mësohet gjithashtu, se edhe vajza e madhe nuk ishte aty, pasi ajo mëson në shkollën e muzikës në Fier dhe jeton në konvikt. Të parët që mbërritën në vendin e ngjarjes ishin fqinjët dhe të afërmit e viktimës, të cilët kanë lajmëruar edhe policinë për ngjarjen e rëndë. Ata sapo kanë dëgjuar zhurmën e shpërthimit i janë vënë në ndihmë gruas, duke e transportuar atë për në spitalin e Ballshit, por, fatkeqësisht, ajo nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda që ka marrë nga shpërthimi. Ajo që po i mundon tashmë efektivët është edhe fakti që nga kjo derë kishte rreth 60 minuta që kishte dalë bashkëshorti i viktimës, Brahush Mehmeti. Ai ka dalë normalisht nga shtëpia disa minuta më parë, por sipas tij nuk ka konstatuar asnjë problem. Në gjendje të tronditur, Mehmeti është shprehur se nuk kishte asnjë konflikt dhe ngjarja të zbardhej sa më parë. Dyshohet se objektivi i atentatit mund të ketë qënë kryefamiljari, i cili kishte punuar për disa vjet si punonjës policie rendi dhe rrugor, deri në vitin 2000 e më pas, deri pak kohë më parë si polic privat në uzinën e përpunimit të naftës.

Fqinjët: Familja Mehmeti, pa probleme

Të tronditur nga ngjarja, fqinjët e familjes thonë se nuk kanë qenë në dijeni të ndonjë konflikti të mundshëm të kësaj familjeje. “Nuk kemi ditur të kenë probleme me ndokënd. Ishin të sjellshëm me të gjithë. Ishin në punën e tyre, në hallin e tyre. Të gjenden autorët”, ka thënë Nazmi Lamçe, njëri prej fqinjëve. Deklarimet e tyre janë marrë nga policia, e cila ka dërguar në laborator dhe materiale nga vendi i shpërthimit për të saktësuar dhe lëndën që provokoi shpërthimin.

 

BALLSH/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura